Kthehu lart

I "përzgjedhuri" Hashim Thaçi

I "përzgjedhuri" Hashim Thaçi Autori: Leonard Komani GazetaExpress

A nuk është qesharake që kërkojmë apo shpresojmë që ai të ulet në karrigen e të akuzuarve nga po ajo gjykatë që e formon, e themelon, e aprovon vetë? Edhe nëse ndodh një gjë e tillë, ai do të jetë i fundit, pasi që kjo gjykatë do të zgjasë në pafundësi.

Shumë e vërtetë është se çdo problem që të zgjidhet duhet analizuar dhe shtjelluar, por ekzistojnë edhe disa fenomene, të cilat për t’u analizuar nevojitet të shikohen nga një kënd që ndoshta është i padukshëm për të gjithë.

Do të ishte çmenduri sikur të thosha që mënyra e qeverisjes së Hashim Thaçit është e duhura.

Si mund të ndodhë që nga një "askush" të bëhet një President shumë i përfolur edhe në masa ndërkombëtare.

Nga shumica, personi më i urryer dhe, në anën tjetër, personi më i votuar i pasluftës.

Si dhe nga kush mund të analizohet personaliteti i tij? Nuk është që i takon elitës botërore. Atëherë shtrohet pyetja pse askush ne kohën e fundit nuk del me një profil të qartë se kush është Hashim Thaçi?

Për kohen e paraluftës apo gjatë saj kjo periudhë do të mbyllet në nëntokën e errët që këto gjenerata nuk do ta kenë mundësinë ta nxjerrin në shesh.

Shtrohet pyetja se si mbërriti deri te takimet vendimtare në Rambuje? Kush i ndihmoi që të jetë në krye të politikës ushtarake të UÇK-së? Kujt i konvenonte që Hashim Thaçi të jetë në qendër të vëmendjes si dhe kyç në çështjen vendimtare të Kosovës?

Ekzistojnë edhe disa dhjetëra pyetje që unë personalisht ia shtroj vetvetes, por përgjigjen përfundimtare nuk do ta marr kurrë.

Shumë shpejt e kuptoi edhe elita politike kosovare e asaj kohe se Hashim Thaçi ishte Alfa dhe ndoshta edhe Omega, jo vetëm e UÇK-së. Të gjithë iu përkulen, përveç të ndjerit Ibrahim Rugova. Qosja, Surroi, Demaçi e të tjerë e kuptuan që ky ishte i "përzgjedhuri" dhe u munduan me çdo kusht që të jenë afër tij. Dhe i lartpërmenduri e shfrytëzoi me një dinakëri të përsosur. Me apo pa këshilla të "huaja", mbetet një sekret i tij. I shfrytëzoi resurset e tyre deri në maksimum, sidomos përballë ndërkombëtarëve, me një përsosmëri të madhe, saqë ishte e pamundur të dyshohet në personalitetin e tij.

Si është e mundur që akademikë, politikanë, simbole të luftës dhe lirisë nuk e kuptuan dinakërinë e tij dhe pas një kohe shumë të shkurtër i neutralizoi politikisht dhe e përvetësoi stafetën e lirisë? Ku dhe i ndjeri Ibrahim Rugova iu përkul, edhe pse e shihte jo vetëm si rival politik por edhe të dëmshëm për proceset e shtetformimit.

Kush na qenka kjo agjenci, shtet apo perandori që fshihet nën trurin e Hashim Thaçit?

E them këtë me plot kuptimin e fjalës, përderisa tejkaloi çdo sfidë politike të pasluftës. Qëllimet e tij sot e kësaj dite përmbushen, pa marrë parasysh "telasheve" anësore. 

Si është e mundur që askush nga rivalët e tij nuk është në gjendje t’i kuptojë planet e tij, së paku afatshkurta. Shkaktoi paqartësi, trazira, bllokada të qeverisë, ikje të popullsisë, zhvillim ekonomik me ritëm të epokës së kaluar, papunësia më e larta, jo vetëm në Evropë etj., prapëseprapë në fund u zgjodh President.

Nuk është e çuditshme!?

Kush qëndron pas tij?

Ndoshta të gjithë, por jo intelektualiteti i tij.

Por, duhet t’i themi edhe disa pika që ndoshta ne nuk mund t’i kuptojmë.

Çfarë do të ndodhte pas luftës me gjithë atë armatim që e posedonte populli? Luftë civile (për uzurpime), do t’i i shpallnim luftë prapë Serbisë, do ta sulmonim Malin e Zi?

Kush e mbajti nën kontroll atë situatë të pasluftës?

Por edhe sot, gjithë ai armatim që qëndron në podrumet e shtëpive tona.

Si u largua kaosi i luftës, si me shkop magjik, për një kohë të shkurtër.

Kujt duhet falënderuar për atë mirëmbajtje të rendit?

Ndoshta është absurde të thuhet dhe nuk është edhe aq lehtë të kuptohet, por është realitet.

Nga një numër i madh, ky personalitet rritet në atë masë, saqë po të jetonim në mesjetë, do të shpallej "profet".

Ndërsa, në anën tjetër, gjykohet, paragjykohet, urrehet deri në atë masë saqë po të jetonim në atë kohë,  do të mbytej me gurë.

Cila është e drejta apo e vërteta?

Çdokush ka të drejtë ta japë mendimin e tij, por unë mendoj se Hashim Thaçi është i "paprekshëm." E them këtë sepse nuk do të ketë gjykatë që do ta dënojë Hashim Thaçin, hiq më pak ato kosovare.

Edhe pse shumë dëshirojnë që ai pjesën tjetër të jetës ta kalojë pas grilave të hekurta, Hashim Thaçi kurrë nuk do të ulet në karrigen e të akuzuarve, jo vetëm në gjykatat vendore.

A nuk është çudi, kërkon që të aprovohet Gjykata Speciale e ai të dënohet po nga ajo gjykatë?

A nuk është qesharake që kërkojmë apo shpresojmë që ai të ulet në karrigen e të akuzuarve nga po ajo gjykatë që e formon, e themelon, e aprovon vetë? Edhe nëse ndodh një gjë e tillë, ai do të jetë i fundit, pasi që kjo gjykatë do të zgjasë në pafundësi.

Është mjaft rëndë të thuhet apo të besohet, por ne nuk do ta përjetojmë atë "kënaqësi".

Nuk do ta zgjas, por ky fenomen duhet analizuar, ndoshta me dekada, dhe në fund rezultati do të jetë i “i pakuptueshëm”.

Kështu që, të "përzgjedhurin" vetëm historia mund ta gjykojë e ne e presim të pamundurën.

 

 

    Data: 20 Mars 2017 16:28
    Autori: Leonard Komani

    Të tjera