Krimet e luftës, aktakuza në mungesë, gjykime e aktgjykim dënues – krejt çka ndodhi në 2023-ën - Gazeta Express
string(90) "krimet-e-luftes-aktakuza-ne-mungese-gjykime-e-aktgjykim-denues-krejt-cka-ndodhi-ne-2023-en"

Krimet e luftës, aktakuza në mungesë, gjykime e aktgjykim dënues – krejt çka ndodhi në 2023-ën

Lajme

Gazeta Express

03/01/2024 10:53

Ngritje të aktakuzave, gjykime, aktgjykim dënues, aktgjykim nga Gjykata Kushtetuese, gjykim në mungesë, kërkesë për të ftuar kryeministrin Albin Kurti si dëshmitar, kërkesa të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK) për fuqizim të kapaciteteve profesionale në ndjekje të kryerësve të krimeve të luftës, ankesa të prokurorëve të PSRK-së për ligje të pafavorshme në ndjekjen e krimeve të luftës, janë vetëm disa nga ngjarjet që e kanë karakterizuar vitin 2023, lidhur me krimet e luftës në Kosovë.

Kompetencat për të hetuar krimet e luftës në Kosovë i ka Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës. Sipas kësaj prokurorie deri në fund të vitit 2023, për krime lufte në Kosovë janë ngritur 33 aktakuza më 89 të akuzuar, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Lexo Edhe:

Masakra e Mejes dhe ajo e Dubravës

Aktakuza më e madhe e ngritur deri me tani për krime lufte të kryera në Kosovë, është ngritur në vitin 2023. Në mesin e 89 të akuzuarit për krime lufte, 53 janë të akuzuar për masakrën në fshatin Meje të Komunës së Gjakovës, ku në këtë masakër ishin vrarë e masakruar 370 shqiptarë, aktakuzë kjo e ngritur më 8 dhjetor 2023. Mirëpo, të gjithë të akuzuarit për ketë masakër mbeten të pakapshëm deri më tani për drejtësinë e Kosovës.

Rasti më i madh që është në proces të hetimeve lidhur me kryerjen e krimeve të luftës, është masakra e Burgut të Dubravës. Sipas PSRK-së lidhur me ketë masakër, janë gjithsej 88 të pandehur, por vetëm njëri prej tyre është në paraburgim. Në këtë masakër ishin vranë 160 të burgosur shqiptarë dhe u plagosën më shumë se 300 të tjerë. Kjo masakër zgjati disa ditë, përkatësisht nga 19 deri më 24 maj 1999.

Çka është punuar në trajtimin dhe hetimin e rasteve të krimeve të luftës gjatë vitit 2023

Zoran Vukotiq është dënuar me 13 vite burgim me akuzën se si pjesëtar i forcave policore të njësisë rezervë të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, në kundërshtim me rregullat e të drejtës ndërkombëtare humanitare, gjatë luftës në Kosovë, më 22 maj 1999, në bashkëkryerje me pjesëtarë të tjerë të forcave ushtarake, policore dhe paramilitare serbe, në territorin e Komunës së Vushtrrisë, ka marr pjesë në dëbimin e popullatës civile shqiptare, kryerjen e dhunës fizike dhe psikike ndaj tyre si dhe, me përdorimin e dhunës dhe veprimeve të tjera çnjerëzore.

Përveç rastit ku është dënuar më 13 vite burg për krime lufte, Zoran Vukotiq gjatë 2023-tës, konkretisht më 4 tetor, i është ngritur edhe një aktakuzë tjetër nga e cila ngarkohet se në bashkëkryerje ka kryer veprën penale “Krime lufte kundër popullsisë civile, rast ky i cili ka filluar edhe të gjykohet.

Zoran Gjokiq i dënuar më 12 vite burgim për krime lufte, në dhjetor e ka humbur betejën ligjore edhe në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës. Sipas kësaj Gjykate, aktgjykimi dënues për Gjokiqin i shqiptuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë dhe i vërtetuar nga Gjykata e Apelit dhe ajo Supreme, nuk është në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Gjatë 2023-tës ka filluar gjykimi i parë në mungesë ndaj një të akuzuari për kryerje të krimeve të luftës në Kosovë. Në Gjykatën Themelore të Prishtinës në fund të nëntorit është mbajtur seanca fillestare e gjykimit në mungesë ndaj të akuzuarit Çedomir Aksiq. PSRK më 4 maj 2023 pati ngritur aktakuzë kundër Aksiqit, i cili akuzohej për krime lufte në Komunën e Shtimes, konkretisht në fshatrat Reçak, Mulapolc dhe Petrovë. Me ngritjen e aktakuzës, është propozuar që gjykimi të zhvillohet në mungesë të të akuzuarit.

Një gjykim që ka filluar gjatë këtij viti, duke u bazuar në aktakuzën e ngritur në vitin 2022, është rasti i Dushko Arsicit, i cili në aktakuzën e ngritur për krime lufte, ndër të tjera, nga PSRK po akuzohet se ka marrë pjesë në vrasjen e B.Sh më 20 prill 1999 në Butovc të Prishtinës, si dhe ka maltretuar fizikisht e psiqikisht të dëmtuarin A.K.

Pjesëtarit të Sigurimit Shtetëror të Serbisë, Sllavisha Filiq, në shtator të këtij viti i është ngritur aktakuzë për krime lufte. Konkretisht, PSRK e akuzon Filiqin për zhdukjen e mjekut Hafir Shala. Sipas Prokurorisë Speciale, derisa mjeku Shala ishte duke udhëtuar nga Drenasi për në Prishtinë, me të arritur në udhëkryqin e Sllatinës, ai bashkë me dy të tjerë u ndaluan nga pjesëtarët e Policisë Serbe dhe Sigurimit Shtetëror të Serbisë, në mesin e të cilëve ishte edhe Filiq. Po sipas aktakuzës, mjeku Shala ishte marrë nga i pandehuri Filiq dhe dy të dyshuarit tjerë, ishte futur në veturën të cilën e drejtonte i pandehuri Filiq dhe ishte dërguar në ndërtesën e Sigurimit Shtetëror në Prishtinë, ku fillimisht u ishte nënshtruar rrahjeve dhe torturave dhe nga ajo ditë për fatin e tij nuk dihet asgjë.

Zlatan Arsic, është një tjetër i akuzuar i PSRK-së gjatë vitit 2023, ai akuzohet për krime lufte të kryera gjatë vitit 1999 në Kamenicë. Në aktakuzën e ngritur më 28 korrik, ndër të tjera thuhej se gjatë periudhës së luftës në Kosovë, Arsic, konkretisht në periudhën shkurt-mars të vitit 1999, në bashkëkryerje me pjesëtarë tjerë të policisë serbe dhe grupeve paramilitare, ka marrë pjesë  në dëbimin dhe shpërnguljen me dhunë të qytetarëve të Kamenicës me rrethinë.

Dejan Raçiq dhe Millan Jovanoviq janë dy të akuzuarit në mungesë nga PSRK për krime lufte të kryera kundër popullatës civile. Ndaj këtyre dy të akuzuarve proceset gjyqësor do të fillojnë në shkurt të vitit 2024. PSRK përmes një komunikatë të lëshuar në dhjetor 2023 iu ka bërë thirrje për t’u paraqitur në Gjykatën Themelore në Prishtinë. Raçiq është ftuar të marrë pjesë në seancën fillestare të caktuar më 20 shkurt 2024, ndërsa, Jovanoviq është ftuar të marrë pjesë në seancë fillestare të caktuar më 21 shkurt 2024.

PSRK aktakuzë në mungesë ka ngritur edhe për të pandehurin I.B, i nacionalitetit rom. I.B, akuzohet se gjatë kohës së luftës në Kosovë, prej muajit janar 1998 deri me 21 qershor 1999, në fshatin Zajm të Komunës së Klinës, ju bashkua forcave policore dhe ushtarake serbe dhe si pjesëtar i grupit, vazhdimisht kishte marr pjesë në plaçkitjen e popullsinë civile dhe shtëpive të tyre duke u marr sende me vlerë, si automjete, bagëti, televizor dhe gjësende të tjera nga shtëpitë e disa banorëve.

Aktakuzë në mungesë për krime lufte është ngritur edhe kundër dy të pandehurve me inicialet I.R dhe D.D. Sipas PSRK-së të pandehurit përveç veprimeve të tjera që theksohen në aktakuzë, ata akuzohen edhe për kryerje të dhunimit seksual ndaj një gruaje së nacionalitetit shqiptarë.

Një gjykim i filluar në fund të vitit 2022, i cili ka vazhduar edhe gjatë këtij viti është rasti i të akuzuarit për krime lufte Caslav Jolic. Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës më 18 nëntor 2022 ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurit Caslav Jolic me arsyetimin se gjatë kohës së luftës në Kosovës prej muajit janar 1998 deri më 21 qershor 1999, në territorin e Komunës së Istogut në bashkëkryerje me persona të tjerë, duke i shkelur rregullat e së drejtës ndërkombëtare, ka aplikuar masat e torturimit dhe shkaktimit të vuajtjeve të mëdha apo cenimit të integritetit trupor ose shëndetit kundër popullsisë civile që nuk kanë marrë pjesë drejtpërdrejt në konflikt për shkaqe që lidhen me luftën.

Edhe gjykimi ndaj të akuzuarit për krime lufte të kryera kundër popullatës shqiptare në Izbicë të Skenderajt, Muhamet Alidemaj i filluar gjatë vitit 2022, ka vazhduar edhe gjatë vitit 2023. Sipas aktakuzës, Alidemaj po ngarkohet se gjatë konfliktit të armatosur në Kosovë, si pjesëtar i forcave policore dhe ushtarake serbe, ka shkelur rëndë rregullat e së drejtës ndërkombëtare gjatë kohës së luftës kundër popullsisë civile dhe pasurisë së tyre.

Kryeministri Albin Kurti ‘dëshmitar’ në rastin e të dyshuarit për kryerje të krimeve të lufte, Millenkoçiq?

Mbrojtësi i të pandehurit për krime lufte, Dragisha Millenkoçiq, avokat Dejan Vasiç ka parashtruar kërkesë në Prokurorinë Speciale të Republikës (PSRK) që kryeministri Albin Kurti të dëgjohet si dëshmitarë në këtë rast. Në një njoftim të PSRK-së të datës 6 shtator 2023, thuhej se kërkesa do të analizohet dhe shqyrtohet, si dhe do të veprohet konform dispozitave ligjore. Deri me tani nuk dihet së a është pranuar kërkesa e avokatit Vasiç nga PSRK.

Ndryshe, Millenkoçiq ishte arrestuar në qershor në Graçanicë dhe dyshohet se në bashkëkryerje me pjesëtarë tjerë, në cilësi të gardianëve të Burgut në Prishtinë dhe Lipjan, në mënyrë sistematike kanë ushtruar torturë, dhunë fizike, psiqike, keqtrajtime e maltretime çnjerëzore. Ky rast ende është ende në fazën e hetimeve.

PSRK me numër të vogël të prokurorëve për trajtimin e rasteve të krimeve të luftës

Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale të Kosovës (PSRK), Blerim Isufaj ka thënë se nuk është i mjaftueshëm numri i prokurorëve që kanë për trajtimin dhe hetimin e rasteve të krimeve të luftës. Gjatë një konferencës për media të mbajtur në dhjetor nga PSRK-ja, Isufaj pati thënë se shpresojnë që do të rritet numri i prokuroreve për krime lufte dhe stafit.

PSRK, hetimet dhe trajtimin e rasteve të krimeve të luftës i ka bërë me katër prokurorë, ndërsa me pensionimin e prokurores Drita Hajdari më 13 dhjetor 2023, këto raste do të trajtohen nga tre prokuror.

Ligje të pafavorshme për ndjekjen e krimeve të luftës

Prokurori i Departamentit për Krime Lufte në PSRK, Ilir Morina është ankuar për mungesë të një kornize ligjore profesionale me standarde ndërkombëtare për hetimin e krimeve të luftës.

Në një konferencë për media të PSRK-së të mbajtur në dhjetor, Morina pati thënë se ata duhet të kenë një kornizë ligjore me standarde ndërkombëtare.

“Prandaj këtu është me rëndësisë ta theksojmë edhe njëherë, nëse kërkohet prej neve të bëjmë një punë profesionale, ne duhet të kemi një kornizë ligjore profesionale me standarde ndërkombëtare të paktën të atyre që i ka Gjykata e Hagës për ish-Jugosllavinë apo Dhomat e Specializuara. Hetimi i krimeve të luftës me kornizë ligjore që e kemi tash është sfiduese edhe për neve”, pati deklaruar prokurori Morina.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës në konferencën e fundvitit të mbajtur për të prezantuar punën e bërë gjatë 2023-tës, ka njoftuar në mënyrë të përgjithshme edhe për aktivitetet e realizuara për trajtimin dhe hetimin e rasteve të krimeve të luftës. Mirëpo, sipas Kryeprokurorit të kësaj prokuroria, Blerim Isufaj, informatat e detajuara do të bëhen publike pas miratimit nga Këshilli Prokurorial i Kosovës të broshurës që kanë përgatitur lidhur me punën e tyre një vjeçare.