Kthehu lart

Poeti model për shumë breza

Poeti model për shumë breza Autori: Rajmonda Berisha GazetaExpress

Jeta ka rregullat e saj për të gjithë edhe Dritëro Agolli nuk i shpëton këtyre rregullave. Ai iku fizikisht, por mbeti i gjallë me veprën e tij…Kujtojmë vargjet e poezisë “Këtu s’do jem”: Mjafton që librin pak ta heqësh/ Dhe unë do zbres, do vij pas teje, dhe të krijohet një aspekt njohës në këtë proces, se të gjithë jemi vdekatarë. Por, Dritëro Agolli do të mbetet pishtar drite që shkëlqen në mesin tonë me veprat e tij

Vdekja! Kjo ogurzezë e paevitueshme, e cila po i rrëmben njerëzit pa pyetur. Kështu, rrëmbeu “padashur nga karvani” edhe poetin tonë Dritëro Agolli. Kumti i zi, i cili u përhap këto ditë, qe i pikëllueshëm dhe i dhembshëm. Lajmi i tillë trazoi zemrat e të gjithë dashamirësve dhe lexuesve të tij.

Dimë që në këtë jetë nuk ka asgjë absolute, gjithçka është relative. Njerëzit lëvizin, janë kalimtar në këtë botë, dhe vdekja është e pashmangshme.

Ndarja nga jeta është shumë e hidhur, një trishtim i thellë. Ngjashëm e hidhur dhe e trishtë erdhi edhe ndarja e poetit dhe shkrimtarit të shquar Dritëro Agolli. Fatkeqësisht atë e mori vdekja, por veprimtarinë e tij jo. Asesi, nuk e shuan vdekja atë thesar të shtrenjtë, që ne e gëzojmë sot - veprën e tij kolosale.

Jo me kot, shkruan poeti, që kur të jemi merzitur dhe të na marrë malli, ta kërkojmë në raft të librave: Aty do jemi i fshehur unë/ Në ndonjë fjalë a ndonjë shkronjë. Pra, mjafton të hapim librin dhe aty të na shfaqet “i gjallë” Dritëroi ynë.

Dritëro Agolli është poet dhe shkrimtar i natyrës, gëzimit, jetës, dashurisë, dëfrimit, dehjes: Ç’thua plakush./ Të pimë e të thurim varg?/ Pija e shtrenjtë, vargu i lirë. Është  poet i tokës, dhimbjes e dashurisë, një poet i gjithanshëm. Ku përveç në poezi, pena e tij e artë shkëlqeu edhe në poema, tregime, romane, dramë, skenar filmash etj.

Sa herë përmendet emri tij, është e pamundur të mos na vijnë në mendje poezitë si: Sikur s’jetoj në vendin tim, Është koha, Pelegrini, Trishtimi, Kur të jesh mërzitur shumë, Poemë për babanë dhe për vete, Afërsisht e di, etj.

Poezia e tij është e gjerë dhe e larmishme, aty gërshetohen natyrshëm dashuria e dhimbja, tragjikja e komikja, gjërat e thjeshta dhe madhështore, raporti vetjak me botën, humori, koha dhe kuptimi saj, të shkruara me një gjuhë të pasur figurative. Derisa lexon poezinë agolliane, është e pamundur të mos e përjetosh praninë e muzikalitetit që e karakterizon vargun e tij.

    Dritëro Agolli është poet, i cili shumë e deshi dashurinë dhe jetën. Duke himnizuar kultin e dashurisë, shkruan: Unë jam i burgosuri yt/ Rroj me prangat që ti më ke vënë /…Kur ti prangat m'i hodhe në mish/ Unë i putha duart e tua…Hidhmi duart në fyt, torturomë/ Ky burgim sa do zgjasë s'e di/ I përjetshëm do kisha dëshirë/ Veç ti eja me shih në qeli/ Të përndjekurit tënd i vjen mirë. Vargje këto, që zbulojnë konceptin e poetit mbi dashurinë, si një ndjenjë e përhershme me rrahje të furishme dhe të forta të zemrës.

Natyrshmëria në shprehjen e mendimeve, emocioneve dhe ndjenjave që burojnë fuqishëm, e afron poetin me lexuesin. Shpërthimi i këtyre ndjenjave, si shprehje e dashurisë së thellë, vihet dukshëm te poezia për atdheun. Shohim në mënyrë koncize, notat ekzaltuese, që himnizojnë bukuritë e vendit, me një shprehje të lartë artistike në vargjet: Ti sytë lan në mëngjes me ujin e krojeve të malëve/ Ti lleret lemon në mëngjes me shkumën e deteve,/  Ti faqet fshinë me peshqirin e madh të livadheve,/ Ti flokët lyen me lëngun e luleve të bjeshkëve/... Këto vargje me shprehje metaforike, të poezisë “Nënë Shqipëri”, të te madhit Dritëro, kanë një fuqi që të josh. Janë një perlë që të ngrehin zemrën peshë.

Pra, Agolli krijon vargje plot emocion kur i thur vargje tokës:  O toka ime që të lërova e të thura këngë,/ Që të kam dashur plisin dhe barin,/ Që të kam fshirë me duar, me mëngë, Në ç’vend ma le varrin? Ai, është poet i tokës, i cili gjithmonë e lidh kokën për tokën.

Rruga e tij krijuese gjatë shtigjeve të jetës ishte herë e trazuar herë e qetë. Jo rrallë herë poezia e tij ka edhe ngjyrim politik, për të cilën u fajësua dhe kritikua shumë herë. Shkrimtari nuk heziton të tregojë anët e errëta të medaljes, t’i pasqyrojë me një lakuriqësi. Ku vërehet qartë patosi i fuqishëm parodik, që e përshkon poezinë “Plazhi”. Ç’qe kjo hata e madhe që bëre, o plazh?/ Të gjithëve rrobat si fletët e pemëve ua hoqe,/ I le lakuriq, i shtrive në shesh pash më pash/ Dhe qetë- qetë në skarën tënde të nxehtë i poqe!... Përmes plazhit, poeti nxjerrë lakuriq njeriun e pushtetit para tjerëve. Nën aureolën e humorit, ironisë, demaskon realitetin shoqëror. Realiteti i hidhur me halle të shumta, ngjalli te poeti revoltën kundër dukurive të shëmtuara shoqërore.

Ndonëse poezitë përcjellin dhimbje të thellë, poeti nuk bie në dëshpërim, përkundrazi një dëshirë dhe vrull i brendshëm i jep vargut forcë të madhe, i cili kthehet në kushtrim për të ndryshuar realitetin.

Gjithashtu, bie në sy krijimi i vargjeve të goditura “për lajkatarët, rrenacakët e smirëzinjt”, ku poeti shprehte ato ndjenja që trazonin botën e tij të brendshme shpirtërore:  Ju që baltë po hidhni mbi mua/…Balta ngrihet mbi mua e pasur. Vargje të tilla zbulojnë një zemërim të brendshëm të poetit, i cili shpërthen me vrull: Po unë mallkimet aspak s´i kam dashur,/ Veç shfryj rrallë-rrallë kur jam buzëplasur. Jo se e deshën të gjithë, por të mohohet vlera e artit të tij është e pamundur. Shkrimtari i vetëdijshëm për kundërshtaret që kishte: “e di që pas vdekjes sime disa do kënaqen” i vetëdijshëm për rëndësinë e punës së vet, shkruan:  “E di se gëzimi i tyre i shkurter do jetë/ Pas vdekjes u kam për tu dalë/ Me nofulla të rrjepura nga qindra faqe e fletë/ “Jam gjallë, a doni të hamë së bashku një ngjalë?”

Gjendja emocionale e subjektit lirik është dramatike, por poeti është realist. Ai i vetëdijshëm për vlerat e veprës së tij që nxisin xhelozi tek poetet tjerë shkruan: Këta që vdekjen ma ngjallin janë poetet/ Poetet me njeri-tjetrin nuk duhen kurrë! Por ka edhe të tjerë, madje edhe shumë/ që thonë: “Ende ky gjallë”. Mirëpo, Dritëro Agolli nuk i trembet as vdekjes. Me humorin dhe karizmen e tij edhe vdekjen na e bën të afërt. I njohur nga të gjithë si njeri mikpritës që ka qenë, ai i tillë është edhe për vdekjen: “Veç me vdekjen s’jam takuar kurrë/ Ndaj e pres nderuar në shtëpi/ Për respekt një qengj manar në furrë/ Për humor një shishe me raki…

Jeta ka rregullat e saj për të gjithë edhe Dritëro Agolli nuk i shpëton këtyre rregullave. Ai iku fizikisht, por mbeti i gjallë me veprën e tij…Kujtojmë vargjet e poezisë “Këtu s’do jem”: Mjafton që librin pak ta heqësh/ Dhe unë do zbres, do vij pas teje, dhe të krijohet një aspekt njohës në këtë proces, se të gjithë jemi vdekatarë. Por, Dritëro Agolli do të mbetet pishtar drite që shkëlqen në mesin tonë me veprat e tij. 

    Data: 16 Shkurt 2017 11:54
    Autori: Rajmonda Berisha

    Të tjera