Kthehu lart

Letër deputetit!

Letër deputetit! Autori: Besart Rexhepi GazetaExpress

Njeriu nuk mund të zbulojë oqeane të reja, nëse nuk ka guximin për t’u larguar nga bregu, thotë Andre Gide.

Guximi në politikë sjell ndryshim, frika e pasiguria sjellin gjithmon stagnim. Me këto fjalë po të drejtohem ty deputet, që po të mungon guximi për të votuar për të mirën dhe interesin e qytetarëve.

Deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës, 

Para se t’u premtoni qytetarëve parajsën, tregoni se jeni të gatshëm të veproni në të mirë të qytetarëve, për gjëra elementare, duke shkel “ndoshta” mbi interesat personale, edhe nese ju kushton me humbje pushteti. Pushteti është i përkohshëm, kurse lavdia te qytetarët mbetet e përhershme. Fundja qytetarët janë sovrani.

Tregoni se punoni për të mirën e tyre, ashtu siç u premtove para se të merrje mandatin, kur ju kërkove votën. Tregoni se votoni për të mirën e tyre, e jo t’i mbani të izoluar sikur këto 3 vite me çështjen e demarkacionit me Malin e Zi.

Qytetarët dhe unë si autor i këtij shkrimi e dimë se ti ke pasaport diplomatike, dhe nuk e ke problem me lëvizë lirshëm, e dime që një pjesë e madhe e juaja keni poashtu pasaporta shqiptare, pasaporta të tilla kanë edhe anëtarët e familjes tënde, këtë e kemi kuptuar nga mediat. Por, kur ti dhe familjarët tuaj lëvizni lirshëm, kujtoje atë votuesin tënd që pret me orë të tëra me foshnje në duar para ambasadave për një vizë, dhe prap i refuzohet, ndoshta edhe për arsye banale. 

Kujtoje atë loken që i shkove në shtëpi kur ishte e sëmurë, me ja kërku votën, e ajo e ngrata po vdes me dëshirën për t’i parë nipat e mbesat ku jetojë, si e bëjnë jetën atje. Ani se ata vijnë në pushime në Kosovë, dëshira e saj është tua shoh vendin, ambientin, ku ata e kalojnë vitin. Lokja nuk ka mundësi t’i plotësojë kriteret e ambasadës për vizë, por edhe nuk e ka moshën me u sorollat lart e poshtë për teket e disa burokratëve në ambasadë.

Mos e harro edhe atë takimin me maturanta që e kishe para zgjedhjeve, besa u premtove shumë gjëra, u premtove jetë më të mirë, më të dinjitetshme. Deputet, këta të rinjë duan përspektivë, shumë prej tyre duan të studiojnë në univerzitete përendimore, disa janë sportistë të zotë, por ata nuk po mund të lëvizin lirshëm, ata nuk e kanë fatin e Milot Rashicës. Këta të rinjë janë të izoluar. Këta të rinjë Romën, Parisin, Berlinin e shumë e shumë qytete evropiane i shohin vetëm në TV apo në rrjete sociale. Ky izolim ata i kthen vetëm kah lindja. 

Ndoshta, tani e ke harru apo jo edhe atë biznesmenin që i kërkove ndihmë financiare për zgjedhje, e besa i premtove lehtësira në të bërit biznes, por ai mos harro deputet i nderuar, ka probleme me lëvizje të lirë, dhe për këtë po humb shumë, edhe pse ka shumë oferta nga kompani evropiane për bashkëpunim, ai është i izoluar.
MOS HARRO se mijëra qytetar të dhanë votën në zgjedhje, sepse ju premtove se ke për të punuar për të mirën e votuesve, prandaj mos i zhgënje (sikur deri tani që i keni zhgënjyer), vepro drejt, pa inate por me logjikë të shëndosh, #VotoDEMARKACIONIN, kushtin që Bashkimi Evropian i ka vënë Kosovës para se të bëhet liberalizimi i vizave.
Nuk besojë se e ke atë mendim se edhe po vazhduan të mbesin qytetarët të izoluar pa përspektivë prap gjithçka do të mbetet njejtë. JO, e ke gabim. Ke me mbet i njëllosur në histori, por edhe me votën tënde ke me rreziku sigurinë kombëtare, sepse ndoshta ke me provoku trazira, pasi që qytetari nuk duron deri në pafundësi. Askush nuk e do izolimin. As zogu nuk e do kafazin. 

Mjafton me kujtu izolimin 50 vjeçar që Enver Hoxha u bëri shqiptarëve. Çka ndodhi? Populli i shkatërrojë barrierat, e thejë izolimin. 

Edhe një herë, deputet i Kosovës, unë dhe qytetarët po kërkojmë, nuk po të lutemi, sepse e ke obligim kushtetues e obligim moral e ligjor me punu në të mirë të qytetarëve, pra, #VotoDemarkacionin ta hapim përspektivën për qytetarët tanë, ta hapim përspektivën për Kosovën. 

P.S. Ti pesimist, i dëshpëruar deri në asht, pa fajin tënd, mos i beso ato fjalët e atyre që thonë ka edhe kritere tjera, për liberalizim vizash. Jo. Është gënjeshtër, pikërisht e atyre që votuesin e varfër e mashtruan e prap e dojnë të izoluar, sepse kështu mbijetojë ata në politikë. Sepse ata i bëjnë shërbim me apo pa dijeninë e tyre armiqëve të shtetit të Kosovës. Mos bjerë pre e propagandës së tyre. Lufta ndaj korrupcionit është kriter i vazhdueshëm jo vetëm ndaj Kosovës por edhe ndaj vetë vendeve të BE’së. Pra, liberalizimi i vizave u’a djeg kartën e tyre që ata e shfrytëzojnë si mbijetesë në politikë, ata mbesin sikurse peshku në zallë.

    Data: 25 Shkurt 2018 14:13
    Autori: Besart Rexhepi

    Të tjera