Kthehu lart

​ Ç’reflektimi politik kosovar

​  Ç’reflektimi politik kosovar Autori: Leotrim Gërmizaj GazetaExpress

Reflektimi paszgjedhor, nëse mbetet vetëm retorikë e thatë, nuk do të ketë sens e as rezultat, ai duhet të jetë proces i realizueshëm që do të prek të gjitha partitë konkurrente në Kosovë ku të konsumuarit brenda lidershipit e strukturës partiake duhet të lëshojnë udhë për të rinjtë dhe njerëzit meritorë që kanë çka të japin e të kontribuojnë në jetën politike e publike në Republikën tonë

Në kohët e fundit një nga shprehjet më të përdorura nga  përfaqësuesit e partive politike, analistët dhe individët që ë përbëjnë diskursin publik është shprehja famoze ‘Reflektim’. 

Para fushatës elektorale, përgjatë saj si dhe tash kur jemi pas zgjedhjeve si duket  reflektimi është shndërruar në nocionin që shihet si ‘shpëtim’ për të plotësuar fjalimet në takime e ngjarje politike e mediale por edhe si mundësi e mirë për t’u justifikuar për të arriturat dhe dështimet eventuale në përgjithësi.

‘Reflektimin’ si duket do ta kemi pjesë të pandarë të jetës sonë edhe për ditët dhe javët e ardhshme pasi që zgjedhjet e 11 Qershorit e kanë krijuar një situatë të atillë ku me një anë  nga një kënd besohet që qytetarët kanë reflektuar karshi zhvillimeve politike e në anën tjetër praktikisht besohet që matematikat parazgjedhore kanë reflektuar duke sjellë një situatë të paqartë që në suaza momentale nuk ofron ndonjë zgjidhje të sigurt e bindëse.

Megjithatë bazuar në disa indikacione aktuale, si duket po shkojmë drejt stories së vitit 2014 ku një ngërç politik solli prolongim të konstitutimit të Kuvendit dhe formimit të Qeverisë, që në fakt shkaktoi stagnim dhe pasivitit  të konsiderueshëm të punës të të gjitha institucioneve publike në Kosovë.

Në të gjitha këto zhvillime para dhe pas 11 Qershorit, ‘reflektimi’ është shndërruar në instrumentin kryesor të retorikës politike nga të gjitha taborët si nga ata që e konsiderojnë vetën triumfues të zgjedhjeve, si nga ata që nuk janë të kënaqur por edhe nga vetë qytetarët e votuesit të cilët  në forma të ndryshme kërkojnë nga partitë politike që të reflektojnë brenda strukturave të tyre duke analizuar ngecjet, pasivitetin, suksesin por edhe hapësirën e ofruar për të rinjtë, ekspertët, njerëzit meritorë e të përgatitur profesionalisht.

Pavarësisht zhvillimeve të reja që do të çojnë në formimin e qeverisë sipas frymës sonë kushtetuese ose në rastin hipotetik edhe shkuarjes në zgjedhje të jashtëzakonshme, mendoj që i tërë spektri politik në Kosovë duhet të reflektoj njëmend, duke krijuar mundësi për rifreskim të strukturave drejtuese përkatësisht duke afruar të rinjtë e përgatitur e aktivë të cilët janë në gjendje të çojnë përpara synimet dhe idetë e partive të caktuara politike e të garojnë barabartë me politikanët tjerë që fatkeqësisht një pjesë e tyre janë konsumuar jashtëzakonisht si në nivelin lokal ashtu edhe në atë qendror.

Para se politikanët të reflektojnë, duhet ne si qytetarë të reflektojmë e të apelojmë e kërkojmë që politikanët e konsumuar dhe jo produktivë për komunitetin  e qytetarët të lirojnë hapësirë dhe të ofrojnë mundësi të barabartë edhe për të rinjtë të cilët do të ishin në gjendje t’i avanconin idetë dhe synimet e partisë së caktuar politike në të gjitha sfidat e proceset qoftë elektorale, qoftë politike apo edhe institucionale.

Reflektimi paszgjedhor, nëse mbetet vetëm retorikë e thatë, nuk do të ketë sens e as rezultat, ai duhet të jetë proces i realizueshëm që do të prek të gjitha partitë konkurrente në Kosovë ku të konsumuarit brenda lidershipit e strukturës partiake duhet të lëshojnë udhë për të rinjtë dhe njerëzit meritorë që kanë çka të japin e të kontribuojnë në jetën politike e publike në Republikën tonë.

    Data: 19 Qershor 2017 11:19
    Autori: Leotrim Gërmizaj

    Të tjera