Kthehu lart

I ftohti që djeg

I ftohti që djeg GazetaExpress

Nga Gazmend Aga

Duhej acari dramatik që të na risjellë në vëmendje dramën e të varfërve në Shqipëri. Zoti dërgon sinjale zgjimi për ta ndërgjegjësuar robin ndaj krijesave që ka përreth. Kushedi sa të varfër kemi përreth. Skamja mund të jetë mu në shtëpinë e lagjen përballë. Kushëriri që kemi dashur aq shumë para do vitesh, tani mund të jetë në pikë të hallit e ne së vemë më re sepse jemi hutuar pas vetes sonë. Në botën tjetër, Zoti do t’a pyesë krijesën më të mrekullueshme, njeriun, i cili ndonjëherë, me veprimet e tij bëhet edhe më e poshtra, se përse nuk e ka ushqyer Zotin, përse nuk e ka vizituar Zotin kur ishte sëmurë, e ndoshta edhe pse se ndihmoi Zotin kur Ai kishte ftohtë. E robi i habitur do i thotë se, Zoti s’ka ftohtë, as uri e as sëmuret. E pra, do i thotë Zoti, kur robi im kishte ftohtë, u sëmur dhe pati uri, ti nuk i qëndrove pranë. Nuk mund ta duash Zotin pa e dashur robin. Nuk mund të fitosh parajsën e shumë kërkuar, ndërkohë që njerëzit që ke përreth përjetojnë ferrin. Në fakt, jemi ne ata që përfitojmë edhe kur i ndihmojmë të varfrit. Ka titull më të madh se nëna?

 E pra Nënë Tereza e mori këtë titull dhe u pranua nga të gjithë si e këtillë duke i ndihmuar të varfrit. Sa bukur e ka thënë vetë ajo; “Të varfërit na japin më shumë se ç`u japim ne atyre. Ata janë njerëz kaq të fortë, duke jetuar ditë për ditë pa ushqim. Dhe ata kurrë nuk mallkojnë, as nuk ankohen. Ne nuk duhet tu japim atyre simpatinë, por duhet të mësojmë nga ata.”

Të varfërit kanë nevojë për çdo qytetar, por dhe ne kemi nevojë të dëgjojmë zërin e shurdhuar të shpirtit tonë. Fundja, askush nuk është varfëruar duke dhënë. E keqe është varfëria. Zot na ruaj prej saj! Të vazhdojme t’i ndihmojmë ata që kemi perreth. Edhe një batanije mund të vlejë shumë për një të varfer këto ditë. Por, dinjiteti i tij vlen më shumë. T’ja ruajme edhe ate! Të mos e djegim me të ftohtë! Kështu, do ta kemi edhe një sekret të bukur me Zotin tonë; ndihmova filanin por e di veç ti dhe unë o Zot.

Ç`fjali madhështore! Ç`sekret i çmuar për këto kohë facebooku! Ka plot nisma të shoqërisë civile dhe faktorëve të tjerë që përpiqen për të varfërit dhe ky është mesazh i rëndësishëm sensibilizues për të gjithë. Le të shërbejë çdo përpjekje që të na afrojë më shumë me njerëzit në nevojë! Ti ndihmojme te varferit. Te mos i harrojme se mund te harrohemi vetë një ditë. Ndërkohë që shkrijmë dëborën me altruizëm, të punojmë fort për një Shqipëri me sa më pak varfëri. Të gjithë e kërkojmë lumturinë, por nganjëherë harrojmë se ajo nis kur lumturon të tjerët.

*Nënkryetar i Komunitetit Mysliman Shqiptar

    Data: 11 Janar 2017 14:56
    Autori: GazetaExpress

    Të tjera