Kthehu lart

​Teatri Kombëtar, fondi Venizelos dhe vullneti i munguar i ministres Kumbaro

​Teatri Kombëtar, fondi Venizelos dhe vullneti i munguar i ministres Kumbaro Autori: Anxhela Çikopano GazetaExpress

Pasi lexova deklaratë​n e janarit 2015 të zonjës Mirela Kumbaro se “kemi zhbllokuar fondin e famshëm grek 2,5 milionë euro, i cili së bashku me fonde të buxhetit të shtetit, që bëhen 4 milionë euro, do të shërbejnë për ndërtimin e skenës multifunksionale, rikonstruksionin e Teatrit të Operas dhe Baletit dhe Teatrin e ri Kombëtar”, vendosa të hedh pak dritë se për çfarë bëhet fjalë.

Ç’është ky “fondi i famshëm grek”, të cili i referohet ministrja?

Në 12 nëntor të vitit 1998, kryeministri i asokohe, Pandeli Majko, në një takim me Kryeministrin grek Kostas Simitis, nënshkroi një “Marrëveshje Bilaterale për Zhvillimin e Bashkëpunimin midis Greqisë dhe Shqipërisë”, në nenin 2 të së cilës parashikohej financimi prej 2,5 milionë Euro për një ndërtesë të re të Teatrit Kombëtar në Tiranë. Në zbatim të marrëveshjes, 2,5 milionë Eurot u depozituan në “fondin Venizelos” në një llogari të Bankës së Shqipërisë, në janar të vitit 2002, në kohën kur kryeministër i Shqipërisë ishte Ilir Meta. Në shkurt 2002, Meta, ia la vendin Majkos, i cili shumë shpejt ia la Nanos. Asnjëri prej tyre nuk e vuri ujin në zjarr për këtë fond. Nga viti 2005 e deri në 2013, kur pushtetin e morën demokratët, ky fond nuk u përmend kurrë. Sipas Edi Ramës, ka pasur një VKM nga qeveria Berisha, që Rama e ka shfuqizuar në vitin 2015, po sado që kërkova, arrita të gjeja vetëm përshkrimin mbi këtë VKM dhe jo dokumentin me detajet e saj.
Sidoqoftë, në vitin 2013, në një takim mes Zëvendëskryeministrit shqiptar, Niko Peleshi dhe Zëvendëskryeministrit e Ministrit të Jashtëm grek, Venizelos, u diskutua edhe për politikat kulturore, mes të cilave u përmend edhe kontributi financiar prej 2,5 milionë eurosh për Teatrin Kombëtar të Shqipërisë, që simbolizonte miqësinë mes dy shteteve. Por në vitin 2014, deputetja greke Rahil Makri i kërkoi llogari Venizelosit në parlamentin grek, pse ky fond i ishte dhënë Shqipërisë, për një teatër që nuk u ndërtua kurrë dhe nuk është në një bankë greke, ku të mund të përdorej në rast nevoje, por gjendet në një bankë shqiptare. Kjo deklaratë nënkupton se fondi ekzistonte dhe flinte aty ku ishte depozituar, në një llogari bankare në Tiranë.
Në vitin 2015, Rama rrahu gjoksin se po zhbllokonte “fondin e Venizelosit”, një fond që sipas Ramës Berisha e kishte mbajtur 15 vjet në sirtar. Në maj të vitit 2015, me një vendim të Këshillit të Ministrave u vendos të nisë rindërtimi i disa godinave të një rëndësie të veçantë për qytetin e Tiranës, që ishin: Vila Nr. 31 (ish-vila e Enver Hoxhës), ndërtesa e ish-Lidhjes së Shkrimtarëve, Muzeu Historik Kombëtar, Teatri Kombëtar i Operës e Baletit dhe Ansamblit Popullor, Pallati i Brigadave dhe Gjykata e Lartë. Teatri Kombëtar, fondi i të cilit ishte në gjendje, nuk rezultonte në listë. Me sa duket, vila e diktatorit ishte një objekt me rëndësi më të veçantë se Teatri Kombëtar, mbase sepse trashëgimia kulturore e shpirtërore e diktatorit është më e rëndësishme për kryeministrin se trashëgimia kulturore e Teatrit Kombëtar.
Në shtator të vitit 2016, pas një reagimi të artistëve për godinën e Teatrit Kombëtar, zonja Kumbaro, në një deklaratë publike u shpreh: “Unë si Ministre nuk do të pranoja kurrë që fondet publike të hidhen në një gropë të zezë, siç është tashmë ajo godinë e mbaruar”. Në fakt, zonja ministre, nuk kishte as edhe një arsye pse të shpenzonte fonde publike të mbushura me taksat e shqiptarëve, kur kishte një fond, enkas për Teatrin Kombëtar, që ia kishin falur grekët dhe flinte në një llogari, e cila, po të kishte qenë me interesa bankare, tani mbase do të ishte dyfishuar.
Që t’iu kthehemi tollovive të ditëve të fundit, në lidhje me “Turbinën” dhe Teatrin Kombëtar, po përsëris edhe një herë deklaratën e ministres Kumbaro, me të cilën hapa edhe shkrimin:
“Kemi zhbllokuar fondin e famshëm grek 2,5 milionë Euro, i cili së bashku me fonde të buxhetit të shtetit, që bëhen 4 milionë Euro, do të shërbejnë për ndërtimin e skenës multifunksionale, rikonstruksionin e Teatrit të Operës dhe Baletit dhe Teatrin e ri Kombëtar”.
Nga fjalët e ministres rezulton se kjo qendër multifunksionale, nuk është godina e re e Teatrit Kombëtar, ama në 4 milionë Eurot që do të shpenzohen, 2,5 milionë Euro i përkasin “fondit Venizelos” për Teatrin Kombëtar dhe 1,5 milionë Euro do të dalin nga fondet e buxhetit. Sikur të mos mjaftonte kjo, për rikonstruksionin e Teatrit të Operës dhe Baletit, Ministria ka marrë edhe një financim prej 2 milionë dollarësh nga qeveria e Kinës.
Pra, për ta shprehur më qartë: fondi i specifikuar për Teatrin Kombëtar, i shkon qendrës multifunksionale “Turbina” dhe Teatrit të Operës dhe Baletit, por as edhe një kacidhe Teatrit Kombëtar.
Në të tilla kushte, mbase nuk është fare e nevojshme të vërej se paratë paskan qenë, por gjatë gjithë këtyre viteve ka munguar një vullnet i plotë i ministres, që kërkon llogari se ku kanë qenë të tjerët, kur Teatri Kombëtar degradonte. Pyes veten, po zonja ministre ku ka qenë këto 5 vjet, kur teatri degradonte dhe fondi flinte?
Në shtator të vitit 2016, Zonja Kumbora bëri një deklaratë për godinën e Teatrit Kombëtar duke u shprehur: “Nëse doni mendimin tim personal, ajo nuk është ndonjë godinë që të lë pa frymë. Vlerën e ka në atë se çfarë ka ndodhur brenda; në historinë, tek ikonat e teatrit që i kanë dhënë shpirtin asaj godine. Sikur t’i heqim gjithçka mbart brenda, ajo është një godinë mëse mediokre!”
Tani dëshiroj ta pyës Zonjën Ministre: “Po nëse juve, ju vetë zonja Kumbaro, ju heqin historinë, kujtimet, ndjenjat që mbartni brenda; nëse do t’ju hiqnin shpirtin, çfarë do të mbetej prej jush?”. /exit.al  

    Data: 13 Shkurt 2018 13:30
    Autori: Anxhela Çikopano

    Të tjera