Temat “kombëtare” dominojnë fushatën zgjedhore në Serbi - Gazeta Express
string(53) "temat-kombetare-dominojne-fushaten-zgjedhore-ne-serbi"

Lajme

Gazeta Express

10/12/2023 14:15

Temat “kombëtare” dominojnë fushatën zgjedhore në Serbi

Lajme

Gazeta Express

10/12/2023 14:15

Nga gjithsej 13 lista zgjedhore, tash për tash, që marrin pjesë në zgjedhjet parlamentare në Serbi, më 17 dhjetor, më shumë se gjysma e bazojnë narracionin e tyre parazgjedhore në “temat kombëtare”.

Kosova, Rusia apo “mbrojtja e interesave të serbëve jashtë kufijve të vendit”, janë disa nga temat më të përmendura të segmentit kombëtar në mesazhet zgjedhore.

Lexo Edhe:

Kësisoj, presidenti i Serbisë dhe anëtari i Kryesisë së Partisë Progresive Serbe (SNS) në pushtet, Alleksandar Vuçiq, më 20 nëntor, deklaroi se ka frikë se viti 2024 do të sjellë shumë më tepër konflikte dhe trazira.

“Kur e them këtë, mendoj për secilin lloj të kërcënimit ndaj popullit tonë në Kosovë dhe Metohi, por edhe në Republikën Sërpska dhe në shumë pjesë të tjera të rajonit tonë”, tha Vuçiq në përkujtimin e 182 vjetorit të Akademisë Serbe të Shkencave dhe Arteve (SANU).

Ivica Daçiq, kreu i Partisë Socialiste të Serbisë (SPS) dhe partner i koalicionit të progresistëve, e prezantoi gjithashtu partinë e tij në fushatën parazgjedhore si mbrojtëse të “interesave kombëtare” të serbëve “kudo që jetojnë”.

Në një tubim parazgjedhor në Lubovijë, një qytet në afërsi të kufirit mes Serbisë dhe Bosnjë e Hercegovinës, Daçiq tha se entiteti i këtij shteti, Republika Sërpska, u krijua “mbi themelet e politikës së SPS-së” dhe se është “një pasuri historike, të cilën jemi gati ta mbrojmë”.

“Ekzistenca e Republikës Sërpska nuk guxon të rrezikohet nga askush, ashtu siç nuk duhet të rrezikohet as jeta e serbëve në Kosovë dhe Metohi. Kosova është Serbi, Serbia është Kosovë”, tha Daçiq më 18 nëntor.

Republika Sërpska përfaqëson njërin nga dy entitetet në Bosnjë dhe Hercegovinë, të krijuara pas luftës trevjeçare në atë vend, ku morën pjesë edhe formacione paraushtarake nga Serbia.

“Temat kombëtare” janë në fokus edhe të disa koalicioneve parazgjedhore, të përbëra nga partitë e djathta opozitare.

Partitë Dveri dhe Zavetnici (Beslidhësit), të cilat përbëjnë listën zgjedhore “Tubimi kombëtar”, në programet e tyre politike kanë ruajtjen e Kosovës në përbërjen e Serbisë.

“Ne angazhohemi për përcaktimin e një strategjie të qartë dhe afatgjatë për rivendosjen e gjithanshme të sovranitetit të Republikës së Serbisë në Kosovë dhe Metohi”, thuhet në faqen e internetit të partisë Zavetnici.

Ndër synimet dhe prioritetet e politikës së jashtme, Dveri përmend “riintegrimin e Kosovës në rendin kushtetues dhe juridik të Serbisë”, si dhe anulimin e Marrëveshjes së Brukselit të nënshkruar nga përfaqësuesit e Serbisë dhe Kosovës në vitin 2013.

Gjithashtu, një nga fokuset e politikës së jashtme të Dveri-t është shqetësimi për popullin serb, i cili, siç thonë ata, pas rënies së Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë (RSFJ) “mbeti jashtë shtetit të përbashkët kundër dëshirës së tij”.

Çedomir Çupiq, profesor në Fakultetin e Shkencave Politike në Beograd, thotë për Radion Evropa e Lirë (REL) se bëhet fjalë për të djathtën nacionaliste, e cila u drejtohet qytetarëve që “ushqehen për vite me radhë” me tema të tilla.

“Në këtë kuptim, nuk shoh dallim mes partive tona të djathta dhe koalicionit aktual, pra partisë në pushtet me partnerët e koalicionit”, vlerëson Çupiq.

E djathta në Serbi nuk po dobësohet, por vetëm po ndryshon pamjen e saj, tha në një deklaratë për Radion Evropa e Lirë, filozofi politik Fillip Ballunoviq.Sipas tij, e djathta në Serbi nuk përbëhet vetëm nga partitë që deklarohen hapur, por edhe një pjesë e madhe e qendrës politike.

Sipas Ballunoviqit, temat që pushteti po i shtyn përpara në fushatën zgjedhore, janë ato që kanë qenë konstante deri më tani – Kosova dhe çështjet e identitetit, me këmbëngulje në historinë e një jete më të mirë për qytetarët.

Për Rusinë, kundër BE-së

Karakteristikë tjetër e partive të djathta që marrin pjesë në zgjedhje, është euro-skepticizmi. Millosh Jovanoviq, kryetar i Partisë së Re Demokratike të Serbisë, e cila është pjesë e koalicionit NADA (Alternativa Demokratike Kombëtare), tha më 22 nëntor se koalicioni angazhohet për zgjerimin e bashkëpunimit me BE-në, por jo për anëtarësim nëse kushti për një gjë të tillë është njohja e pavarësia e Kosovës.

“Megjithatë, çështja e anëtarësimit të Serbisë nuk mund të ngrihet sot, për shkak të kushtit që i është vënë Serbisë për të njohur shkëputjen e provincës së saj jugore të Kosovës dhe Metohisë, e cila natyrisht është e papranueshme për ne, por edhe për faktin se vetë Bashkimi Evropian nuk do të zgjerohet në të ardhmen e afërt”, tha Jovanoviq.

Vuçiq pretendon se për shkak të Kurtit s’do të mbahen zgjedhjet e Serbisë në Kosovë

Pavarësia e Kosovës, e shpallur në vitin 2008, u pranua nga shumica e anëtarëve të Bashkimit Evropian, si dhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, gjatë vizitës së saj në Kosovë dhe Serbi, në fund të tetorit, deklaroi se pritet që Serbia ta njohë de facto pavarësinë e Kosovës.

Kryetari i Partisë Popullore e krahut të djathtë, Vuk Jeremiq, ka avokuar për “ripërcaktimin e marrëdhënieve” të Serbisë në raport me Bashkimin Evropian.

“Sot, Evropa ka vendosur para nesh një ultimatum shumë të qartë, se nëse nuk e pranojmë planin franko-gjerman për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, nuk do të ketë anëtarësim të Serbisë në BE. Ky është momenti kur përgjigja jonë ‘jo’ për pavarësinë e Kosovës duhet të nënkuptojë edhe ripërcaktimin e marrëdhënieve tona me BE-në”, tha Jeremiq në një paraqitje në televizionin N1, më 20 nëntor.

Partitë e krahut të djathtë kryesisht e shohin Rusinë dhe, në një farë mase, Kinën si alternativë ndaj integrimeve evropiane.

Kështu, Partia Radikale Serbe ultra-nacionaliste, e udhëhequr nga i dënuari për krime të luftës Vojisllav Sheshel, evokon për anëtarësimin në aleancën BRIKS, e cila përbëhet nga Brazili, Rusia, India, Kina dhe Republika e Afrikës së Jugut.

“Ne besojmë se Serbia, më në fund, duhet të bëjë një hap të guximshëm përpara, të braktisë procesin e integrimeve evropiane dhe të shikojë të ardhmen në aleancë me Rusinë, në aleancë me Kinën, si vendi i parë evropian që i bashkohet BRIKS-it”, tha nënktyetari i Partisë Radikale Serbe, Alleksandar Sheshel, më 19 nëntor.

Që nga fillimi i pushtimit rus të Ukrainës, në shkurt të vitit 2022, kjo parti ka mbështetur publikisht veprimin e Kremlinit dhe i ka bërë thirrje Qeverisë së Serbisë që të mos bashkohet vendet e BE-së dhe Shtetet e Bashkuara, në vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë.

Në protestat për mbështetjen e Rusisë, të cilat u organizuan disa herë në Beograd nga grupe të ekstremit të djathtë, morën pjesë edhe lideri i Dveri-t, Boshko Obradoviq, dhe zyrtarë të partisë Zavetnici.

Në fushatën parazgjedhore, Rusisë i referohet edhe partia Progresiste Serbe. Presidenti i Serbisë, Alleksandar Vuçiq tha në një tubim parazgjedhor në Kralevë, një qytet në jug të Serbisë, se partia e tij “i ruan miqtë e saj tradicionalë”.

“Një vit e gjysmë më parë, thoshin se Vuçiq do të vendoste sanksione ndaj Rusisë vetëm sa të kalojnë zgjedhjet. Zgjedhjet kaluan, ata të gjithë ndryshuan mendje dhe thanë – vendosni sanksione ndaj Rusisë, po punoni kundër interesave të vendit tonë. Por Vuçiqi nuk ka vendosur sanksione, sepse e di që sanksionet nuk e zgjidhin problemin, sepse ne mbrojmë miqtë tanë tradicionalë, pavarësisht se jemi në rrugën evropiane, sepse në kohë të vështira nuk ua kthejmë shpinën miqve tanë”, tha Vuçiq, në tribunën parazgjedhor të 24 nëntorit.

Serbia, në Kombet e Bashkuara, e dënoi pushtimin rus, por në të njëjtën kohë, është një nga vendet e pakta evropiane që nuk vendosi sanksione ndaj Rusisë gjatë 21 muajve të agresionit kundër Ukrainës. Për këtë shkak, ajo u është ekspozuar kritikave nga Bashkimi Evropian, në të cilin, Beogradit zyrtar aspiron të anëtarësohet.

Profesori i Fakultetit të Shkencave Politike, Çedomir Çupiq, thekson se në disa televizione private me frekuencë kombëtare, që janë pro regjimit, rruga evropiane e Serbisë dhe vlerat evropiane vihen në pikëpyetje pothuajse çdo ditë, ndërsa në të njëjtën kohë Bashkimi Evropian shihet ekskluzivisht si rrugë për të arritur deri te fondet.

“Këtu keni një josinqeritet të madh: ju i doni paratë evropiane, ju doni gjithçka që është fitim, por nuk doni që të keni kurrfarë pune me ta. Kjo krijon një lloj skizofrenie sociale në popullatë”, thotë Çupiq.

Çfarë është më e rëndësishme për qytetarët?

Temat “kombëtare” apo “jetësore”? Qytetarët e kryeqytetit të Serbisë, me të cilët foli gazetarja e REL-it, Iva Gajiq, zgjedhin kryesisht këtë të dytën.

Nemanja nga Beogradi thotë për Radion Evropa e Lirë se për të janë më të rëndësishme “temat njerëzore”.

“Gjithçka që përcakton përditshmërinë tonë dhe jo diçka në të cilën ne si qytetarë të zakonshëm nuk mund të ndikojmë, e kjo është sigurisht çështja e Kosovës apo çështja e hyrjes së mundshme në BRIKS, gjegjësisht në BE”, thotë ai.

Ngjshëm mendon edhe bashkëqytetarja e tij Dijana.

“Para së gjithash mendoj se janë të rëndësishme çështjet që shqetësojnë njerëzit, pra standardi i jetesës të jetë në një nivel më të lartë”, thotë ajo dhe shton:

“Mendoj se edhe njerëzit që jetojnë në Kosovë jetojnë tmerrshëm, qofshin serbë apo shqiptarë, sepse, thjeshtë askush nuk u siguron kushte normale. Kështu që mendoj se është më pak e rëndësishme se kujt i përket Kosova, sa është e rëndësishme që të gjithë të jetojnë atje siç duhet”.

Për Millan Sheqeroviqin, qytetar i Beogradit, megjithatë, politika kombëtare është prioritet.

“Gjëja më e rëndësishme për mua është mbijetesa kombëtare dhe Kosova e Metohia, gjithçka tjetër është e parëndësishme. Nëse ata kanë pikëpamje si të miat, atëherë unë votoj për ta, përndryshe nuk do ta bëj këtë”, thotë Sheqeroviq.

Sofija thekson se korrupsioni dhe ekonomia janë tema të rëndësishme për të.

“Sepse mendoj se përmes rënies ekonomike dhe përmes korrupsionit po dështojmë edhe në nivelin moral. Disi mendoj se është e rëndësishme se si jetojmë me njëri-tjetrin, se a shohim drejtësi apo padrejtësi në veprime çdo ditë”, thotë Sofija.

A ka vend për të majtën?

Pavarësisht se e djathta në Serbi mbush pjesën më të madhe të ekosistemit politik, Fillip Ballunoviq beson se forcimi i së majtës në Serbi ka qenë i dukshëm në dhjetë vjetët e fundit. Kjo, siç shpjegon ky bashkëbisedues i REL-it, ishte pjesë e një tendence globale, e cila pas krizës ekonomike botërore në vitin 2008, u shënua nga protestat e majta kundër masave shtrënguese në vendet mesdhetare të Evropës.

“Kjo, ndërkohë, ngadalë është zbutur, por po, Serbia në vitin 2023 ka më shumë njerëz se më parë, që mendojnë në mënyrë socialiste, si në hapësirën publike ashtu edhe në parlament. Por, a janë ata mjaft të fortë dhe të vendosur për të bërë shkurtime radikale – nuk do të thosha”, beson Ballunoviq.

Sipas tij, Serbia ka një opsion politik të majtë të mishëruar në frontin e gjelbër-të majtë, i cili është pjesë e koalicionit të gjerë “Serbia kundër dhunës”.

Ballunoviq rikujton se ky opsion doli në zgjedhjet e mëparshme, të vitit 2022, si koalicioni “Moramo” (Ne duhet), i cili kishte shumë më tepër elementë të majtë se sa koalicioni i sotëm.

“Kësaj radhe mund të flasim për një koalicion parazgjedhor që ka elementë të majtë, por – marrë parasysh se kush e përbën atë koalicion – nuk mund të themi se është elementi shumicë apo vendimtar në atë koalicion”, thotë Ballunoviq.

Koalicioni “Serbia kundër dhunës” përbëhet nga një koalicion i gjerë i 11 partive, emëruesi i përbashkët i të cilëve është kursi pro-evropian.

Partitë e mbledhura rreth këtij koalicioni organizuan protesta disamujore në Beograd dhe qytete të tjera të Serbisë, pas vrasjeve masive që ndodhën në fillim të majit, në shkollën fillore “Vlladisllav Ribnikar” në Beograd dhe fshatrat përreth Mlladenovcit.

Çedomir Çupiq konsideron se është e rëndësishme që në këto zgjedhje, partitë opozitare të krahut të djathtë u ndanë qartë nga ato partitë e orientuara kah qytetaria, të cilat synojnë vlerat demokratike.

“Është diçka e mirë për jetën politike, që më në fund fillon të sqarohet”, konsideron Çupiq.

Zgjedhjet parlamentare, lokale dhe krahinore në Serbi do të mbahen më 17 dhjetor, pak më shumë se një vit e gjysmë pas zgjedhjeve të mëparshme parlamentare.

Këto do të jenë zgjedhjet e katërta të jashtëzakonshme parlamentare që nga ardhja në pushtet e Partisë Progresive Serbe në vitin 2012. /REL/