Kthehu lart

Bredhi i Vitit të Ri dhe myslimanët shqiptarë

Bredhi i Vitit të Ri dhe myslimanët shqiptarë Autori: Lindita Arapi GazetaExpress E enjte, 05 Janar 2017 14:28

Jo më festime, bredh e drita? Pas atentatit të Stambollit pati zëra që i bënë viktimat fajtore, pasi myslimanët nuk e festojnë Vitin e Ri. Po myslimanët që festojnë në Shqipëri e Kosovë mos janë myslimanë të këqinj?

Bredhi i Vitit të Ri! Sot ai vezullon nga dritat e zbukurimet, por ajo pemë e zbukuruar dikur, me ato pak mundësi që na ofroheshin në vitet e varfra të komunizmit shqiptar ende zgjon tek unë një kujtim të ngrohtë fëmijërie. Ai ishte një gëzim i vogël brenda një pafundësie ditësh të mërzitshme, të gjitha të rrafshuara nga izolimi, një ҫast i bukur, e gjërat e bukura ishin aq të pakta në fëmijërinë e asaj kohe. Ato llamba që i jepnin atëherë dritë pemës së Vitit të Ri, ku ne fëmijët e Pallatit të Pionerëve i vinim përreth duke kënduar e kërcyer, pikërisht ato pak llamba sillnin pak dritë edhe në jetët tona.

Diktatura i mbylli të gjitha dyert, bota e jashtme mbërrinte vetëm me ca impulse të mekura tek ne, por nuk dihet pse mbeti bredhi i vitit të ri, në fakt me gjelbërimin e pandryshuar, simbol i jetës, e nga shekulli 16-të një zakon i ri gjerman u bë shoqërues i festimit të Krishtlindjeve në të gjithë botën – ndërsa për ne një nga absurditetet e radhës të regjimit komunist që e ndaloi fenë me ligj.

Për mua atëherë, vajzë e një familjeje myslimane, bredhi nuk ishte një pemë me simbol fetar. As për mua e as për prindërit e mi të ҫmësuar me fenë, që fjalën Zot e kishin zëvendësuar me fjalën parti. Përpara meje ishte thjesht një pemë e zbukuruar, për përmasat fëmijërore, – gjigande, së cilës unë nuk ia shqisja dot sytë, teksa prisja gjithë emocion momentin e ndërrimit të viteve.

Por le ta kapërcejmë epokën e ateizmit, kohë, kur shqiptarët pak e njihnin jo vetëm kuptimin e bredhit, por edhe të riteve të tjera fetare, sepse “feja ishte opium për popullin” – jemi në kohët, kur gjithsekush ka lirinë të ndjekë e praktikojë besimin fetar që dëshiron.

Shpëtimi i bredhit

Me zgjimin e besimit fetar bredhi nuk ndryshoi gjelbërimin, por ndërroi kah, ai nuk ishte më thjesht bredh i fëmijërisë sime, kuptova se nuk duhet të më përkiste më mua, një vajze me origjinë myslimane, por pjesës tjetër, asaj të krishterë, si shoqërues i festimeve të Krishtlindjeve e Vitit të Ri. Mua më mbetej të fshija një kujtim, ose ta „përvetësoja” bredhin, t’i hiqja petkun fetar, e ta mbaja edhe në të ardhmen thjesht si bredh feste. Nuk doja t’i humbisja ato ҫaste me drita në dimrin e ftohtë, dhe e mbajta bredhin si zilen e një momenti final, ndërrimin e viteve.

Por bredhin e festës nuk e kam mbajtur vetëm unë, bashkë me mua edhe shumë e shumë të tjerë që mendojnë se të festosh Vitin e Ri është krahas një momenti reflektimi, edhe një moment gëzimi për trokitjen e një viti të ri të jetës. Se si festohet ky gëzim, kjo është në dorën e gjithsecilit

Edhe në Turqi shumë vetë festuan Vitin e Ri, disa shkuan të festonin në një klub nate, „Reina”, por nuk do kthehen më kurrë në shtëpi pas terrorit. Shumë nga ata që nuk do ta gëzojnë më vitin e ri ishin myslimanë, e po myslimanë ishin edhe ata që kanë shkruar në mediat sociale, se ata që festojnë Vitin e Ri, festojnë një traditë të huaj, që bie ndesh me islamin. . Për myslimanët – ky është një zakon pagan dhe i krishterë që nuk duhet të prishë kanonin e zakoneve të tyre. Madje edhe Ministria e Fesë në qeverinë turke ka pasur paralajmërime për festimet e Vitit të Ri, si një traditë e huaj…

Myslimanët shqiptarë të ndarë

Po unë që festoj, po shumë shqiptarë myslimanë në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni apo në ndonjë vend tjetër që festojnë Vitin e Ri, mos nuk duhet të festojmë më? Kush feston, jeton i rrezikuar? Festimet e Vitit të Ri nuk i ndajnë vetëm turqit, por edhe myslimanët shqiptarë: në një kategori, ajo më liberalja në raport me fenë, me traditë si në Shqipëri e Kosovë, që e ka vetëdijen e myslimanit, por në një darkë me miq nuk ia heq vetes lezetin e mezesë dhe rakisë, ajo nuk e sheh si mëkat të urojë katolikët për Krishtlindje e Pashkë, e përballon pa tragjedi minifundin e vajzës, tek ajo nuk përbën përjashtim që të shkojnë edhe në Mekë, për të plotësuar një nga detyrimet e myslimanit, por kjo nuk e pengon që ta shijojë jetën si një tavolinë të mbushur me të mirat e Vitit të Ri. Tek ata e gjen edhe bredhin e zbukuruar, thjesht si diçka të bukur, pa dashur të lëndojnë ndjenjat fetare.

Nuk duhet harruar edhe një kategori tjetër besimtare e devotshme, që nuk e sheh besimin si verbërim, por ndriҫim të shpirtit, ajo e toleron tjetrin që beson ndryshe apo ndjek tradita të tjera që Islami nuk i ka të tijat. Është kjo pjesë që i ndjek ritet e faljes, nuk pi alkool, falet disa herë në ditë, të premteve e gjen në xhami, pra ajo bën një jetë në bazë të rregullave të Islamit, e nuk do të fuste pemë të Vitit të Ri në shtëpi, por me dëshirë do të dilte në natën e ndërrimit të viteve për të parë hedhjen e fishekzjarreve, do ulej me familjen për të ngrënë gjelin tradicional me përshesh, do të ngrinte edhe gotën me lëng për të uruar, por “Gëzuar”, nuk do të thoshte, sepse kjo festë shpirtërisht mbetet e huaj për të. Deri këtu jemi brenda lirisë fetare e ekuilibri që kërkon toleranca ende reziston – unë toleroj zakonet e tua, por edhe ti do durosh zakonet e mia fetare.

“Ata janë përjashtues”

Por në mesin e shqiptarëve myslimanë kemi edhe një pjesë tjetër – atë të besimtarëve më fanatikë, që e ndjekin besimin e tyre me besnikëri të devotshme, por dallojnë nga kategoria tjetër në një pikë – ata janë përjashtues. Kam takuar njerëz të tillë, në Shqipëri e Kosovë, ata janë të përzemërt, megjithëse mua si femër nuk ma kanë dhënë dorën, janë të përshpirtshëm, për sa kohë që tolerohen rregullat e tyre. Për tragjedinë në Turqi, ata nuk shprehin dhimbjen për viktimat, por i bëjnë ato fajtore, viktimat e klubit “Reina” janë mëkatarë që festuan një festë të krishterë, e që nuk meritonin gjë tjetër. Bredhi i Vitit të Ri, fishekzjarrët, festimet e ndërrimit të viteve, rakia, minifundi, feja tjetër – të gjitha nuk janë islame, rrjedhimisht mëkate.

Ata janë të bindur se kanë ekskluzivitetin e besimit të vërtetë, besimtarët e tjerë i përçmojnë hapur si të pafetë, tolerimin e bëjnë dhëmbëskërmitur ose izolohen. Nga radhët e kësaj kategorie vijnë edhe ekstremistët, nga radhët e tyre lindin edhe ata që vrasin në emër të Allahut. E po të sjellim ndërmend se në identitetin tonë kulturor spikat ekzistenca si një komb me tri fe, kupton se sa rëndësi jetike ka për ne harmonia e toleranca mes feve. E nuk duhet ta harrojmë, siç thotë shkrimtari Ismail Kadare, se “ekstremizmi fetar bie ndesh me moralin historik shqiptar”.

Edhe Sulejman Bugari, një imam boshnjak në Sarajevë ka një porosi për ekstremistët. „Atë që nuk kanë për ta kuptuar dot këta ekstremistë, është që myslimanët nuk kanë të drejtën ekskluzive për besimin e vërtetë. Islami nuk është besimi i turqve, arabëve, amerikanëve apo gjermanëve. Të vetmit, të cilit i adresohet besimi është vetë krijuesi.”

Unë nuk e praktikoj besimin fetar siç bën një mysliman i devotshëm, por kam respekt për përkushtimin e tij ndaj Zotit. E një Zot të mirë e mbaj në shpirt gjithmonë me vete edhe unë, një Zot që nuk më ndëshkon, pse më pëlqen një bredh i zbukuruar për Vitin e Ri…

    Data: 05 Janar 2017 14:28
    Autori: Lindita Arapi

    Të tjera