​Shteti “nuk e mendoi mirë” kthimin e 110 kosovarëve nga Siria


Gazeta Express
12 Gusht 2019 15:37

Muaj më parë, mbi 100 kosovarë u riatdhesuan nga zona e konfliktit në Siri, shumica prej të cilëve gra e fëmijë. Që nga ajo kohë, gratë gjenden në arrest shtëpiak, ndërsa janë 20 raste të cilat kanë kërkuar ndihmë sociale. Disa prej fëmijëve janë pjesë e skemës së mbrojtjes së strehimit familjar, por ky strehim del të mos jetë i përhershëm, për ç’gjë Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale thotë se është mirë të ketë strehimore. Për fëmijët e kthyer nga Siria, po garantohet që nga shtatori të fillojnë mësimin, ndërkohë nuk dihet se a ka pasur parapërgatitje gjatë këtyre ditëve.

Nga 110 kosovarë të cilët arriti shteti i Kosovës në bashkëpunim me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, t’i kthej në vend, në mesin e tyre janë 74 fëmijë, të cilët kanë qëndruar në vatra të rrezikshme. Disa prej këtyre fëmijëve të kthyer nga Siria, janë edhe pa përkujdesje prindërore.

Derisa një gjë e tillë është parë si “storie suksesi” për autoritetet e vendit, në këndvështrimin social, kthimi i tyre po shihet si jo i organizuar mirë.

Vebi Mujku, njohës i çështjeve sociale thotë për KosovaPress se qëndrimi i këtyre personave, për vetëm 72 orë në Qendrën e Azil-Kërkuesve në Vranidoll, nuk ka qenë profesionale, derisa shton se para se të ktheheshin nga vatrat e luftës, do të duhej të koordinohet strehimi i tyre.

Një numër i madh i këtyre fëmijëve të cilët janë riatdhesuar në Kosovë, thotë se kanë lindur në këto zona të rrezikshme të luftës, për çka sipas tij, duhet të punohet shumë në ri-integrimin e tyre.

Për njohësin e çështjeve të sigurisë, Nuredin Ibishi të riatdhesuarit mund të paraqesin edhe rrezik për Kosovën.

Nga 74 fëmijë të kthyer në Kosovë, shtatë prej tyre janë pa përkujdesje prindërore.

Mentor Morina, drejtor i Departamentit për Çështje Sociale dhe Familjare në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale, thotë se vetëm 20 raste kanë kërkuar ndihmë sociale, disa fëmijë thotë se kanë probleme edhe me çështjen e dokumentacioneve.

Por, strehimi i tyre në familjet strehuese, del të mos jetë afatgjatë, për këtë Morina thotë se do të duhej të kishte strehimore.

Avokati i Popullit, Hilmi Jashari thotë se shteti obligohet për mirëqenien e fëmijëve,  pavarësisht situatës buxhetore.

Konsideron se shteti bën shkeljet më të mëdha ligjore nëse i lë pa përkujdesje këta fëmijë të kthyer nga Siria.

Derisa sfida më e madhe po konsiderohet ri-integrimi i fëmijëve,  ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi zotohet se të njëjtit në shtator do të integrohen në sistemin arsimor, ani pse nuk dihet se a janë bërë përgatitjet e duhura.

Për integrimin dhe risistemimin e tyre po zotohet edhe ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri.

E, deputeti Rexhep Selimi thotë se të gjitha problemet nuk përfundojnë me kthimin e tyre nga Siria, pasi siç thotë ai, mund të ketë akoma të kthyer.

Sipas tij, janë edhe 100 shtetas të Kosovës, të cilët ndodhen në vatrat e luftës.

Ani pse kanë kaluar katër muaj prej kur 74 fëmijë dhe 32 gra janë rikthyer nga zonat e luftës, Prokuroria Speciale nuk ka arritur të specifikojë qartë se cila nga to është e përfshirë në akte terroriste.

KosovaPress ka provuar të bisedojë me to, por të njëjtat nuk dëshirojnë të flasin dhe janë udhëzuar edhe nga institucionet të mos e bëjnë këtë.

Derisa me shkrim, Fehmije Gashi, avokate e njërës prej grave të kthyerave nga zona e konfliktit, i ka thënë KosovaPress-it se gratë e kthyera nga Siria po trajtohen mirë nga shteti. 

Te fundit


Kthehu lart