Kthehu lart

Shëndeti mendor dhe Sulmet e Panikut

Shëndeti mendor dhe Sulmet e Panikut Autori: Brikena Krasniqi-Hoti GazetaExpress

A jeni ndier ndonjëherë i pushtuar nga një frikë dërmuese, sikur nuk mund të mbusheni më frymë, një ngushtim në gjoks, marramendje, dridhje e gjymtyrëve, zemra ju ka rrahur aq shpejtë sa që u është dukur se po e humbni kontrollin dhe se do të vdisni?

Shëndeti ynë mendor dhe mirëqenia jonë emocionale është po aq e rëndësishme sa një këmbë e thyer apo një dhëmbë i prishur.

Kjo temë është e jashtë mase e anashkaluar dhe shumë pak flitet për vështirësitë emocionale ose çrregullimet psikike tek të rriturit.

Ato janë shumë me të përhapura se sa që ne mendojmë dhe janë prezentë edhe tek njerëzit tanë të afërm, por fatkeqësisht shumë pak flitet për to.

Kjo për shkak të stigmës, keqkuptimeve, frikës por edhe për shkak të mungesës së informatave dhe mos njohjes së këtyre simptomave.

Nëse mendoni se nuk e njihni askënd që vuan, mund t’ju duhet të shikoni më gjatë. Gjasat janë që e njihni dikë, por ka mundësi që ata po bëjnë një punë të madhe për të fshehur problemin. Ankthi, paniku, depresioni apo ndonjë sëmundje tjetër mendore e bën personin të jetë shumë i izoluar nga bota, dhe ka ardhur koha të thyejmë heshtjen dhe të fillojmë biseda të hapura rreth çrregullimeve mendore, në mënyrë që t’u bëjmë me dije atyre që përballen me këto vështirësi të tilla se nuk janë vetëm.

Të flasim për ankthin dhe sulmet e panikut. A jeni ndier ndonjëherë i pushtuar nga një frikë dërmuese, sikur nuk mund të mbusheni më frymë, një ngushtim në gjoks, marramendje, dridhje e gjymtyrëve, zemra ju ka rrahur aq shpejtë sa që u është dukur se po e humbni kontrollin dhe se do të vdisni?

Ka shumë mundësi që në këto raste te mendoni se keni pasur një sulm në zemër, për shkak se simptomat janë të ngjashme. Mjeku juaj shumë shpejtë mund t’ju tregoj se gjithçka është në rregull me zemrën tuaj. Të tjerët mund t’ju thonë se keni pasur një ditë të vështirë dhe se kjo ka qenë si pasojë e nervozës dhe shqetësimit të asaj dite.  Është më rëndësi të dini se ajo çfarë keni përjetuar është një Sulm i Panikut ose siq nijhet ndryshe ankthi i panikut.

Sulmi i Panikut në dallim nga Çrregullimi i Panikut

Vlerësohet se 3-5 % e popullatës së përgjithshme ka përjetuar së paku njëherë ne jetën e tij një Sulm të Panikut dhe kjo nuk paraqet ndonjë problem. Por kur Sulmet e Panikut janë të përsëritura dhe brengoseni vazhdimisht se ato mund të rishfaqen, kjo do të thotë se ju vuani nga Çrregullimi i Panikut, i cili është një formë e Çrregullimeve të Ankthit. Lajmi i mirë është që askush nuk ka vdekur nga ankthi apo nga sulmet e panikut. Mirëpo, nëse kjo gjendje lihet e patrajtuar, mund të përkeqësohet dhe të shkaktoj efekte të mëdha negative sa që mund ta bëjë të pamundur funksionimin e përditshëm të personit.

Simptomat e Sulmit të Panikut

Sulmet e Panikut janë episode të frikës dhe shqetësimit intensiv, të shoqëruara nga simptoma fizike, kognitive dhe emocionale, të cilat arrijnë kulmin për disa minuta dhe mund të zgjasin deri ne 20 -30 min dhe pastaj zhduken, të tilla si: rrahje të shpejta të zemrës, djersitje, dridhje, ngushtim në frymëmarrje, ndjesia se po ngulfateni, dhimbje në gjoks, nauze, marramendje, ethe, ndjesia e mpirjes së gjymtyrëve, derealizim (ndiheni si e shkëputur nga realiteti) ose depersonalizim (ndiheni si e shkëputur nga vetja), frika se po e humbni kontrollin dhe do të “çmendeni” si dhe frika se do të vdisni.

Sulmet e Panikut janë të paparashikueshme

Njerëzit që vuajnë nga Çrregullimi i Panikut do të kenë sulme paniku në baza të rregullta. Për disa, ajo mund të jetë dy herë në muaj, për të tjerët mund të jetë pothuajse çdo ditë, por këto sulme shpesh do të vijnë papritmas, pa shenja të dukshme paralajmëruese. Njerëzit që jetojnë me çrregullime paniku shpesh ndihen mirë një minutë, dhe krejtësisht jashtë kontrollit nga një sulmi tjetër paniku.

Shmangia apo ikja nga vendet apo situatat

Nëse keni përjetuar së paku një sulm paniku dhe jeni vazhdimisht i/e brengosur se në çdo moment mund të përjetoni një sulm të ri paniku, do ta keni të vështirë funksionimin e përditshëm. Si pasojë mund të filloni t’i shmangeni vendet apo situatat në të cilat e keni përjetuar më parë një sulm paniku nga frika se kjo mund të ndodhë përsëri (udhëtimi me transport publik, pritja në rend p.sh. ne bankë, qëndrimi në hapësira të mbyllura, udhëtimi vetëm larg shtëpisë, etj). Kjo mund t’ju bëjë të ndihemi i/e izoluar.

Shkaqet e Çrregullimit të Panikut

Nuk dihet me saktësi se çka e shkakton ose si vjen deri tek ky çrregullim, i cili shfaqet më shumë tek femrat se sa tek meshkujt, në proporcion 2:1. Kombinim i faktorëve gjenetik dhe atyre të mjedisit si dhe rrethanat e vështira jetësore të individit luajnë rol të madh, siç mund të jenë përjetimi i ngjarjeve traumatike.  Mendohet se personat që vuajnë nga ky çrregullim kanë më shumë aftësi ose ndërgjegjësim të shtuar për t’i identifikuar ndjesitë apo reagimet fiziologjikë në trupin e tyre, duke i interpretuar ato si te rrezikshme ose alarmuese , prandaj janë më vulnerabil nga ky çrregullim.

Nëse keni provuar mënyra të ndryshme ta tejkaloni këtë problem dhe vazhdoni t’i përjetoni këto simptoma, aq sa ua kanë dëmtuar kualitetin e jetës dhe funskionimin e përditshëm, bëni mirë të konsultohuni me psikologun klinik.

/Autorja është specialiste e Psikologjisë Klinike dhe Psikoterapisë


    Data: 24 Shkurt 2018 07:35
    Autori: Brikena Krasniqi-Hoti

    Të tjera