Kthehu lart

22

22 Autori: Polen Pozhari GazetaExpress

22 tetori i sivjetmë nuk është vetëm një datë e rëndomtë në kalendar për kosovarët. Në këtë ditë, udhëheqësve të komunave dhe pretendetëve për t’i marrë ato do t’iu bëhet “gjyqi” nga qytetarët. Kjo është dita kur qytetarët flasin me votën e tyre, kësaj radhe shumë me më përgjegjësi e integritet. Askush më nuk mund t’i mashtrojë ata

1.

Si një proces demokratik, zgjedhjet lokale janë shumë më të rëndësishme se ato parlamentare. Si shoqëri në një tranzicion të stërzgjatur, temat “e nxehta” nacionale fatkeqësisht janë imponuar gjithnjë, por edhe kanë qenë shumë të dëshiruara nga vetë aktorët politikë, shumë nga të cilët “të skaduar afati”. Krejt kjo i ka amnistuar ata nga përgjegjësia konkrete që do të duhej ta kishin në pushtetin lokal karshi votuesve të tyre.

Por, nga kjo “parajsë” papërgjegjësie tashmë, fatmirësisht, nuk po mund të amnistohen udheheqësit lokalë. Meqë jemi në vlugun e fushatës për zgjedhjet e 22 tetorit, mund të thuhet se kjo është e vetmja periudhë kur në mënyrë intensive kthehet vëmendja e politikëbërësve ndaj qytetarit dhe problemeve të tij të përditshme, qoftë edhe në mënyrë formale.

Sa të dëshirueshme do të ishin ndërrimet kushtetuese që do të kufizonin mandatin nga katër në dy vjet për të zgjedhurit lokalë. Thjesht për arsye se janë zgjedhje që ndikojnë drejtpërdrejt në jetën tonë të përditshme dhe cilësinë e saj. Është mundësi kur qytetarit nuk mund t’i shitet mjegull, si zakonisht që bëhet me probleme shpeshherë të vetëkrijuara "madhore", aq të dëshirueshme për politikanët tonë përtacë e pa vizion.

2.

Karakteristikë e kësaj gare azgjedhore është përfshirja në të e shumë kandidatëve të rinj e të reja, të panjohur në publik, nga parti të ndryshme. Ky trend mundëson që thuajse secili qytetar ta ketë mundësinë për zërin e vet në vendimmarrje të komunës së tij.

Votuesit e rinj tash kanë mjaft mundësi të zgjedhin e të mos abstenojnë, siç ndodh zakonisht, për vetë faktin se mund ta kenë zërin e tyre aty ku duhet, një gjë kjo shumë herë e privuar nga gjenerata e vjetër politike vendimmarrëse. Kjo, natyrisht, nuk nënkupton se domosdoshmërisht ata duhet të votohen vetëm për shkak të moshës së re. Mendësia, karakteri i ndërtuar dhe fryma qeverisëse janë më të rëndësishme.

Programet zgjedhore të cilat, deri më tash, të shtypura nëpër fletushka citoheshin vetëm si pjesë dekorative e fushatës, kanë filluar të lexohen dhe vlerësohen më shumë se kurrë më parë. Fakti se në pothuajse të gjitha komunat nuk është i qartë epilogu përfundimtar i zgjedhjeve tregon se partitë politike kanë zgjedhur kandidatët më të mirë. Qytetari nuk iu beson më verbërisht figurave folklorike dhe nuk e jep lehtë votën e tij.

Një aspekt tjetër pozitiv i fushatës është se në shumicën e rasteve nuk dëgjohen premtime megalomane, siç ka ndodhur zakonisht. Kryesisht premtimet tingëllojnë të realizueshme, ndonëse mungojnë elemente që do t’i bënin më të besueshme.

Gjithsesi ka edhe raste të dhënies së premtimeve në mënyrë sipërfaqësore, vetëm sa për sy e faqe, por që vështirë mund të kalojnë “provimin” tek qytetari. Në këto raste nuk e bartin gjithë përgjegjësinë predententët për kryetarë komunash e asambleistë, por edhe një pjesë e gazetarëve që nuk kanë informata të bollshme dhe nuk janë insistues për të nxjerrë nga kandidatët afate për zgjidhjen e problemeve konkrete, me të cilat përballen qytetarët.

3.

Tubimet me qytetarë, respektivisht me militantë partiakë vazhdojnë të jenë thjeshtë defilime të liderëve, e që në fakt nuk do të duhej të ishin të tilla. Fjalimet “përrallore” të tyre nuk kanë nevojë të mbahen fare. Shumë më e rëndësishme se kjo është fokusimi i kandidatëve për kryetarë në problemet dhe ankesat e qytetarëve. Qytetarët votojnë liderët lokalë, pavarësisht tentimeve që shumë premtime të lidhen direkt me nivelin qendror të qeverisjes.

Një aspekt tjetër që së paku mund të konsiderohet politikisht i pamoralshëm është kadidimi i deputetëve, ministrave dhe zytarëve të tjerë qeveritarë për kryetarë ose asambleistë. Dihet fare mirë se të tillët kanë kandiduar jo pse vërtet dëshirojnë të japin kontributin e tyre në nivel lokal, por vetëm për të mbledhur vota për subjektet e tyre politike. Një qasje kjo joserioze karshi qytetarit dhe problemeve të tij.

Sido që të jetë, më 22 tetor udhëheqësve të komunave dhe pretendetëve për t’i marrë ato do t’iu bëhet “gjyqi” nga qytetarët. Kjo është dita kur qytetarët flasin me votën e tyre, kësaj radhe shumë me më përgjegjësi e integritet. Askush më nuk mund t’i mashtrojë ata. 

    Data: 12 Tetor 2017 15:12
    Autori: Polen Pozhari

    Të tjera