Shqiptaro-amerikani zbulon emailin e Albin Kurtit, ku Veton Surroin e Agim Zatriqin i quante “tiranë arrogantë” - Gazeta Express
string(106) "shqiptaro-amerikani-zbulon-emailin-e-albin-kurtit-ku-veton-surroin-e-agim-zatriqin-i-quante-tiran-arrogant"

Shqiptaro-amerikani zbulon emailin e Albin Kurtit, ku Veton Surroin e Agim Zatriqin i quante “tiranë arrogantë”

Gazeta Express

14/07/2020 9:32

Publicisti shqiptaro-amerikan, Uk Lushi, ka publikuar një shkëmbim emailesh, që kishte pasur para 16 vjetësh me kreun e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti. Në këto emaile Kurti i quante Veton Surroin e Agim Zatriqin “tiranë arrogantë”

Në emailin me subjektin “Rezistenca” që ia kishte dërguar Kurtit, ku kishte komentuar protestat e organizuara nga Kurti, Lushi i kishte propozuar atij se si ta zgjeronte KAN-in (Rrjetin e Veprimit të Kosovës), duke u koncentruar në aktivistë të moshave të reja.

Lexo Edhe:

“… Po ashtu mendoj se seminari mbi metodat joviolente, qe e keni planifikuar ta zhvilloni së shpejti, do të duhej të shërbejë si platformë për zgjerimin e anëtarësisë aktive jo vetëm në Prishtinë, por edhe në qendrat tjera. Koncentrohuni në të rinjtë nga mosha 18 deri në 35 vjeç. Kosova fiton mbi 50 000 votues të rinj çdo vit, si shkak i moshës së re të popullatës”, i kishte shkruar Lushi Kurtit.

Ai tutje kishte thënë se duhet të organizohen debate publike, që faktorët politikë vendorë të vendosen nën lupën e premtimeve që kishin bërë gjatë fushatës zgjedhore.

“Gjithashtu mendoj se do të duhej të bëhej çfarëdo që është e mundur që të organizohet një seri debatesh publike, nëse është e mundshme në media, me faktorët politikë vendorë dhe të vendosen ata nën lupën e premtimeve të tyre prej zgjedhjeve të fundit. Mos harroni edhe gjendjen katastrofike sociale dhe ekonomike. Mua më duket se shtrëngata është shumë afër dhe, më përpara se edhe ti vetë e beson, së shpejti, do të përballeni me shumë përgjegjësi. Lutem që të jem gabim për predikimin si dhe lutem të jem drejt për besimin se ju jeni gati”, kishte shkruar Lushi.

Edhe Kurti i ishte përgjigjur Lushit në emailin e tij.

Kurti kishte shkruar se gjendja në Kosovë është shumë e rëndë dhe të gjitha proceset janë negative.

Ai në emailin e tij kishte kritikuar mediat, duke thënë se e kanë incizuar arrestimin e tij dhe e kanë shfaqur vetëm në mbrëmje.

Madje, Kurti i kishte quajtur “tiranë arrogantë” Veton Surroin e Agim Zatriqin, e mediat e tyre i kishte quajtur biznese politike.

“Mediat në Kosovë qe eventualisht nuk jane qene te tmerrshme, jane bere te tilla. Asnje televizion nuk ka guxuar qe ta shfaq lajmin se ne jemi arrestuar. P.sh. KTV e ka incizuar arrestimin dhe e ka shfaqur vetem ne mbremje. Te gjitha lajmet per arrestimin tone jane botuar pasi qe jemi liruar! Mediat ne Kosove jane po ashtu pjese e establishmentit duke qene instrumente te tij. Nuk ka shanse qe neve te na krijohet mundesia per organizimin e debateve televizive ku sfidohet establishmenti, sepse televizionet jane vendet ku promovohet establishmenti. Te gjitha ato jane te qeverisura nga klika, nga oligarki, me nje tiran arrogant ne krye (Veton S., Agim Z., Blerim Sh., Aferdita S. etj.) Mediat e tyre jane primitivisht biznese politike. Gazetaret ne to mashtrohen nga kapitali simbolik virtuel qe fitojne dhe nuk arrijne ta perjetojne veten ashtu sic jane: si punetore te shtypur dhe ekspoatuar per shefat, per teket e tyre dhe per ambiciet e tyra te sëmura”, kishte shkruar Kurti.

Tutje, Kurti kishte thënë se këta shefa i përkulen vetëm forcës, duke i quajtur të mjerë e të neveritshëm.

“Keta shefa vetem forces i perkulen sepse i levyren asaj. Jane te mjere dhe te neveritshem. Po, duhet qe t’i bashkojme edhe te tjeret jashte KAN-it. Por ka aq pak qe nuk jane te kontrolluar nga partite ose grupet e ndryshme te interesit ose UNMIK-u. Sidoqofte, pajtohem se duhet ta bejme kete sa me shume qe te jete e mundur”, kishte shkruar Kurti në emailin që ia kishte kthyer Lushit. /GazetaExpress/