Lufta e Dytë e Ftohtë

Një çerek shekulli pas përfundimit të Luftës së Ftohtë, bota papritur e gjen veten në një luftë të dytë. Kjo situatë ishte tërësisht e shmangshme dhe nuk është në interes të asnjërës palë që tensionet të përshkallëzohen më tutje

Richard Haass

Lufta e ftohtë zgjati katër dekada dhe në shumë mënyra filloi dhe përfundoi në Berlin. Lajmi i mirë është që ai qëndroi e ftohtë – kryesisht për shkak se armët bërthamore imponuan disiplinë, gjë që mungonte në rivalitetet e mëparshme mes fuqive të mëdha – dhe për shkak se Shtetet e Bashkuara, bashkë me aleatët e vet në Europë dhe Azi, dolën fitimprurës, për shkak të përpjekjeve të tyre të forta politike, ekonomike dhe ushtarake, të cilat Bashkimi Sovjetik i qeverisur rëndë nuk mund t’i konkurronte.

Një çerek shekulli pas fundit të Luftës së Ftohtë, ne papritur e gjejmë veten në një të dytë të tillë. Kjo është njëkohësisht e ndryshme dhe e ngjashme. Rusia nuk është më një superfuqi, por më së shumti një vend prej 145 milionë banorësh me ekonomi të varur nga çmimet e naftës dhe gazit dhe pa ideologji politike të vlefshme për ta ofruar nëpër botë. Pavarësisht kësaj, ajo mbetet një nga dy shtetet më të fuqishme me armë bërthamore, që ka një ndenjëse të përhershme në Këshillin e Sigurisë së OKB-së dhe që është e gatshme të përdorë ushtrinë, energjinë dhe kapacitetet kibernetike në mbështetje të miqve dhe në dobësim të fqinjëve dhe kundërshtarëve.
Kjo situatë ishte tërësisht e shmangshme. Fundi i Luftës së Ftohtë pritej të sillte një epokë të re lidhjes miqësore mes Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara e Europës. Mendohej gjerësisht se Rusia post-komuniste do të përqendrohej te zhvillimi ekonomik dhe politik. Dhe marrëdhëniet nisën me të mira kur Rusia, në vend që të mbështeste klientin e vet të vjetër Irakun, bashkëpunoi me SHBA-në në ndëshkimin e Sadam Huseinit për pushtimin e Kuvajtit.
Vullneti i mirë nuk zgjati shumë. Se pse ndodhi kjo do të vijojë të debatohet mes historianëve për shumë dekada. Disa vrojtues do t’ia hedhin fajin presidentëve të ndryshëm të SHBA-së, duke treguar mungesën e mbështetjes ekonomike për Rusinë që vuante, dhe akoma më shumë do të kritikojnë zgjerimin e NATO-s, gjë që, duke e trajtuar Rusinë si një kundërshtar potencial, rriti probabilitetin që Rusia të bëhej me të vërtetë e tillë.
Është e vërtetë se SHBA mund të tregohej më bujare me Rusinë ndërsa ky vend bënte tranzicionin e dhimbshëm drejt ekonomisë së tregut në vitet 1990. Nuk është e qartë nëse zgjerimi i NATO-s ishte i parapëlqyer ndaj organizimeve të tjera të sigurisë në Europë, organizime që mund të kishin përfshirë Rusinë. Pasi të themi këtë, duhet të shtojmë se pjesa më e madhe e fajit për rishfaqjen e Luftës së Ftohtë të dytë i përket Rusisë, dhe mbi të gjitha, Vladimir Putinit. Si shumë nga paraardhësit e tij, Putini e pa botën e dominuar nga SHBA si kërcënim ndaj pushtetit të tij dhe asaj që e shihte si pozicioni që i takon vendit të tij në botë.
Rusia në vitet e fundit ka përdorur forcat e veta të armatosura për të sulmuar, pushtuar dhe aneksuar Krimenë, në një proces që ka dhunuar parimin themelor të ligjit ndërkombëtar, që thotë se kufijtë nuk duhet të ndryshohen me forca të armatosura. Putini vijon të përdorë mjete ushtarake të fshehta për të destabilizuar Ukrainën Lindore, Gjeorgjinë dhe disa pjesë të Ballkanit. Dhe Rusia përdori forcat ushtarake në mënyra veçanërisht brutale në Siri për të mbështetur regjimin rrëqethës të Bashar al-Assad.
Rusia e Putinit punoi gjithashtu shumë që, sipas fjalëve të Këshilltarit Special të SHBA-së Robert Mueller, të kryente “mashtrim dhe hile me synimin e ndërhyrjes në proceset politike dhe elektorale të SHBA-së, përfshirë zgjedhjet presidenciale të vitit 2016.” Krerët e shërbimeve të inteligjencës së SHBA-së e kanë bërë të qartë se ata presin përpjekje të tilla të mëtejshme deri në zgjedhjet kongresuale të mesit të mandatit në Nëntor.
Ndërsa Rusia është bërë një vend revizionist, me shumë pak fshehje të dëshirës për të përmbysur status quo-në me çfarëdolloj mjetesh që ajo e sheh të nevojshme, përforcimi i mbrojtjes në Europë dhe ofrimi i armëve vdekjeprurëse për Ukrainën është një përgjigje e logjikshme. Por çfarë duhet të bëjë tjetër SHBA përtej reduktimit të dobësive të makinerive të votimit dhe kërkimit të firmave të teknologjisë që të marrin masa për të ndaluar qeveritë e huaja nga përpjekjet për të ndikuar politikën në SHBA?
E para, amerikanët duhet të pranojnë se mbrojtja nuk është e mjaftueshme. Kongresi ka të drejtë që bën thirrje për sanksione shtesë dhe Donald Trump e ka gabim kur refuzon të zbatojë sanksionet që Kongresi ka miratuar sakaq.
Qeveria e SHBA ka nevojë gjithashtu të gjejë zërin e duhur dhe të kritikojë regjimin e Rusisë që arreston kundërshtarët dhe dyshohet se vret gazetarët. Nëse Trump, për çfarëdolloj arsyeje, vijon të përkëdhelë Rusinë, atëherë Kongresi, media, fondacionet dhe akademikët duhet të detajojnë publikisht korrupsionin që karakterizon sundimin e Putinit. Qarkullimi i një informacioni të tillë e rrit opozitën e brendshme ndaj Putinit, e shtyn atë të vetëpërmbahet nga ndërhyrjet e mëtejshme në politikën e SHBA-së dhe të Europës, dhe, me kalimin e kohës, fuqizon forca më të përgjegjshme brenda Rusisë.
Në të njëjtën kohë, objektivi nuk duhet të jetë t’i japim fund asaj pak që mbetet nga miqësia SHBA-Rusi, e cila sakaq është në gjendje më të keqe nga sa qe për një pjesë të madhe të kohës së Luftës së parë të Frohtë. Bashkëpunimi diplomatik duhet të kërkohet kurdo që është e mundshme dhe në interes të Amerikës. Rusia mund të jetë sakaq e gatshme të ndërpresë ndërhyrjen në Ukrainën Lindore në shkëmbim të heqjes së pjesshme të sanksioneve dhe nëse ajo mund të sigurohet se rusët etnikë nuk do të përballen me hakmarrje.
Në mënyrë të ngjashme, Kremlini nuk ka interes për përshkallëzim ushtarak në Siri, gjë që mund të rrisë koston aktualisht relativisht modeste të ndërhyrjes së Rusisë atje.
Në të njëjtën kohë, mbështetja e Rusisë nevojitet për të përforcuar sanksionet kundër Koresë së Veriut. Dhe ruajtja e marrëveshjeve për kontrollin e armatimeve dhe shmangia e një gare të re me armë bërthamore mund të jetë në interes të të dyja vendeve.
Ka kështu një argument në mbështetje të takimeve të rregullta diplomatike, shkëmbimeve kulturore dhe akademike dhe vizita në Rusi nga delegacione nga kongresi – jo si një nder, por si një mjet për të bërë të qartë se shumë amerikanë janë të hapur për marrëdhënie më normale me Rusinë, në rast se Rusia sillet me vetëpërmbajtje, SHBA dhe partnerët e vet kanë më shumë gjëra në lojë në vetëpërmbajtjen e Rusisë për sa kohë Putini mbetet në pushtet – dhe gjërat në lojë janë të ndryshme në kohën pasi Putinizmi të ketë ikur.
 
/ Project Syndicate

Të tjera

Lajmet e fundit