Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Meliza Haradinaj-Stublla, dhe Ministrja e Kulturës, Rinisë e Sporteve, Vlora Dumoshi, nënshkruan sot Marrëveshjen e Shkallës së Shërbimit midis dy ministrive përkatëse, e cila do të shërbejë për forcimin e diplomacisë kulturore të Republikës së Kosovës përmes fuqizimit të misioneve strategjike nëpër botë.
Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Haradinaj-Stublla, tha se kjo marrëveshje është vazhdimësi e përpjekjeve të vazhdueshme për fuqizimin dhe reformimine shërbimit të jashtëm të Republikës së Kosovës, përmes së cilës do të zgjerohet gama e përfaqësimit të Kosovës nga ai diplomatik e ushtarak, tani edhe në atë kulturor.
“Shteti ynë po fiton çdo ditë miq të rinj, e përkrahës të pashoq në rrugën e tij të konsolidimit dhe prezencës në botë. Por, Kosova ka edhe Ambasadorë pa kredenciale e pa grada diplomatike që përfaqësojnë çdo ditë e vullnetshëm në mënyrën më të dinjitetshme Kosovën dhe vlerat e saj kulturore, artistike, sportive, akademike etj”, u shpreh Ministrja Haradinaj-Stublla.
Ajo tha se deri tani Kosova është përfaqësuar në mënyrë të shkëlqyer nëpër botë, nga njerëzit tanë të cilët kanë arritur rezultate kulminante në kulturë e sport siç janë; Rita Ora, Dua Lipa, Ramë Lahaj, Majlinda Kelmendi, Lorik Cana e shumë e shumë të tjerë, e të cilët kanë qenë me vite ambasadorë të kulturës e vlerave shqiptare kudo që kanë vepruar e punuar.
“Përmes kësaj marrëveshjeje, me ministren Dumoshi kemi arritur për herë të parë të ndërtojmë një platformë për diplomacinë kulturore, kjo formë e vyer e përfaqësimit të vlerave tona të përbashkëta, deri më tani e pazhvilluar. Me këtë marrëveshje jemi zotuar të rrisim prezencën e imazhit, kulturës, traditës së Kosovës në misionet tona diplomatike dhe përmes tyre anembanë botës”, tha ajo, raporton lajmi.net.
Ministrja e Kulturës, Rinisë e Sportit, Vlora Dumoshi, tha se me anë të kësaj Marrëveshje mundësohet emërimi i Atasheve Kulturorë të cilët do të promovojnë kulturën e Republikës së Kosovës në vendet ku ata akreditohen.
“Atashe Kulturorë do të emërohen figurat eminente të kulturës dhe sportit që kanë për qëllim përfaqësimin e vendit tonë në misionet diplomatike të Republikës së Kosovës duke u bazuar në synimin e përbashkët për fuqizimin e diplomacisë kulturore dhe sportive”, u shpreh ajo.
Diplomacia publike dhe ajo kulturore do të ndihmojnë revitalizimin e përfaqësimit dhe imazhit të vendit tonë në arenën ndërkombëtare, tashmë edhe me mbështetjen institucionale prej dy Ministrive përkatëse që kanë lidhur këtë marrëveshje.
Çdo shtëpi është një hapësirë që duhet të jetë komode dhe e organizuar, për të lehtësuar jetën tonë të...