Ministrat e BE'së miratojnë konkluzat, mirëpresin që Kosova e Serbia e kanë pranuar draftin, kërkojnë zbatim - Gazeta Express
string(69) "keshilli-i-ministrave-i-be-se-miraton-konkluzat-per-kosovendheserbine"

Ministrat e BE’së miratojnë konkluzat, mirëpresin që Kosova e Serbia e kanë pranuar draftin, kërkojnë zbatim

Lajme

Gazeta Express

12/12/2023 19:28

Këshilli i Ministrave të Bashkimit Evropian ka miratuar konkluzat nëpërmjet të cilave, detyrimet e dala nga marrëveshja për rrugën drejt normalizimit të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, do përfshihen në proceset evropiane të dy vendeve.

Kjo nënkupton që në rastin e Kosovës do përditësohet agjenda e Grupit të veçantë të Kosovës për normalizim, ndërsa në rastin e Serbisë detyrimet do përfshihen në negociatat e anëtarësimit mes Brukselit e Beogradit.

Lexo Edhe:

Nëpërmjet të konkluzave, Bashkimi Evropian kërkon nga Kosova dhe Serbia që të angazhohen në dialog në mirëbesim dhe në frymën e kompromisit për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse ligjërisht të detyrueshme.

Shprehet keqardhje për mungesën e zbatimit nga të dyja palët dhe ftohen si Prishtina ashtu edhe Beogradi që t’i respektojnë dhe zbatojnë të gjitha detyrimet.

“Kjo përfshin themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë. Këshilli mirëpret gatishmërinë e Kosovës dhe Serbisë për të pranuar draft-statutin e paraqitur palëve, duke kuptuar se duhet të punohet më tej mbi këtë bazë”, thuhet në dokumentin e miratuar.

Hapësirë e veçantë në konkluza i kushtohet situatës së sigurisë në veri. Në këtë rrafsh, Këshilli rithekson se nuk ka arsyetim për dhunën dhe dënon fuqishëm dhunën e 29 majit si dhe sulmin e 24 shtatorit në Banjskë.

Nga Kosova dhe Serbia kërkohet që të bëjnë përpjekje të qëndrueshme për de-përshkallëzimin, të përmbahen nga veprimet e njëanshme dhe provokuese që mund të çojnë në tensione dhe dhunë dhe të ndalojnë retorikën përçarëse.

Këshilli rikujton sërish se dështimi në de-përshkallëzim do të ketë pasoja. Gjithashtu konfirmohet gatishmëria e Bashkimit Evropian të vendosë masa shtesë ndaj Serbisë dhe Kosovës, nëse kjo është e nevojshme.

Duke iu referuar masave që janë në fuqi ndaj Kosovës, në përmjet konkluzave pranohet se Kosova ka ndërmarrë hapa drejt përmbushjes së disa prej kërkesave, mirëpo paralajmërohet se masat do hiqen në rast të përparimit të mëtejshëm në përmbushjen e kërkesave ekzistuese.

Këto konkluza të ministrave do konfirmohen edhe nga ana e shefave të shteteve dhe qeverive të Bashkimit Evropian të cilët do takohen me 14 dhe 15 dhjetor. /RTK