Thaçi: “Pjesëmarrja e Tahirit në Lojërat Olimpike, një tjetër fitore për Kosovën”


05/02/2018

Në Lojërat Olimpike Dimërore “PyeongChang 2018”, të cilat do të mbahen prej 9 deri më 25 shkurt në Korenë e Jugut, do të debutojë Kosova, shkruan Gazeta Express.

Ekipin olimpik të Kosovës do ta përfaqësojë skitari Albin Tahiri, i cili ka fituar normën olimpike në pesë disiplina të skijimit alpik: sllallom, sllallom i madh, super sllallom i madh, lëshim i shpejtë dhe kombinim alpik.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ia ka dorëzuar flamurin e Republikës, përfaqësuesit të vetëm të Kosovës në Lojërat Olimpike Dimërore, i cili e konsideron tashmë si një fitore për vendin pjesëmarrjen në “PyeongChang 2018”.

“Pjesëmarrja e Albin Tahirit në Lojërat Olimpike Dimërore në Pyeongchang 2018 të Koresë së Jugut është një tjetër fitore për Kosovën në dhjetëvjetorin e pavarësisë”, ka shkruar Presidenti i vendit në Facebook.

“Në mesin e shumë shteteve, ai do ta përfaqësojë flamurin tonë, të cilin sot ia dorëzova në mënyrë solemne”, vijon Thaçi.

“Pjesëmarrja e Kosovës në Pyeongchang 2018 është një jetësim i ëndrrës së shumë gjeneratave të sportistëve tanë”. /Gazeta Express/

Artikull i sponsoruar

Te fundit nga kategoria


Kthehu lart