Zidane e pranon se dueli me PSG-në do të jetë përcaktues për të ardhmen e tij

Leganes e eliminoi Real Madridin nga Kupa e Mbretit në një duel çerekfinal të mërkurën mbrëma dhe dështimin për këtë e mori mbi supe trajneri Zinedine Zidane.

GazetaExpress

Pas eliminimit, Zidane po ashtu e ka pranuar se fati i tij do të vendoset në muajin shkurt nga dueli i 1/8 së finales të Ligës së Kampionëve kundër Paris Saint-Germainit, raporton e përditshmja spanjolle “AS”, transmeton Express.

Me 19 pikë mbrapa liderit, Barcelonës, në La Liga kur ka kaluar gjysma e sezonit dhe eliminimit të freskët nga Kupa e Mbretit, Real Madridit i ka mbetur të luftojë vetëm në një front, Ligën e Kampionëve, ku për kundërshtar në fazën e eliminimit direkt do ta ketë një skuadër shumë të fortë, PSG-në.

Prandaj, Zidane e di se e ardhmja e tij është pezull dhe se sa shumë do të varet nga ky duel.

“Natyrisht, është e qartë”, u përgjigj Zidane kur u pyet nëse e ka në rrezik punën e trajnerit në Real.

“Unë jam përgjegjës për këtë sepse unë jam trajneri. Prandaj duhet ta gjej një zgjidhje. Duhet të përballet me situatën. Do të vazhdoj të luftoj, punoj e tentoj. Do të kërkoj ta bëj më të mirë ekipin. Kaq kisha”, ka thënë Zidane. /Express/ 

Të tjera

Lajmet e fundit