Rroga e Skënder Hysenit i përplas edhe një herë LDK-në dhe AAK-në - Gazeta Express
string(61) "rroga-e-skender-hyseni-i-perplas-edhe-njehere-ldkne-dhe-aakne"

Rroga e Skënder Hysenit i përplas edhe një herë LDK-në dhe AAK-në

Gazeta Express

21/09/2020 14:11

Partnerët e koalicionit, LDK-ja e AAK-ja, edhe sot në mbledhje të Qeverisë kanë qenë të ndarë sa i përket koordinatorit nacional për dialogun. Përfaqësuesit e Aleancës në ekzekutiv kanë votuar kundër propozimit që Skënder Hyseni të paguhet nga arka e shtetit sa një zëvendësministër, raporton Gazeta Express.

Pak muaj pas përzgjedhjes së tij në postin e koordinatorit për dialogun, në mbledhjen e sotme të Qeverisë, ekzekutivi e ka saktësuar edhe sa do të paguhet nga buxheti i shtetit Skënder Hyseni.

Lexo Edhe:

Zëvendëskryeministri Driton Selmanaj tha se koordinatori mund të angazhojë ekspertë të përkohshëm për tema specifike të cilat paguhen sipas legjislacionit në fuqi përfshirë edhe kompensimet dhe shpenzimet e udhëtimit, duke deklaruar se paga e tij do të jetë sa e një zëvendësministri.

“Paga është e barasvlershme me pagën e zëvendësministrit sipas praktikave me raste të ngjashme. Ndihmësit, asistentët profesionalë të përkohshëm të koordinatorit shtetëror për dialog me Serbinë sipas vendimit të qeverisë të datës 2 korrik 2020, kompensohen ngjashëm me pozitën e asistentit/es të kryeministrit”, tha Selmanaj në mbledhjen e sotme.

Megjithatë, një propozim i tillë i përfaqësuesve të LDK-së në Qeveri nuk e ka gjetur pajtimin e AAK-së.

Kundër këtij propozimi kanë votuar zëvendëskryeministri i parë, Besnik Tahiri, ministrja e Punëve të Jashtme. Meliza Haradinaj, ministri i Ekonomisë, Blerim Kuçi, dhe ministri i Arsimit, Ramë Likaj.

Pavarësisht se ky propozim mori katër vota kundër, ai arriti t’i marrë votat që i duhen për t’u miratuar në Qeveri.

Partia që udhëhiqet nga Ramush Haradinaj kishte dalë kundër emërimit të Hysenit në këtë pozitë, duke thënë se nuk e përkrah dialogun teknik në nivele të ulëta.

AAK-ja nuk përkrah dialogun teknik në nivele të ulëta koordinatorësh, duke e konsideruar si të gabuar dhe kthim prapa në pozicionin e Kosovës. AAK-ja përkrah dialogun me lidership amerikan, që do përfundojë me njohjen reciproke mes dy vendeve. Koalicionin qeveritar e kemi mbështetur pa kushte, për shkak të gjendjes së rënduar ekonomike, në mënyrë që një qeveri legjitime të marrë masat e duhura në dobi të qytetarëve të vendit. Por, AAK-ja nuk do të përkrahë marrëveshjet e natyrës teknike në të cilat ekziston rreziku që po rrëshqasim”, kishin deklaruar nga AAK-ja. /GazetaExpress/