Fjalim i Xhaferit në Konferencën vjetore të kryetarëve të parlamenteve të BE-së - Gazeta Express
string(79) "fjalim-i-xhaferit-ne-konferencen-vjetore-te-kryetareve-te-parlamenteve-te-be-se"

Fjalim i Xhaferit në Konferencën vjetore të kryetarëve të parlamenteve të BE-së

Ballina

Gazeta Express

25/04/2023 14:35

Fjalimi i kryetarit të Kuvendit Talat Xhaferi në Konferencën vjetore të kryetarëve të parlamenteve të vendeve anëtare të BE-së

Tema: “Roli i BE-së në bashkëpunimin global të demokracive dhe çështja e varësisë së vendeve-anëtare të BE-së nga regjimet totalitare (lufta informative, dezinformacionet, siguria e zinxhirëve të furnizimit, autonomia strategjike etj.)

Lexo Edhe:

Të nderuar mikpritës të konferencës, kryetarë Vistërçill dhe Adamova,

E nderuar Kryetare Mecola,

Të nderuar kolegë,

Më lejoni të shfrytëzoj rastin dhe t’ju përshëndes në emër të deputetëve në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe në emrin tim personal dhe njëherazi, të shpreh kënaqësinë që takohemi përsëri.

Fatkeqësisht, nuk mund të them se situata e sigurisë, situata energjetike dhe në përgjithësi ekonomike në rajon dhe në botë ka pësuar ndonjë përmirësim prej takimit tonë të fundit, përkundrazi. Situata pas agresionit rus në Ukrainë e shkaktoi krizën shumë serioze të sigurisë në Evropë pas Luftës së Dytë Botërore dhe është atak i drejtpërdrejtë mbi themelet e strukturës evropiane të sigurisë. Askush nuk mund të thotë se është i sigurt, sidomos nëse i kemi parasysh ngjarjet e fundit në këtë fushë. Këtu mendoj për propagandën agresive dhe të rrejshme ruse me të cilën Federata Ruse tenton të anashkalojë sanksionet dhe presionin e vazhdueshëm që e gjithë bota demokratike përpiqet t’ia imponojë Rusisë dhe aleatëve të saj. Akoma më e tmerrshme është kanosja ndaj sigurisë së kufijve dhe qytetarëve të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian pas marrëveshjes së arritur të Federatës Ruse me Bjellorusin për sistematizimin e armatimit nuklear taktik në territorin e saj. Duke e marrë parasysh atë se Bjellorusia kufizon me tre vende anëtare të BE-së dhe NATO-s. Dhe prandaj, krahas nevojës për dënimin tonë të përbashkët urgjent, të plotë dhe të pakushtëzuar të kësaj lufte të paprovokuar dhe të padrejtë në Ukrainë, si përfaqësues të trupave legjislativë të zgjedhur në mënyrë të drejtpërdrejtë me legjitimitetin më të madh demokratik, doemos ti shfrytëzojmë të gjitha mundësitë që i ofron statusi jonë kushtetues për ndarjen e vlerave të përbashkëta si demokracia, të drejtat e njeriut dhe sundimi i të drejtës, në shtëpi dhe jashtë.

Të dashur miq,

Më lejoni të përsëris përkushtimin e plotë të Republikës së Maqedonisë së Veriut si partnere e Bashkimit Evropian me të cilin bashkëpunojmë në më shumë nivele. Do e përmend Dialogun Zhan Mone, Samitin e kryetarëve të parlamenteve të vendeve të Ballkanit Perëndimor, Komitetin e Përzier Parlamentar dhe gjithsesi ndihmën dhe mbështetjen shumë të madhe gjatë kohës së krizës me KOVID 19. Tërësisht e kemi harmonizuar edhe politikën tonë të jashtme dhe të sigurisë me atë të Unionit edhe në raport me Ukrainën. Krahas Deklaratës së miratuar me të cilën në mënyrën më të ashpër i dënuam atakët ushtarakë që e rrezikojnë integritetin dhe sovranitetin territorial të Ukrainës, morëm pjesë edhe në Samitin e parë parlamentar të Platformës Ndërkombëtare të Krimesë në Zagreb, si mënyrë për konsolidimin dhe përforcimin e përpjekjeve ndër-parlamentare. Në Kuvend e themeluam edhe Grupin Ndërpartiak Parlamentar për mbështetjen e kësaj platforme me të cilin kryesoj unë personalisht.

Si liderë, kemi përgjegjësi para qytetarëve tanë ta sigurojmë mbi të gjitha, sigurinë e tyre. Mandej, qarkullimin e pandërprerë të lëndëve strategjike energjetike të para, të produkteve ushqimore dhe teknologjive. Nuk guxojmë të lejojmë varësi nga ana e regjimeve totalitare dhe autoritare, varësi e cila do të reflektohet drejtpërdrejtë në sigurinë. Doemos të vendosim ura të reja të bashkëpunimit me politikë të hapur tregtare me vendet që ndajnë vlera të njëjta demokratike, me ç’rast, Organizata Botërore Tregtare do e ketë rolin kryesor.

Që të jetë Republika e Maqedonisë së Veriut faktor aktiv në këto procese, apeloj për zgjerimin e Unionit, duke e marrë parasysh ndryshimin aktual drastik të mjedisit evropian të sigurisë, ekonomisë dhe energjetikës dhe pasojat afatgjate që i njëjti do i ketë mbi kontinentin tonë. Pas konferencës së parë ndërqeveritare në korrik të vitit 2022, me të cilën filloi skriningu, punojmë zellshëm në përmbushjen e kushtit për fillimin e negociatave dhe besoj se premtimi i dhënë do të shndërrohet në vepër dhe procesi i zgjerimit do të fitojë në dinamikë dhe negociatat për anëtarësim do të bëhen realitet edhe për ne.

Faleminderit për vëmendjen!