Përplasja e fundit FSHF – Fino


06/02/2018

Në hotelin “Adriatik” të Durrësit, aty ku do të zhvillohet edhe Asambleja, FSHF-ja njofton se ka ftuar të gjithë anëtarët e saj, përfshirë këtu edhe kandidatët për postin e presidentit dhe të Komitetit Ekzekutiv, ndërkohë që në darkë – sipas njoftimit të saj, – do të jenë edhe përfaqësuesit e FIFA-s dhe UEFA-s, vëzhgues për procesin zgjedhor ditën e mërkurë, shkruan Top Channel.

Menjëherë pas këtij njoftimi ka reaguar përmes faqes së tij në “Facebook” kandidati për president, Bashkim Fino, i cili në postimin e tij thekson se nuk ka marrë asnjë ftesë për këtë darkë, duke e konsideruar këtë lajm si një gënjeshtër dhe një manovër dëshpëruese të rivalit të tij.

Nuk ka zgjatur shumë dhe Federata Shqiptare e Futbollit ka publikuar nga ana e saj “e-mail”-in e ftesës, që Sekretari i Përgjithshëm, Ilir Shulku i kishte dërguar kandidatit Fino për darkën e së martës.

Kjo ka qenë përballja e radhës mes palëve, që me sa duket, pasi ka nisur që me zyrtarizimin e hapjes së fushatës, ndoshta do të përfundojë pas Asamblesë Zgjedhore të së mërkurës. /Express/

Te fundit nga kategoria


Kthehu lart