Kthehu lart

Megafarsa e Shpendit

Megafarsa e Shpendit Autori: Fatmir Haxholli GazetaExpress

Le të ndalemi te së paku tre konstatime për Shpendin si profil dhe si kryetar. Së pari, qeverisja me kryeqytetin nuk është deklaratë as retorikë, por është pasion dhe angazhim konsistent. Së dyti, në tentativën për ndryshim, qytetarët e Prishtinës nuk duhet të ngatërrojnë lëvizjen anti-establishment me nevojat dhe kërkesat ditore të kryeqytetit të mbi-ngarkuar. Kryeqyteti ka nevojë për projekte zhvillimore. Së treti, Ahmeti nuk ka arritur të ndërtojë ndonjë platformë apo forcë për ndryshim, rrjedhimisht Shpendi do të jetë ‘viktima’ e parë e kërkesës për ndryshim, përderisa ndryshimin do ta bëjnë të tjerë

Zgjedhjet e fundit në kryeqytet u portretizuan si zgjedhjet e ndryshimit. Doli të ishte farsë. Prishtinasit synuan ndëshkimin e ‘konformizmit’, të asaj që ata e shihnin si dominim total të Lidhjes Demokratike të Kosovës. Pothuaj në të gjitha komunat, jo vetëm në Prishtinë, gara u koncentrua mes kandidatëve që shiheshin si potencial për ndryshim, duke i hendikepuar edhe kandidatët e rëndësishëm nga partitë e tjera. Duke qenë se Partia Demokratike e Kosovës nuk po arrinte dhe nuk kishte shpresë se mund ta fitonte kryeqytetin, fati trokiti në derën e një figure që kombinonte mirë energjitë e strukturave politike të pa-shpresa. Ata që nuk shpresonin në fitore ndaj LDK-së, si të bashkuar, doli të ishin shumë. Mësimi për strukturat lokale të Lidhjes Demokratike të Kosovës doli të ishte fakti që konformizmi ka një kosto të lartë, sidomos në foto-finish.

I ardhur nga një sfond urban, politikisht i matamorfuar në një lëvizje që nuk po arrinte të prodhonte lider lokal dhe e cila nuk po mund të katapultohej në pushtet, Shpend Ahmeti po aq sa edhe Lëvizja Vetëvendosje, garën në Prishtinë e kishin sine-qua-non. Dihet botërisht që më së forti luftojnë ata që rrezikojnë mbijetesën. Në esencë, kjo nuk ishte fitore e Shpendit dhe Vetëvendosjes, më tepër ishte një lloj lëvizje anti-establishment. Ingridenti i anti-establishmentit, jo vetëm në Kosovë, së voni po del të jetë gjithçka populiste që nuk merr shumë parasysh ndër-varshmërinë dhe kompleksitetin e qeverisjes. Të mos gabohemi, ingrident nuk janë as të vërtetat e thjeshta. Anti-establishmenti nuk është koncept, as projekt, thjeshtë është një formulë eksperimentale me shumë paqartësi.

Për më shumë, projekti i tij politik nuk ishte asgjë tjetër veçse një plan i vendosjes së shënjuesve në projekte që asokohe ishin në zbatim e sipër nga qeverisja e Lidhjes Demokratike të Kosovës me komunë. Ky nuk është mëkati më i madh, në fakt Ahmeti dhe LVV manovruan mirë me një lloj lodhje dhe apatie te të rinjtë në Prishtinë. Thjeshtë po del se u krijuan shpresa të rrejshme. Kësisoj, Ahmeti dhe LVV në njëfarë mënyre energjizuan pritjet ndër ata që nuk ishin të kënaqur me zhvillimet apo jetën në Prishtinë, duke mos e njohur faktin se valët e detit janë të bukura për t’u parë nga bregu, por nuk është e këndshme të jesh i përplasur nga to. Valët e shkundën Shpendin.

Sikurse qeverisja në secilin kryeqytet, përtej përparësive që ofron, ajo është komplekse dhe sfiduese, në veçanti për një lidership që vjen nga një sfond krejt tjetër. Kjo bëhet akoma më e rënduar kur lidershipi lokal këmbët i mbanë në komunë ndërsa mendjen e ka në qeveri. Modelet në rajon na tregojnë që lidershipi i kryeqytetit duhet të jetë pragmatik, inovativ dhe bashkëpunues në mënyrë që të arrijë kohezion dhe zhvillim. Modelet e tjera tregojnë që zhvendosja nga agjenda e punëve të kryeqytetit në tema të nivelit nacional dhe politika partiake, rrezikojnë edhe projektet e kryeqytetit edhe bashkëpunimin ndër-institucional. Kjo rrezikon hapërimin e trendeve me kryeqytetet tjera, dëmton arritjet e përgjithshme të vendit, sikurse pengon zhvillimin drejt një kryeqyteti funksional i cili ofron shërbime dhe standard për qytetarë dhe vizitorë. Shembull, ndryshe nga modeli paraprak, modeli aktual në Tiranë tregon që qeverisja me kryeqytetin nuk është thjeshtë punë, është pasion, inovacion dhe gjithpërfshirje.

Nëse krijojmë një hartë të përgjithshme të qeverisjes së deritashme me kryeqytet, mund të themi që shumicën e kohës dhe energjisë, kryetari i Prishtinës e ka shpenzuar duke mbajtur shikimin prapa, gjë që nuk i ka lejuar që të zhvillojë një perspektive të re qeverisëse dhe as të ofrojë ndonjë model të ri. Shikuar në tema të rëndësishme, kjo ka reflektuar me dëmtimin e bashkëpunimit brenda-institucional, duke injoruar faktin që kryetari ka si mandat të gjenerojë dialog, pranueshmëri dhe përkrahje politike dhe publike. Në nivel ndër-institucional, secili proces apo procedurë nga ana e tij është interpretuar si armiqësi politike, duke mos u ndalur në ndërtimin e një komunikimi konstruktiv politik e institucional. Qëllimi i tij ishte ndërtimi i përkrahjes mbi polarizime. Po shihet se mbi këtë frymë, Ahmeti dhe ekipa e tij dëshirojnë të ndërtojnë edhe një fushatë. Sektorin më të rëndësishëm të zhvillimit, atë privat e ka parë dhe trajtuar vetëm nga këndvështrimi i shkeljes dhe abuzimit të ligjeve, duke mos marrë në konsideratë potencialin për hapjen e shtigjeve të reja për partneritet në zhvillim të kryeqytetit. Pavarësisht një entuziazmi fillestar për vendosjen e rregullit urban, kjo nuk është përcjellë me një qasje proaktive për ofrimin e zgjidhjeve dhe interesit për investitorët potencial. Rrjedhimisht kjo e ka stagnuar zhvillimin urban dhe rritjen ekonomike të kryeqytetit.

Tashmë në heshtje, lidershipi i komunës e pranon se problemet me të cilat përballet kryeqyteti nuk mund të adresohen me zgjidhje të lehta siç pretendohej para ardhjes në qeverisje. Ta zëmë, mungesa e ligjit për kryeqytetin e mban Prishtinën në një status quo e cila nuk i mundëson funksionalitet të plotë. Tutje, gjenerimi i të hyrave dhe shpenzimi i buxhetit kërkon eksplorimin e opsioneve përtej kornizave të deritanishme ligjore dhe institucionale, të cilat komuna e vetme nuk mund t’i zhvillojë. Për pasojë, bartja e disa miliona eurove, nga viti në vit, nuk i përgjigjet nevojave të mëdha të kryeqytetit. E për më shumë, korniza aktuale buxhetore nuk i ofron opsione zhvillimore. Në këtë frymë, përtej premtimeve modeste të fushatës së tij, projektet e mëdha të qeverisjes paraprake me Prishtinë vetëm se kanë marrë jetë. Përtej autobusëve, të gjitha projektet e mëdha ishin projekte strategjike afatgjate të qeverisjes paraprake, siç ishin projekti i furnizimit me ujë apo kogjenerimi.

Por përtej kësaj, Shpendi ka dështuar në ofrimin e zgjidhjeve të mëdha sikurse është mobiliteti, parkingjet të mbetura në letër, funksionaliteti i lagjeve, e të mos flasim për unazën e madhe apo projekte që i japin frymë kryeqytetit. Madje ka dëshmi të dështimeve infrastrukturore, sikurse projekti i platos në Dardani. Së voni, kryetari i komunës i është kthyer problemeve reale për banorët e ndërtesave kolektive, por problemet vazhdojnë të mbesin të mëdha. Ahmeti ka funksionalizuar qendrat e mjekësisë familjare, por njëkohësisht ka dështuar të projektojë spitalin rajonal. Në vazhdë të komprometimit të sukseseve, Ahmeti ka realizuar pjesërisht infrastrukturën arsimore, veçmas kopshtet; por depolitizimin procedural e ka zëvendësuar me politizim funksional të këtij sektori. Në funksion të qeverisjes së mirë, përmirësimit të shërbimeve dhe digjitalizimit, nuk ka harruar edhe faktin e injektimit të militantëve përmes kontratave anti-ligjore.

Atëherë, në vend të përmbylljes, le të ndalemi te së paku tre konstatime për Shpendin si profil dhe si kryetar. Së pari, qeverisja me kryeqytetin nuk është deklaratë as retorikë, por është pasion dhe angazhim konsistent. Së dyti, në tentativën për ndryshim, qytetarët e Prishtinës nuk duhet të ngatërrojnë lëvizjen anti-establishment me nevojat dhe kërkesat ditore të kryeqytetit të mbi-ngarkuar. Kryeqyteti ka nevojë për projekte zhvillimore. Së treti, Ahmeti nuk ka arritur të ndërtojë ndonjë platformë apo forcë për ndryshim, rrjedhimisht Shpendi do të jetë ‘viktima’ e parë e kërkesës për ndryshim, përderisa ndryshimin do ta bëjnë të tjerë.

Autori është anëtar i degës së IV-të, LDK, Prishtinë

    Data: 20 Prill 2017 18:05
    Autori: Fatmir Haxholli

    Të tjera