Kthehu lart

Faleminderit Amerikë, nga toka deri në qiell - kurrë hallall mos të qoftë, Amerikë...

Faleminderit Amerikë, nga toka deri në qiell - kurrë hallall mos të qoftë, Amerikë... Autori: Ardian Haxhaj GazetaExpress

Faleminderit Amerikë, nga toka deri në qiell, për gjithçka e çdo gjë të mirë që keni bërë për të mbetur ne gjallë e për të gjalluar deri më tani, ne të mjerët e të nënshtruarit e përhershëm! Amerikë, kurrë hallall mos të qoftë që këtë popull të mjerë, të nënshtruar e të nëpërkëmbur e latë në duart e njerëzve më të këqij që mund t’i ketë secila pjellë e një populli a shoqërie: në fundërrina! Kurrë hallall mos të qoftë!

Faleminderit Amerikë, nga toka e deri në qiell, që para më shumë se dy dekadave e gjysmë na e patet hatrin e na morët në mbrojtje nga një shtet që pretendonte Zgjidhje Finale për shqiptarët e Kosovës: spastrimin etnik! Qysh atëherë e paralajmëruat shtetin e egërsuar kundër shqiptarëve të Kosovës se nuk do të lejoni ta kalonte vijën e kuqe, që nënkuptonte ndezjen e një lufte që për qëllim ka spastrimin etnik dhe shfarosjen tonë.

Faleminderit Amerikë, nga toka e deri në qiell, që vazhdimisht i qëndruat si orli mbi krye shtetit që donte shfarosjen tonë! Qysh prej asaj kohe e ngrehnit zërin në Kongres e Senat se në Evropë është një popull i okupuar që po dhunohej brutalisht ditë për ditë. Atëbotë na përkrahnit moralisht, por çdoherë vazhdonit  t’ia çonit ndërmend shtetit okupues se nuk do të toleronit bosnjezimin e Kosovës. E ne këndej që shtypeshim e dhunoheshim nga milicia serbe na mbante shpresa se përtej deteve e oqeaneve e kishim në krah një vend mik e të fuqishëm që do të na mbronte nga më e keqja.

Faleminderit Amerikë, nga toka e deri në qiell, që qysh në atë kohë mundoheshit ta faktorizonit çështjen tonë të drejtë në arenën ndërkombëtare! Ua hapet dyert e kancelarive tuaja përfaqësuesve tanë, për t’u dhënë zemër se duhet vazhduar përpjekja për të dalë nga kthetrat e shtetit që donte të na zhbinte. I mësuat njerëzit tanë se si të flisnin për politikë, si të komunikonin me akterët politikë ndërkombëtarë dhe i promovuat. Për të gjitha këto kishim nevojë ne populli i shtypur dhe i dhunuar nga milicia serbe, që na i ndaloi shkollat, universitetin, spitalet, punët, lëvizjen e lirë, rrnesën.

Faleminderit Amerikë, nga toka deri në qiell, që ia shtrënguat dhëmbët shtetit që donte të na zhdukte nga trojet tona, atëherë kur e filluan realizimin e Zgjidhjes Finale! E kërcënuat se nuk do të qëndronit duarkryq në qoftë se do t’ia nisnin të na vrisnin e të na përzinin. E kërcënuat se tashmë i është afruar vijës së kuqe, për kalimin e të cilës do të kishte pasoja. E ne këndej, ne të shtypurit e të dhunuarit e çdoditshëm nga milicia serbe, përsëri e mbanim në mendje e në zemër emrin tuaj: Amerikë.

Faleminderit Amerikë, nga toka deri në qiell, që, kur shteti që donte të na holokausonte në trojet tona e kaloi vijën e kuqe, atëherë e mbajtët fjalën! I mblodhët shipët e malit të shkapërderdhur e të hapërdarë pikë e pesë nëpër hotele, qymeze e skuta, që ishin secili kundër secilit, për ta formuar një grup gjithëpërfshirës për ta arritur një marrëveshje. U lodhet duke i bindur kllosharët tanë se duhet të jenë të bashkuar rreth një qëllimi, u lodhet duke i bindur halabakët tanë ta nënshkruanin atë marrëveshje jetike, ndërkohë që milicia e ushtria serbe i vriste, i masakronte e i dhunonte njerëzit tanë krejtësisht të pambrojtur. E goditet me raketa shtetin vrastar për të na shpëtuar nga zhbërja, neve, që kishim mbetur krejtësisht të pambrojtur: burra, gra, fëmijë, pleq e plaka.

Faleminderit Amerikë, nga toka deri në qiell, që, më në fund e gjunjëzuat shtetin që na vriste, i përzutë milicinë dhe ushtrinë serbe dhe na kthyet neve të mjerëve e të strukurve nëpër kampet e refugjatëve në vendet fqinj dhe më gjerë! Atëbotë, ju organizuat edhe kthimin tonë të madh, pasi që milicia e ushtria serbe për pak javë e kishte zbrazur Kosovën me cucë e me mace, duke lënë pas varre masive, shtëpi të djegura, bunarë të helmuar e të lashta të shkatërruara. Na mundësuat të kthehemi me cucë e me mace në Kosovën legjendare të mbushur me legjenda heroizmi e trimërie, aq sa për t’ua pasur lakmi edhe marinsat tuaj të kudonjohur. Na mundësuat të ktheheshim e t’ia nisnim jetës nga e para. Ju menduat edhe si të na mbushni barkun me bukë kur të ktheheshim në shtëpitë tona të rrënuara, pasi që këmbët e milicisë dhe të ushtrisë serbe kishin shkelur, djegur, vrarë e dhunuar edhe në ato male e shkrepa ku më parë flitej se nuk kishte shkelë kurrë këmbë nizami e xhandari.

Faleminderit Amerikë, nga toka deri në qiell, që para dhjetë vjetësh na e formuat edhe shtetin tonë të vogël e të ri si kokrra e qershisë dhe i detyruat gjithë ato vende të mëdha e të vogla ta njihnin shtetësinë tonë! Pa juve, ne të mjerët, do të degdiseshim anë e kënd botës e lëre më të na binte mend për shtet. Pa juve do të mbesnim pa legjendarë, çlirimtarë, heronj të gjallë, mijëra e mijëra veteranë, politikanë zulmëmëdhenj, profesorë universitarë e intelektualë me shkolla të kryera pas shporeti. Pa ju do të na treteshin legjendat.

Faleminderit Amerikë, nga toka deri në qiell, për gjithçka e çdo gjë të mirë që keni bërë për të mbetur ne gjallë e për të gjalluar deri më tani, ne të mjerët e të nënshtruarit e përhershëm!

Amerikë, kurrë hallall mos të qoftë që këtë popull të mjerë, të nënshtruar e të nëpërkëmbur e latë në duart e njerëzve më të këqij që mund t’i ketë secila pjellë e një populli a shoqërie: në fundërrina!

Kurrë hallall mos të qoftë!

    Data: 16 Shkurt 2018 12:14
    Autori: Ardian Haxhaj

    Të tjera