Kthehu lart

Të humbasësh lajmin

Të humbasësh lajmin Autori: Alex Jones GazetaExpress

Imagjinoni një sferë prej hekuri, gri dhe të papërsosur, si një gjyle e madhe. Mendojeni këtë gjyle të rëndë, të përbërë nga masa totale e lajmeve serioze të raportuara përditë, bërthama e hekurt e informacionit, që është në...

Imagjinoni një sferë prej hekuri, gri dhe të papërsosur, si një gjyle e madhe. Mendojeni këtë gjyle të rëndë, të përbërë nga masa totale e lajmeve serioze të raportuara përditë, bërthama e hekurt e informacionit, që është në qendër të një demokracie funksionale. Kjo bërthamë hekuri është e madhe dhe e ngathët, ajo përmbën tërësinë e të gjithë produktit të gazetarisë profesionale, të krijuar nga organizatat e lajmeve – gazeta, radio dhe televizione lajmesh, shërbime të lajmeve të tilla si Associated Press dhe Reuters, dhe disa revistave. Një pjesë e përmbajtjes krijohet tashmë nga mediat e reja, jofitimprurëset, dhe madje, herë pas here, nga tabloidët e supermarketeve, por shumica dërrmuese, ende vjen nga mediat tradicionale të lajmeve.

Kjo bërthamë hekuri nuk përfshin bëmat më të fundit të Paris Hiltonit, apo një rrëfim të ndeshjes së fundit të Yankees, apo US Open. Nuk ka karikatura apo fjalëkryqe. Nuk ka reklama. Nuk ka artikuj rreth këlyshëve shtëpiakë apo arrative të fundjavave, apo recetave të gatimit me shmë piper. As nuk përfshin këshilla për blerjen e pasurive të paluajtshme, investime, kritika filmash, apo këshilla dietash. Nuk ka asgjë të keqe me asnjë nga këto gjëra. Në të vërtetë, artikujt e këndshëm dhe argëtues janë shumë më tërheqës për shumicën e njerëzve, sesa përmbajtja e bërthamës, që disa e gjejnë të zymtë, të mërzitshme, ose të mbushur me anshmëri.

Ajo nuk ka editoriale dhe nuk përfshin mendimet e kolumnistëve, apo blogger-ave. Këto gjëra rrjedhin nga bërthama. Ato janë të mundura, sepse ekziston një bërthamë. Pikënisja e tyre është pothuajse gjithmonë informacioni i mbledhur nga raportimi, që i jep bërthamës peshën e saj, dhe shërbejnë për të përhapur vetëdijësimin mbi informacionin që ndodhet në bërthamë, për të analizuar dhe interpretuar atë, dhe për ta sfiduar atë. Opinionistët zgjedhin midis asaj që ofron bërthama, për të gjetur fakte që do të shpien më tek një argument, ose do të avancojnë një agjendë të politikave. Por ato janë jashtë bërthamës, sepse ato ofrojnë gjithmonë komente dhe vëzhgime personale, jo raportim origjinal.

Brenda bërthamës është lajmi i jashtëm, që nga mbulimi i luftës në Irak, deri tek artikujt që përshkruajnë përpjekjet për të shpëtuar parqet kombëtare në Mozambik. Ka lajme për politikën, nga Shtëpia e Bardhë, deri tek zyra e kryetarit të bashkisë. Ka një artikull për një dëgjesë publike mbi një propozim, për të ndërtuar fusha të reja sportive, dhe një shpjegim për një koncept të zonimit rajonal, i cili mund të ketë ndikim mbi vlerat e pronave. Ka lajme rreth reformës së Medicare dhe lajme shkencore rreth ngrohjes globale. Ka artikuj për biznesin, si për risitë edhe për skandalet, madje ka edhe lajme sportive, për gjëra të tilla si shpërdorimi i steroideve. Aty gjen edhe një artikull rreth debatit brenda bordit të shkollës lokale, mbi kodet e veshjes, së bashku me debatin në legjislaturën e shtetit, lidhur me temën e “intelligent design” dhe a duhet të jepet mësim si shkencë. Sferës së hekurt i jepet peshë shtesë, nga artikujt investigues, duke filluar nga zbulimi se të burgosurit janë duke u përdorur për të lyer shtëpinë e drejtorit të burgut, deri tek zbulimi se qeveria po përgjon telefonat, pa urdhër gjykate, si pjesë e luftës kundër terrorit.

Ajo që futet në këtë “gjyle”, është agregati i përditshëm i atyre që ndonjëherë quen “lajmet e llogaridhënies”, sepse është forma e lajmeve, qëllimi i të cilave është që të mbajnë përgjegjës qeverinë dhe ata që janë në pushtet. Ky është lajmi i bazuar në faktet, ndonjëherë i quajtur “lajmi i verifikimit”, që ndryshon nga “lajmi i pohimit”, i cili shfaqet më së shumti këto kohë në televizionet me lajme 24-orëshe dhe në blogje.
Gazetarët tradicionalë kanë besuar për një kohë të gjatë, se kjo formë lajmesh bazuar në faktet është furnizuesi ushqimor thelbsor i demokracisë, dhe se, pa një ushqim të tillë të shëndetshëm, demokracia do të dobësohet, do të sëmuret, do të “vdesë” ndoshta.

Për më shumë se një shekull, kjo bërthamë e lajmit të raportuar ka qenë pikënisja e një bashkëbisedimi kombëtar, për atë se, kush jemi ne si popull dhe si vend. Ashtu sikurse Toka është e rrethuar nga një mbështjellë e atmosferës, po kështu edhe kjo bërthamë është e rrethuar nga një shtresë e trashë, bisedash dhe opinionesh. Bashkëbisedimi – që ngjan më shumë me një grindje familjare që s’ka fund – ndodh në faqet e editorialeve dhe letrat drejtuar botuesve, në opinione dhe në debatet e të dielës në mëngjes, tek “O’Reilly Factor” dhe tek programet radiofonike të Rush Limbaugh dhe Don Imus, në blogjet në internet dhe në deklaratat e shtypit, në tryezat e ngrënies mbrëmjeve, në bare, në karikatura politike…

Dhe në barcaleta. Në dhjetë vitet e para si prezantues i “The Tonight Show”, Jay Leno tregoi më shumë se 4000 barcaleta për Bill Clintonin. Por, për secilën prej barcaletave të Jay Lenos, pikënisja ishte nga bërthama e hekurt. Bërthama ushqen edhe industrinë e argëtimit, e cila ka zërin e vet të fuqishëm në bashkëbisedimin kombëtar. Programet pothuaj-lajme në televizion, si “Today” dhe “20/20” shohin tek bërthama, për ide dhe frymëzim. Disa programe që i dedikohen vetëm argëtimit, si “The West Wing” (serial), vijnë direkt nga bërthama, dhe në të njëjtën kohë, edhe sitcom-et më idiote, apo fjalët më të pista në këngët e hip hop-it, janë shpesh të lidhura me bërthamën e hekurt, në një farë mënyre. Pavarësisht se ku ndodh bashkëbisedimi në lidhje me çështjet publike, është pothuaj gjithmonë një rrjedhojë e asaj “gjyleje” të hekurt.

Shqetësimi më i madh për ata që merren me lajmet, është se kjo bërthamë është në rrezik, kryesisht për shkak të telasheve që i kanë pllakosur biznesit të gazetave. Janë gazetat kombëtare që ofrojnë shumicën dërrmuese të lajmeve të bërthamës. 85% e lajmeve profesionale vijnë nga gazetat, por kam dëgjuar hamendësime nga burime të besueshme, që kjo shifër shkon deri në 95 %. Ndërkohë që njerëzit mund të mendojnë se lajmet i marrin nga televizioni apo interneti kur vjen fjala tek këto lloje lajmesh, janë pothuaj gjithmonë gazetat që kanë bërë raportimin e vërtetë. Çdo gjë tjetër është zakonisht thjesht një sistem shpërndarjeje, dhe ndërkohë që burimet për lajmet televizive kanë rënë dhe lajmet në radiot komerciale pothuaj janë zhdukur, impakti i vërtetë mbi lajmet e bërthamës së hekurt, ka ardhur prej telasheve ekonomike të gazetave.

Deri tani, bërthama e hekurt e lajmeve është mbrojtur disi nga në model ekonomik, që ka qenë në gjendje të sigurojë burime ekstra përtej asaj që lexuesit – dhe reklamuesit – do të ofronin financiarisht. Këto lloj lajmesh janë të vështirë të prodhohen, sidomos rpaortimet investiguese. Dhe ka tregues që shumë njerëz nuk janë të interesuar. Në ekonominë mediatike të të ardhmes, matësit e ftohtë do të përcaktojnë atë që duhet shpenzuar për lajmet. Përmasa dhe cilësia e bërthamës së hekurt do të jetë një pasqyrim i drejtpërdrejtë i asaj që audienca e saj do të mbështesë financiarisht. Do të sundojë Kërkesa, dhe kjo ndoshta do të thotë se si vend, do të humbasim shumë lajme. Do të flitet shumë, por lajmet serioze, të raportuar nga gazetarë profesionistë, “po ia mbathin” të frikësuar.

/Marrë nga Libri “Losing the News”, i autorit Alex S. Jones.

/Sjellë në shqip nga bota.al, në kuadër të serisë: 100 artikuj që çdo gazetar duhet t’i lexojë.

    Data: 17 Nentor 2017 11:09
    Autori: Alex Jones

    Të tjera