VV konteston votën e Arifit për Qeverinë Hoti, monitoruesit thonë se ishte në përputhje me ligjin - Gazeta Express
string(96) "vv-konteston-voten-e-arifit-per-qeverine-hoti-monitoruesit-thone-se-ishte-ne-perputhje-me-ligjin"

Arlena Krivenjeva

04/06/2020 18:00

VV konteston votën e Arifit për Qeverinë Hoti, monitoruesit thonë se ishte në përputhje me ligjin

Arlena Krivenjeva

04/06/2020 18:00

Etem Arifi ishte njëri prej 61 deputetëve që votoi pro zgjedhjes së Qeverisë Hoti. Për partinë e Albin Kurtit, Vetëvendosjen, e cila dje u largua nga pushteti, vota e deputetit të Partisë së Ashkalinjëve është jovalide për faktin se ai është dënuar për korrupsion me vendim përfundimtar të Gjykatës. Për rastin e Arifit që është aktual tash e sa kohë, Kuvendi ka përgatitur një opinion ligjor ku sugjeron se KQZ është kompetente për çështjen e mandatit. Monitoruesit e Kuvendit duke u bazuar në opinionin ligjor thonë se deputetit mandati mund t’i merret vetëm me 2/3 e votave dhe se të gjitha vendimet ku ai ka votuar deri tash janë ligjore, shkruan Gazeta Express.

Me votat e 61 deputetëve të Kuvendit të Kosovës, Avdullah Hoti u zgjodh dje kryeministër. Mirëpo, partia që udhëhiqte me pushtetin, Lëvizja Vetëvendosje,  konsideron se votimi i qeverisë së në krye me Hotin është jovalid.

Lexo Edhe:

Në Vetëvendosje kanë hedhur dyshime lidhur me ligjshmërinë e votës së Etem Arifit, që është i dënuar me një vit e tre muaj burgim, derisa, thonë se ai nuk mund të ushtrojë funksionin e deputetit.

Nga LVV’ja, deputeti Artan Abrashi ka deklaruar për Gazetën Express se për këtë temë do të drejtohen në organet kompetente.

“Votimi i djeshëm ishte jovalid. Pjesëmarrja në procesin e votimit të deputetit z.Arifi, i cili është i dënuar me vendim të formës së prerë dhe i njëjti nuk mund të ushtrojë funksionin e deputetit të Kuvendit të Kosovës. Meqë po flasim për votën vendimtare kemi të bëjmë me proces të kundërligjshëm të votimit të qeverisë. Lëvizja VETEVENDOSJE! do ta ngris këtë çështje në organet kompetente. Dalja e vetme nga kjo situatë janë zgjedhjet”, ka thënë deputeti Abrashi.

Deputeti i Partisë së Ashkalinjve ishte dënuar me burg në prill të vitit 2018-të, pasi që Gjykata Themelore në Prishtinë e kishte shpallur fajtor për veprën penale të mashtrimit me subvencione. Vendimi për Arifin ishte bërë i plotfuqishëm pas vendimit të Gjykatës Supreme në fund të muajit janar të këtij viti.

Arifi ka ushtruar mandatin e deputetit dhe ka votuar në dy prej seancave më të rëndësishme, atë për rrëzimin e Qeverisë Kurti, dhe dje, për zgjedhjen e Avdullah Hotit kryeministër.

Kushtetuta e Kosovës e saktëson se mandati i deputetit bëhet i pavlefshëm nëse deputeti dënohet me vendim gjyqësor të formës së prerë për ndonjë vepër penale, me një ose më shumë vjet burgim.

Njëjtë thuhet edhe në Ligjin për të Drejtat dhe Përgjegjësitë e Deputetit, ku ceket se një deputeti i përfundon para kohe mandati kur ndaj tij është shqiptuar dënim i formës së prerë me burgim në kohëzgjatje për një ose më shumë vjet burgim. Gjykata për herë të dytë me radhë ka marrë vendim që atij t’i shtyhet shkuarja në vuajtje të dënimit dhe se do të vazhdojë që të qëndrojë i lirë deri në fund të muajit qershor.

Në një përgjigje të Zyrës së Kryeparlamentares për Gazetën Express për rastin e deputetit Arifi, thuhet se Zyra Ligjore e Kuvendit ka përgatitur një opinion ligjor, që është shpërndarë në kryesi me datë 18 maj. Megjithatë, ata nuk kanë treguar për përmbajtjen e këtij opinioni.

“Lidhur me rastin në fjalë, Zyra Ligjore e Kuvendit ka përgatitur një opinion ligjor, i cili i është shpërndarë Kryesisë së Kuvendit në mbledhjen e mbajtur me 18 maj 2020. Lidhur me përmbajtjen e opinionit, luteni që ti drejtoheni administratës së Kuvendit”, kanë bërë të ditur nga zyra e Osmanit.

Gazeta Express ka kontaktuar edhe sekretarin e Kuvendit, Ismet Krasniqi, për të pyetur lidhur me përmbajtjen e këtij opinioni. Krasniqi ka thënë për gazetën se ky dokument është vetëm për përdorim të brendshëm.

“Administrata e Kuvendit, prodhon dokumente këshillëdhënëse vetëm për përdorim të brendshëm”, ka thënë sekretari i Kuvendit, Krasniqi.

Ani pse në këtë institucion nuk pranojnë që të tregojnë se cili ka qenë opinioni i zyrës ligjore për rastin e Arifit, Express ka arritur që të sigurojë përfundimin e këtij opinioni.

Përfundimet e opinionit ligjor të Kuvendit lidhur me rastin e deputetit Etem Arifi

Aty thuhet se nga analizimi i dispozitave kushtetuese dhe ligjore si dhe nga konstatimi i gjendjes faktike, del se vendimi për Arifin ka marrë formën e prerë para se ai të certifikohej si deputet në këtë legjislaturë.

Në përfundim të këtij opinioni të hartuar nga zyra ligjore thuhet se në këtë rast nuk gjejnë zbatim dispozitat kushtetuese dhe ligjore që lidhen me rolin e Kuvendit për marrjen e deputetit. Sipas Kuvendit, KQZ’ja është organ kompetent  për verifikimin e kritereve formale që duhet të plotësojnë kandidatët për deputet, para certifikimit të tyre.

“Ky ligj parasheh edhe deçertifikimin e kandidatit nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, nëse i njëjti certifikohet në kundërshtim me dispozitat e këtij ligji. Ky obligim për KQZ-në rrjedh nga momenti kur mëson se një kandidat është certifikuar në kundërshtim me dispozitat e Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme në Republikën e Kosovës”, thuhet në këtë opinion.

Nga KQZ’ja të pyetur për këtë temë deri në momentin e publikimit të këtij shkrimi nuk kanë kthyer përgjigje. As deputeti Etem Arifi nuk ka pranuar të deklarohet i pyetur nga Gazeta për këtë çështje.

Monitoruesit e Kuvendit sqarojnë se në komisionin parlamentar për mandate dhe imunitete është trajtuar çështja e deputetit Arifi, me kërkesë të kryeparlamentares, Vjosa Osmani.

Sipas Agnesa Haxhiut nga KDI, në këtë komision është dhënë rekomandim që të veprohet bazuar në praktikën parlamentare në të kaluarën, kur ka pasur raste të tilla.

“Marrë parasysh këtë pozicion të Komisionit, Kryetarja e Kuvendit ka kërkuar interpretim ligjor nga ana e zyrës ligjore të Kuvendit për këtë çështje. Sipas interpretimit të tyre, deputeti nuk e ka humbur mandatin tash ashtu siç parashihet me Kushtetutë (neni  70.6) dhe Rregullore (neni 25,4) në rastet kur dënohet për një vepër penale me burgim për një periudhë kohore prej një (1) e më shumë vjet, sepse në kohën kur është dënuar me vendim të formës së prerë, me burgim ka qenë në muajin mars të vitit 2019, në legjislaturën e VI-të, pra jo në këtë legjislaturë”, ka thënë Haxhiu për Express, duke sqaruar se sipas këtij interpretimi deputetit nuk mund t’i merret mandati automatikisht.

“Ai mund ta humb mandatin vetëm nëse shkon në vuajtje të dënimit dhe mungon në punimet e Kuvendit për gjashtë muaj. Mirëpo vendimi për t’ia marrë mandatin në këtë rast duhet ta merr Kuvendin me 2/3 e votave të deputetëve të pranishëm në seancë pas rekomandimit nga komisioni parlamentar përkatës. Bazuar në këtë interpretim të zyrës ligjore të Kuvendit, i bie që të gjitha vendimet që janë marrë gjatë kësaj legjislature ku ai ka votuar të jenë ligjore”, ka thënë ajo.

Ehat Miftaraj nga IKD ndërkaq, thotë se mandati i deputetit Arifi është dashur të humbte në kohën kur aktgjykimi ka marrë formën e prerë.

“Edhe pse me aktgjykim të formës së prerë, gjykata që ka shpallur Aktgjykimin dhe e ka dënuar deputetin në fjalë me burgim efektiv nuk ka shqiptuar dënim plotësues lidhur me kufizimin për të njëjtin për të ushtruar funksione publike përfshirë kufizimin të drejtës për të kandiduar për deputet të Kuvendit të Kosovës, ashtu si edhe e ka përcaktuar Gjykata Supreme e Republikës së Kosovës me vendimet e mëhershme. Në këtë drejtim, mungesa e zbatimit të ligjit nga ana e gjykatave në Kosovë po krijojnë hapësira ku deputetë të Kuvendit edhe pse të dënuar për vepra penale të iu mundësohet të ushtrojnë këtë funksion”, thotë Miftaraj për Express.

Rasti i deputetit Arifi ishte vënë në vëmendje kur u konstatua se edhe pse i dënuar me burgim, ai kishte votuar në seancën e mosbesimit të Qeverisë në krye me Albin Kurtin.

Edhe pse edhe atëherë ishte kontestuar ligjshmëria e atij votimi, nuk ishte marrë ndonjë vendim që do t’ia pamundësonte atij votën pro krijimit të Qeverisë në krye me Avdullah Hotin.

Arifi u dënua pasi që si deputet nga Partia e Ashkalinjëve për Integrim në Parlamentin e Kosovës ka ushtruar ndikim te zyrtarët e Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale për dhënien e subvencioneve edhe pse ka ditur që kjo OJQ është organizatë fiktive dhe falë ndikimit të tij OJQ-ja në fjalë ka pranuar nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale dhe nga Zyra e Kryeministrit për Komunitete për festimin e ditës së flamurit për komunitetin ashkali të holla në vlerën prej 25,646.00 eurove./GazetaExpress/