Kthehu lart

Nëntë mënyra si ta duash Kosovën

Nëntë mënyra si ta duash Kosovën Autori: Faton Abdullahu GazetaExpress

Kosova është shtet multietnik, por nuk ka heronj multietnik për këtë realitet juridik. Prandaj Kuvendi i Kosovës, për dallim nga të gjitha foajet dhe sallat e Kuvendeve të shteteve të ndryshme, është pa foto, pa skulptura, pa buste pa piktura të heronjve të vendit tonë. Prandaj ata i gjen në rrugët e Kosovës, ligjërisht si gjysmë-klandestinë. Në Prishtinë Skënderbeun, në Mitrovicë Car Lazarin, në Mamush Ataturkun

1)   Ta duash Kosovën si duhet dhe t’ia duash asaj të mirën, duhet t’i duash edhe të gjithë ata që nuk janë shqiptarë, por që jetojnë me ne në këtë vend dhe e ndajnë të mirën dhe të keqen bashke me ne. Ne shqiptarët kemi traditë të gjatë të bashkëjetesës me ata që jetojnë në këtë vend, por kemi traditë shumë të shkurtë, por edhe të varfër, të përkujdesit institucional për të drejtat, për jetën dhe për të ardhmen e jo shqiptarëve në Kosovë. Është hera e parë në historinë e këtij vendi që, neve si shumicë, na bie barra e plotë që ta kemi obligim shtetëror, përkujdesin për jo shqiptarët. Kjo është përgjegjësi shtetndërtuese. Kjo është sprovë historike për ne. Në këtë drejtim jemi duke folur dhe shkruar (nxjerrë ligje) shumë më shumë se që jemi duke bërë.

2)   Nuk mund ta duash Kosovën pa i dashur edhe shqiptarët tjerë në Ballkan. Kosova është pjesë e pandashme e kësaj tërësie. Kjo nënkupton ta duash gjuhën shqipe, flamurin shqiptarë, kulturën dhe traditën shekullore shqiptare. Këtë duhet kuptuar si përpjekje pragmatike për ta mbajtur gjallë lidhjen me (atdhe) dashuri, kundër ndarjes dhe tjetërsimit të shqiptarëve që është krijuar dhe mbajtur në Ballkan me urrejtje. Kjo dashuri sjell dhe shton siguri dhe paqe në këtë rajon, që dikur me decenie është ndërtuar mbi tragjedinë e copëtimit tonë. Këtë nuk duhet mohuar as komuniteteteve pakicë në Kosovë, në raport me vendet e tyre amë.

3)   Ta duash Kosovën duhet ta duash, çmosh dhe kultivosh tolerancën fetare. Jo vetëm tolerancën fetare ndërshqiptarët, por edhe me fetë e të tjerëve në vendin tonë. Pak fe Kosovës i duhet shumë, shumë fe nuk i duhet aspak. Si e tillë kjo kategori nuk ka masë matëse, as nuk mund të vlejë e përcaktohet për individin, por për shtetin dhe shoqërinë tonë duhet të ketë, dhe atë duke mbetur brenda kornizës ligjore e sekularizmit si vlerë evroperëndimore. Në këtë aspekt, nuk duhet përjashtuar e le më anatemuar as ateistët, as ata që nuk praktikojnë ndonjë fe, por që mund të besojnë në diçka. Në anën tjetër, më shumë islam në Kosovë nuk do të thotë më shumë prouesternizëm dhe më afër vlerave evro-perëndimore. Por, as më pak islam dhe sidomos kundërislam në Kosovë, nuk e begaton këtë rrugëtim, sepse mund ta ndërlikoj dhe vonoj.

4)   Kosovën nuk mund ta duash, as edhet t’i bësh mirë asaj, pa e aspiruar plotësisht dhe pa medyshje dhe pa e kuptuar drejt, domosdonë kruciale për rreshtimin e saj properëndimor. Aspirata për ta bërë Kosovën plotësisht pjesë të familjes së kombeve perëndimore, duhet kuptuar si detyrë të re patriotike. Nuk mund t’i bësh mirë Kosovës pa e aspiruar këtë qëllim. Ky përcaktim duhet të aspiroj edhe mënyrën e të jetuarit “way of life”  perëndimor. Të qenët properëndimor, edhe më konkretisht proamerikanë, për Kosovën dhe për qytetarët e saj, tashmë nuk është vetëm përcaktim politik, gjeostrategjik, as edhe vetëm ideologjik (liberal- demokraci) tash kjo është bërë pjesë e pandashme e identitetit të saj nacional dhe ekzistencës si shtetit. Prouesternizmi është bebëza e identitetit shqiptar dhe e identitetit shtetëror të Kosovës. Ky përcaktim nuk ka alternativë.

5)   Ta duash Kosovën duhet dashur e çmuar ata që u flijuan për te. Por para se t’i duash ata duhet t’i njohësh. Nga të gjithë ata që janë flijuar për vendin tonë, heronjtë, dëshmorët dhe rezistuesit, në luftën e fundit, janë më me fat. Ata janë përkujtuar më së shumti, ata janë respektuar më së shumti, për ata janë ngritur më së shumti përmendore, emëruar rrugë e institucione, shkruar memoare, e bërë dokumentare, etj. Por ky nuk ishte fat që ata kishin përzgjedhur për flijimin e tyre. Jo, këtë e determinoi pavarësia që dhe mundësi për t’i trajtuar ata si duhet. Natyrisht se kalimi i kohës në njërën anë dhe interesat e ngushta në anën tjetër (përkujtohen e lartësohen dëshmor e hero të luftës së fundit sot nga pushtetarët, për të siguruar vota e mbështetje nga familjarët e tyre) kanë bërë që e kaluara e lavdishme dhe heronjtë e atyre kohërave, të mos përkujtohet aq sa e meritojnë sot. Na mbetet që këtë defekt, ta korrigjojmë me urti në të ardhmen. Në anën tjetër shteti i Kosovës në këtë aspekt është i hendikepuar. Kosova është shtet multietnik, por nuk ka heronj multietnik për këtë realitet juridik. Prandaj Kuvendi i Kosovës, për dallim nga të gjitha foajet dhe sallat e Kuvendeve të shteteve të ndryshme, është pa foto, pa skulptura, pa buste pa piktura të heronjve të vendit tonë. Prandaj ata i gjen në rrugët e Kosovës, ligjërisht si gjysmëklandestinë. Në Prishtinë Skenderbeun, në Mitrovicë Car Lazarin, në Mamush Ataturkun.

6)   Pagesa e taksave është sjellje dhe kulturë institucionaliste e qytetarit, shprehje e vjetër e respektit, kujdesit dhe dashurisë për shtetin. Me traditë dhjetëvjeçare të pasjes së shtetit, ky obligim nuk është bërë ende mendësi e të vepruarit institucionalist tek ne. Mos pagimi i taksave dikur ndër ne, ka qenë në njëfarë mënyre formë e shprehjes së pakënaqësisë, revoltës por edhe e përpjekjes së dobësimit të shtetit (ve) ku kemi jetuar. Diskriminimi institucional në shtetet ku kemi jetuar më parë, i cili na është bërë vazhdimisht dhe vrazhdë, bishtërimin e pagimit të taksave e ka kthyer në një lloj patriotizmi antishtetëror. Këtë traditë të gjatë shekullore nuk është e lehtë për ta ndryshuar për dhjetë vite. Por ky ndryshim, do të jetë dëshmi e mirë se, kemi filluar përnjëmend ta duam këtë vend.

7)   Respektimi i Kushtetutës dhe ligjeve është një tjetër premisë për ta dashur Kosovën. Është krejt e kuptueshme se për një vend si Kosova, kohë të gjatë e robëruar dhe kohë të gjatë me ligje diskriminuese ndaj qytetarëve të saj, mentaliteti i respektimit të aktit më të lartë juridik, Kushtetutës dhe ligjeve tjera, nuk ka mundur të kultivohet. Përkundrazi, mos respektimi dhe vënia ndesh me ligjet, për shqiptarin në Kosovë, ka qenë shpesh formë e shprehjes së patriotizmit. Kjo duhet të ndryshoj, larg më shpejt se që po ndodh. Në anën tjetër ne, nuk mund të pretendojmë se mund dhe duhet ta respektojmë Kushtetutën tonë me konsekuencën dhe fanatizmin me të cilin e duan dhe e respektojnë qytetarët e shteteve me Kushtetuta të vjetra shumë vite e dekada e besa edhe shekuj. Kjo për faktin se rrethanat kur u krijua Kushtetuta e Kosovës, lë shumë për të dëshiruar, në kuptimin e shprehjes së plotë dhe të lirë të vullnetit politik dhe jo vetëm, të qytetarit të Kosovës. Prandaj ky respekt i Kushtetutës së Kosovës duhet të shprehet edhe me dëshirën për ta ndryshuar atë, në të mirë të forcimit të shtetësisë dhe sidomos demokratizmit të shoqërisë dhe të ardhmes së vendit tonë.

8)   Njerëzit që jetojnë jashtë Kosovës, të njohur më shpesh si gyrbetqarë, janë pjesë vitale e vendit tonë. Kjo kategori e njerëzve tanë, është e madhe në numër dhe si tërësi aktive shumë e vjetër në kohë. Një Kosovë tjetër,, jeton gjithandej në vende të ndryshme të botës, sidomos Evropës. Është përgjegjësi tashmë shtetërore dhe qytetare që të mbajmë lidhje aktive dhe kreative me këtë Kosovë. Në përpjesëtim me numrin e banorëve pak janë vende në botë të cilat kanë numër kaq të madhe qytetarësh që jetojnë jashtë, realitet ky i determinuar nga dhuna shtetërore dhe varfëria e imponuar me diskriminim. Gyrbetqarët tanë sot janë ushtria e ekonomisë kosovare e dinjitetit të vendit tonë. Mbajtja e lidhjeve ma ata është rritje e sigurisë dhe forcës tonë në të gjitha fushat. 

9)   Për Kosovën duhet të kesh dhembshuri. E kaluar e saj me hile të gjata dhe padrejtësi të vrazhdët dhe e tashmja e brishtë, duhet të të ngjallë këtë ndjenjë brenge, disi ngjashëm si të nënës për të bijën. Por, po ajo e kaluar dhe gjithsesi edhe e ardhmja e saj, duhet të të ngjallë besim të fortë dhe krenari pa fund, disi ngjashëm si të babës për birin tek e sheh se po rritet e po bëhet burrë. Krejt këtë për ta dashur Kosovën, për të punuar shumë e ndihmuar pandalshëm edhe të tjerët. Sot, disi me kujdesin, si ndaj një foshnje të brishtë e të vogël, kurse gjithmonë me krenarinë që të prek deri në lot, si të Majlindës kur u ngrit më së larti flamuri i Kosovës në Olimpiadë.

    Data: 15 Shkurt 2018 14:15
    Autori: Faton Abdullahu

    Të tjera