Kthehu lart

Kur tezat mbështeten mbi premisa të gabueshme

Kur tezat mbështeten mbi premisa të gabueshme Autori: Agim Vinca GazetaExpress

(Mbi disa mendime të Blerim Latifit të shprehura në shkrimin “Mbi racizmin e pavetëdijshëm të Veton Surroit”, Gazeta “Express”, 8 shtator 2017)

Nga rrafshi politik në atë letrar


Në një polemikë me publicistin Veton Surroi lidhur me fenomenin e “kapjes së shtetit”, Blerim Latifi shfaq edhe disa mendime mbi gjuhën, letërsinë dhe kulturën shqiptare në Kosovë dhe më gjerë. Mendimet e tij “kulturologjike” janë “të guximshme”, por jo edhe të argumentuara, për shkak se mbështeten në premisa kryesisht të gabuara. 
“Problemet e artikulimit gjuhësor të kosovarëve janë pasojë e faktit se për gjysëm (duhet: gjysmë - A. V.) shekulli gjuha e tyre është shtypur brutalisht nga dy gjuhë totalitare” – shkruan zoti Latifi. “Në njërën anë, vazhdon ai, nga standardi i shqipes i vitit 1972, në të cilin, me vendim të Byrosë Politike të Partisë së Punës së Shqipërisë, gegnishtja u përjashtua nga jeta publike e kombit, në dobi të tosknishtës (duhet: toskërishtes ose tosknishtes, por jo me “ë” në fund - A. V.) dhe, në anën tjetër, nga serbishtja, si gjuhë zyrtare, e domosdoshme dhe e pashmangshme, e regjimit jugosllav. Në këtë terror të dyfishtë gjuhësor nga Tirana staliniste dhe Beogradi titist, siç vëren disidenti shkodran Arshi Pipa, gjuha e kosovarëve u deformua në një mishmash klishesh të huazuara nga serbishtja dhe shqipja zyrtare. Si pasojë e kësaj në Kosovë belbëzimi u bë fenomen masiv, ndërsa në rrafshin kulturor nuk u arrit kurrë të krijohej një letërsi e mirfilltë  (duhet: e mirëfilltë, sipas drejtshkrimit, por nejse). Edhe vetë fakti se Surroi nuk po arrinë (duhet: arrin, pa ë) dot të bëhet shkrimtar serioz e i lexueshëm, e  ka burimin pikërisht tek ky krim gramatikor që komunistët e të dy anëve bënë mbi gjuhën e kosovarëve”.

Në këtë paragraf përmblidhet thelbi i pikëpamjes së autorit për gjendjen e gjuhës shqipe në Kosovë, në të vërtetë për pozitën e saj të palakmueshme në të kaluarën për shkak të trysnisë së vazhdueshme nga Tirana dhe Beogradi, që përbën tezën themelore të shkrimit të tij. 

Pason një si përkufizim i letërsisë, të cilën autori i shkrimit e cilëson si: “një sofistikim estetik i shprehjes gjuhësore në një komunitet human” (human, sigurisht, se jo animal! - ndërhyrja jonë, A. V.), prandaj, sipas tij, “nëse ndodh që kjo shprehje të çrregullohet me masa diktatoriale, atëherë, natyrisht se do të shkatërrohet edhe kushti elementar që mundëson këtë sofistikim estetik”, për të kaluar sakaq nga rrafshi “teorik” në atë konkret, praktik, aty ku e ka qitë cekën, siç thonë shkodranët, domethënë aty ku ka ndër mend të dalë. “Pikërisht kjo ka ndodhur në Kosovë”, sipas tij. Prandaj, “nuk është e rastësishme pse (duhet: që - A. V.) poezitë më të mira në Kosovë janë ato të Esad Mekulit, i cili shkruante në një variant shumë autentik të gegnishtes”.

 “Nuk është ide e keqe që edhe Vetoni t’i kthehet kësaj gjuhe mekuliane. Në një rast të tillë, ndoshta, do të kishim mundësi të lexojmë prej tij ndonjë roman që do të meritonte të quhej i tillë, e jo vetëm komentet publicistike, të cilat, duhet pranuar, janë zhanri i vetëm në të cilin Vetoni shkelqen”, përfundon Blerimi.

Instrumentalizimi i Esad Mekulit 

Esad Mekuli është poet i mirë dhe njeri shumë i merituar për zhvillimin e letërsisë dhe të kulturës shqiptare në Kosovë. Unë personalisht hyj tek ata që e kanë vlerësuar dhe e vlerësojnë kontributin dhe krijimtarinë e tij të çmuar. Por pjesa dërrmuese dhe, madje, edhe më e mirë e poezisë së tij, ajo e para Luftës së Dytë Botërore, jo për faj të autorit, por për shkak të rrethanave historike, është shkruar në gjuhën serbe e jo në gjuhën shqipe. Më vonë, në vitet ’40-’50 të shekullit të kaluar, është përkthyer në shqip dhe është botuar fillimisht në revistën “Jeta e re”, të cilën e drejtonte vetë baca Esad, e pastaj në librin “Për ty” (1955), i cili ka edhe dy botime të tjera, “të plotësueme e të përmirësueme, më 1963 e 1967. Si mund të flitet, prandaj, për “një variant shumë autentik të gegnishtes” dhe, madje, edhe për “gjuhë mekuliane”, kur autori i saj, pjesën më me vlerë të krijimtarisë së tij, atë të para Luftës së Dytë Botërore, e ka shkruar jo në gjuhën amtare, por në gjuhën serbe, në të cilën edhe u shkollua dhe formua si krijues? 
Kemi të bëjmë, pra, me një tezë të paqëndrueshme, të mbështetur mbi një premisë të gabueshme dhe, ç’është më keq, edhe me një instrumentalizim të panevojshëm e të palejueshëm të poetit të respektuar Mekuli. Ku qëndron ky instrumentalizim? Në faktin që duke dashur t’i zhvleftësojë përpjekjet e Veton Surroit në fushën e letërsisë, Blerimi e fton atë - pa pikë nevoje -  të kthehet te “gegnishtja autentike e Esad Mekulit”, kthim ky që është plotësisht i pamundur, jo pse jetojmë në një kohë krejt tjetër, por edhe pse ajo farë gjuhe as që ka ekzistuar ndonjëherë. 

Vijmë te konstatimi tjetër i zotit Latifi, i padëgjuar deri më sot, se në Kosovë, për shkak të atij terrorit të dyfishtë gjuhësor, nga Tirana dhe Beogradi, nuk qenka “krijuar një letërsi e mirfilltë”! I madhi Ismail Kadare, vite më parë, në kulmin e luftës në Kosovë, në një parathënie libri, pat thënë, kalimthi, se letërsia e Kosovës në një periudhë të caktuar kohore qenkësh marrë pak si shumë me “dokrra avangardiste” (një vërejtje e drejtë për mendimin tim) dhe desh e gozhduan njeriun në shtyllën e turpit, kurse djaloshit Blerim, i cili e mohon ekzistencën e kësaj letërsie, qoftë edhe në formën e saj “të mirfilltë”, askush nuk e çel gojën t’i thotë një fjalë. 

Çudi, vërtet çudi kjo punë, por edhe më e çuditshme duket se është çudia që pason!

Letërsi s’paskemi, kurse ASHAK-un e kemi dëng me shkrimtarë!

Në Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës (ASHAK), institucion për të cilin nuk kam dëgjuar të jetë prononcuar ndonjëherë në mënyrë kritike zoti Blerim Latifi, ka jo pak anëtarë që janë bërë pjesë e saj në saje të veprës së tyre letrare. Kështu, përveç Esad Mekulit, si shkrimtarë kanë hyrë në këtë institucionin edhe Enver Gjerqeku, Anton Pashku, Ali Podrimja, Eqrem Basha, Mehmet Kraja (këta të dy janë gjallë dhe do të duhej të reagojnë, për ta mbrojtur veten dhe institucionin që i takojnë). Në ASHAK kanë qenë dhe janë edhe disa të tjerë, që kanë hyrë aty si studiues të letërsisë. Të tillë, përveç Rexhep Qosjes, janë ose konsiderohen edhe Ibrahim Rugova, Ali Aliu, Sabri Hamiti, dy prej të cilëve, Qosja dhe Hamiti, përveçse kritikë letrarë dhe historianë të letërsisë, janë edhe krijues “të mirfilltë” letrarë: poetë, prozatorë, dramaturgë etj. Anëtar i rregullt i ASHAK-ut është edhe Rexhep Ferri, i cili është piktor dhe letrar njëkohësisht. (Anëtar i ASHAK-ut, si shkrimtar!, ishte, madje, edhe vetë Sinan Hasani, deri në fund të jetës). 

Shtrohet pyetja: si ka mundësi që ne në Kosovë, për shkak të ndërhyrjes brutale gjuhësore të komunistëve të Tiranës dhe të Beogradit (Tirana e para, pastaj Beogradi!) mbi “gjuhën kosovare”, për shkak të atij “krimi gramatikor” (sic!) që qenkësh bërë mbi të, të mos kemi letërsi “të mirfilltë”, por të kemi aq shumë shkrimtarë në Akademi?! 
Mund të jemi më shumë ose më pak të kënaqur me nivelin që ka letërsia që krijohet në Kosovë, sepse kemi të drejtë të kërkojmë më shumë, por është krejt i pabazë pohimi se rënia e saj paskësh ndodhur pas vitit 1972, domethënë pas Kongresit të Drejshkrimit, që e degradoi “gjuhën kosovare” dhe e varfëroi shprehjen gjuhësore të letërsisë që krijohej në Kosovë. Në të vërtetë është krejt e kundërta. Prurjet më të mëdha në letërsinë shqipe të Kosovës, si në poezi, ashtu edhe në prozë, i takojnë pikërisht kësaj dekade, periudhës së viteve ’70, kur niveli i saj artistik u rrit, kurse shprehja e saj gjuhësore u bë më “e sofistikuar”. Të pohosh, prandaj, qoftë edhe nën ndikimin e Arshi Pipës, se letërsia shqipe në Kosovë, për shkak të përvetësimit të gjuhës standarde nga krijuesit kosovarë, degradoi, do të thotë ta mohosh atë. Është guxim i madh dhe papërgjegjësi e madhe, për të mos thënë edhe turp, të mbrosh një koncept të tillë. 

Ka edhe një tezë tjetër, të natyrës akseologjike, që është tejet e diskutueshme në shkrimin e Latifit. “Nuk është e rastësishme pse poezitë më të mira në Kosovë janë ato të Esad Mekulit”. Nuk e di sa e njeh poezinë që krijohet në Kosovë Blerimi dhe a ka lexuar ndonjë libër me poezi, por unë si njeri që besoj se e njoh mirë atë, mund t’i them me përgjegjësi të plotë se, me gjithë respektin që kam për Esad Mekulin, në Prishtinë ka një duzinë poetësh, në mos edhe më shumë, që e kanë kapërcyer nivelin e poezisë së tij. Esad Mekuli vetë ka kontribuar për këtë.

Tirana më e rrezikshme se Beogradi!

Shqiptarët kanë gati një gjysmë shekulli një gjuhë standarde, krijimi i së cilës është rezultat i punës dhe përpjekjeve shekullore të një plejade të tërë krijuesish, shkrimtarësh, gjuhëtarësh dhe intelektualësh të shquar, sado që në krijimin e saj, sidomos në fazën e fundit të standardizimit, nuk është pa ndikim, sigurisht, as faktori politik, sepse kështu ka ndodhur edhe me gjuhët standarde të popujve të tjerë kudo në botë, më herët ose edhe më vonë.
Beogradi ka qenë kundër kësaj gjuhe standarde, ashtu siç ishte edhe kundër afrimit të Prishtinës me Tiranën në fushën e arsimit, të shkencës dhe të kulturës. Këto janë fakte, që duhen pasur parasysh kurdo që flitet për çështjen e gjuhës standarde dhe probleme të tjera të ngjashme. Politikani Sinan Hasani, eksponent i regjimit jugosllav, i cili ishte, siç dihet, edhe shkrimtar, pat thënë në vitin 1981, në një intervistë në “Borba”, se ai nuk mbante përgjegjësi për atë që kishte ndodhur në Kosovë në vitin 1968 (fjala është për Konsultën Gjuhësore të Prishtinës, që u mbajt në pranverë të atij viti), sepse në atë kohë kishte qenë “ambasador në Kopenhagë”! Me këtë deklaratë, autori i romanit Rrushi ka nisë me u pjekë, të shkruar në gegnishten “autentike” kosovare (anamoravase), donte t’u tregonte padronëve të tij, se po të kishte qenë në Kosovë ndoshta do ta kishte penguar vendimin e  gjuhëtarëve dhe intelektualëve të tjerë shqiptarë në ish-Jugosllavi për ta miratuar projektin Rregullat e drejtshkrimit të shqipes, që ishte hartuar një vit më parë në Tiranë dhe që ishte hedhur në diskutim publik. Një nga masat më drastike që u ndërmorën në Universitetin e Prishtinës menjëherë pas demonstratave të ’81-shit, ishte formimi i komisioneve për vlerësimin e dëmit që kishte sjellë bashkëpunimi me Universitetin e Tiranës në secilin fakultet të UP-së.  
Direktivat, natyrisht, vinin, nga ku tjetër, pos nga Beogradi.
Sipas mendimit të Blerim Latifit, mësimdhënës i filozofisë në Universitetin e Prishtinës dhe këshilltar politik i Kryetarit të Kuvendit të Kosovës, gjuha “zyrtare” e “Shqipnisë” e paskësh dëmtuar “gjuhën kosovare” më tepër se gjuha serbe, e cila në Kosovë dhe në viset e tjera shqiptare në ish-Jugosllavi ka qenë gati një shekull gjuhë e administratës dhe e mekanizmave të tjerë shtetërorë të shtetit represiv serb dhe jugosllav. Gjuha shqipe në Kosovë, në Maqedoni, në Mal të Zi dhe në Luginën e Preshevës rrezikohet edhe sot nga konstruktet e serbishtes dhe të maqedonishtes (në shtyp, sidomos), por mediet tona, në vend që ta orientojnë vëmendjen e publikut kah ky problem, alarmojnë rrezikun e paqenë nga ashtuquajtura “shqipe totalitare”, që e paskësh shkatërruar, sipas tyre, “gjuhën kosovare” dhe paskësh sjellë në Kosovë fenomenin e “belbëzimit masiv”.

Si ka mundësi të përdoret me kaq lehtësi termi “gjuhë kosovare”? Përse ky abuzim me terma, që do të duhej t’i dallonin edhe nxënësit e shkollave se jo më filozofët, profesorët e filozofisë. Kosovarishtja nuk është gjuhë, madje as dialekt, por e folme. Gjuhë është shqipja, kurse dialekte janë: gegnishtja dhe toskërishtja. Kosovarishtja është vetëm një nga variantet e gegnishtes, sikurse shkodranishtja, elbasanishtja, dibranishtja etj., të cilat, secila më vete, kanë vlerat e tyre dhe janë pjesë përbërëse e asaj që quhet me shekuj gjuhë shqipe. (Si janë duke shkuar punët ndër ne, në këtë dyndallë portalesh e fejsbuqesh, nuk përjashtohet mundësia që secili katund dhe secila mëhallë të shpallë gjuhën dhe drejtshkrimin e vet!).

Për ta mbështetur pikëpamjen e tij, Blerimi citon “disidentin shkodran”, Arshi Pipa, sipas të cilit, “gjuha e kosovarëve”, pas vitit 1972, qenkësh bërë “një mishmash klishesh të huazuara nga serbishtja dhe shqipja zyrtare”. Arshi Pipa, njeri me dije të madhe, por edhe tepër militant në planin politik, ka pasë thënë në vitin 1991, duke i ndarë gjërat me thikë, se “Jugu komunist e pushtoi me armë dhe me gjuhë Veriun antikomunist në vitin 1945” dhe se  “midis toskëve dhe gegëve, ashtu sikurse midis kroatëve dhe serbëve, nuk përjashtohet as konflikti i armatosur”, por profecia e tij ogurzezë, fatbardhësisht, nuk doli e saktë. 

Edhe diçka në fund, i dashur Blerim. Luftën politike me Veton Surroin dhe të tjerë mos e zhvilloni në dëm të gjuhës, të letërsisë dhe të kulturës shqiptare, sepse gjuha, letërsia, kultura, historia janë faktori më i fortë integrues (në mos i vetëm) i kombit shqiptar, që jeton i ndarë në gjashtë shtete ballkanike dhe i shpërndarë pothuajse në të gjitha kontinentet e botës.

    Data: 12 Shtator 2017 12:32
    Autori: Agim Vinca

    Të tjera