​Trajneri i Besiktasit e godet Kariusin: Diçka nuk është në rregull me të


load
Gazeta Express
12 Mars 2019 13:14

Trajneri i Besiktasit, Senol Gunes, ka thënë se ai beson që diçka është gabim me portierin e tij të huazuar nga Liverpooli, Loris Kariusin, pas paraqitjes së tij në fitoren me rezultat 3:2 kundër Konyasporit.

Kariusi vlerësohet se ishte fajtor për golin e barazimit në minutën e 20-të të ndeshjes, të shënuar nga Omel Ali Sahiner. Ky ishte goli i 37-të i pranuar nga Kariusi këtë sezon për klubin turk, transmeton Gazeta Express.

Portieri gjerman nuk arriti ta bëjë një pritje të thjeshtë dhe pastaj u fishkëllye nga tifozët e klubit të tij për të gjithë pjesën e mbetur të ndeshjes.

Kariusi iu bashkua Besiktasit nga Liverpooli, në formë huazimi, gjatë afatit kalimtar të verës. Portieri e kishte bërë këtë transferim me qëllim për ta rindërtuar karrierën pas gabimeve në finalen e sezonit të kaluar të Ligës së Kampionëve.

Portieri i bëri dy gabime të mëdha në atë ndeshje dhe Liverpooli pësoi disfatë më rezultat 3:1 ndaj Real Madridit. Por, trajneri i tij në Besiktas ka bërë të ditur se ky transferim nuk i ka shërbyer gjermanit për ta kthyer vetëbesimin.

“Ai ishte fajtor për golat që i pranoi. Kariusi është bërë i ngurtë, diçka nuk është në rregull me elektricitetin, motivimin dhe entuziazmin e tij për ndeshjet që kemi përpara”, ka thënë Gunes.

“Ka qenë kështu që nga fillimi, ai nuk ndihet pjesë e ekipit. Nuk kemi arritur ta zgjidhim këtë problem dhe, natyrisht, edhe unë jam pjesërisht fajtor për këtë gjë”.

“Diçka është gabim, por ai ka qenë edhe i pafat. Ai është i talentuar por transferimi i tij këtu nuk ka funksionuar dhe ne e kemi një problem. Le ta themi kështu, nëse do ta kisha ende Tolgan në dispozicion, do ta zgjedhja atë”. /Gazeta Express/

Te fundit


Kthehu lart