Kthehu lart

Xheni dhe Benardi: Si i vodhëm zemrën njëri-tjetrit, detaje që nuk u panë në Big Brother

Xheni dhe Benardi: Si i vodhëm zemrën njëri-tjetrit, detaje që nuk u panë në Big Brother GazetaExpress

Për ata që nuk e kanë ndjekur Big Brother 9, Xheni dhe Benardi janë dy 21-vjeçarë që janë njohur dhe dashuruar aty dhe që, në atë kohë, sapo kishin dalë nga shtëpia, duke e lënë lojën pak a shumë në mes.

Megjithatë kishte qenë mjaftueshëm për të krijuar një grup të madh mbështetësish që bën dhe një peticion për t'i kthyer në lojë dhe që vazhdojnë të ndjekin me shumë simpati historinë e tyre të dashurisë e cila duket sikur po i reziston edhe klimës jashtë shtëpisë.

Foto: Orsola Mema Class Photography

Ata që i kanë ndjekur, dinë shumë më tepër. Njohin muskujt dhe butësinë e Benardit. Një lloj qetësie prej motre të madhe dhe kapriçiot prej vajze të vogël të Xhenit. Dhe mbi të gjitha marrëdhënien e tyre aq të veçantë të mbushur me grindje, ngacmime, mërira të kota dhe kthim sërish, në portin e qetë të një përqafimi, nga gjithesesi, e di pa e parë që, temperamentet e tyre shpërthyese do dalin shumë shpejt. Kështu ka qenë marrëdhënia brenda shtëpisë së Big Brother dhe pak a shumë kështu vazhdon edhe jashtë dhe për këtë, por edhe për faktin që janë aq simpatikë, si heronjtë e telefilmave për të rinj, publiku është dashuruar me ta dhe do t'i shohë bashkë. Por kjo është sigurisht në dorën e tyre. Dhe për të mësuar çfarë kanë ndër mend të bëjnë, ne nuk kishim mënyrë tjetër veçse t'i takonim e të realizonim një bisedë të gjatë me ta.

Sigurisht nuk ishte e lehtë, sepse ata gjatë kësaj kohe kanë udhëtuar, sa në Itali, te Xheni, sa në Laç, në familjen e Benardit, por dhe sepse nuk është e lehtë të gjesh të qetë një det që është bërë i njohur pikërisht për dallgët e mëdha dhe të papritura...Që e bëjnë më të bukur, duhet thënë...

Në Itali ishin sepse vëllai i Xhenit mbushi 18 vjeç këto ditë. Ai është lindur atje, ndërsa Xheni ka shkuar me të ëmën kur ishte tre vjeçe, për t'iu bashkuar të atit, i cili ishte larguar që kur ajo ishte tetë muajshe. Ajo ka lindur në Lezhë, nga ka edhe dialektin e shqipes aq interesante me theks italian. Ata jetojnë në Veri të Italisë, ajo ka studiuar Administrim, pëlqen, si shumica e 21-vjeçareve, modën dhe ka një pasion qartësisht të lexueshëm për tatuazhet. "Kam 6", thotë ajo. Ndërsa Benardi asnjë. "Po ku i dihet, ndoshta tjetrin e bëjmë bashkë", shton Xheni. Si gjithçka tjetër këto kohë. Ata janë thuajse kudo bashkë, edhe pse ndryshe nga e dashura, Benardi i ka në Shqipëri jetën, angazhimet, miqtë, familjen dhe sigurisht që të gjitha këto tani i marrin më shumë kohë sesa kur jetonin të dy brenda shtëpisë së BB. Në Laç jetojnë prindërit dhe i vëllai, ndërsa e motra, e martuar, me dy fëmijë, është në Tiranë, ku jeton dhe Benardi, student i Fakultetit të Shkencave të Lëvizjes në Universitetin e Sporteve. Prej 7 vitesh, ai merret me boks dhe pëlqen, si shumica e djemve 22 vjeçarë, makinat.

Xheni Mhillaj, 21 vjece

Benard Marashi, mbush 22 vjec me 20 qershor

Prej këtyre jetëve erdhën ata në BB...Pjesën tjetër, pse vendosën të hyjnë aty, si nisën të pëlqeheshin, si është jeta e tyre tani, çfarë mendojnë të bëjnë me historinë që kanë nisur, cila është e vërteta e "bashkëjetesës", "fejesës", "ndarjeve", na e tregojnë në këtë intervistë të gjatë e të këndshme dhe sigurisht, shumë të sinqertë...Të gjithëve ju, që na kishit shkruar, e dimë që jemi pak vonë, por vetëm tani po mundemi t'ju përgjigjemi...Shpresojmë që përmbajtja e përgjigjes të justifikojë vonesën e saj.

Na tregoni pak, si është jeta juaj pas daljes nga shtëpia e Big Brother?

Benardi: Jeta pas daljes nga Big Brother është pak a shumë njëlloj, ka ndryshuar vetëm që jemi më të kërkuar. Na pëlqen kjo. Nuk na bezdis. Kjo ndihet në rrjetet sociale më shumë, sepse në jetën reale nuk ka ndryshuar gjë.

Xheni: Përveç faktit që tashmë njerëzit na njohin në rrugë, nuk ka ndryshuar asgjë. Bëjmë një jetë normale.

A keni pasur oferta për punë, apo për të marrë pjesë në evente të ndryshme? Si u jeni përgjigjur?

Benardi: Për punë jo në fakt. Na kanë ftuar në një event, por nuk mund të them që kanë qenë shumë.

Xheni: Jo, as unë nuk kam pasur oferta për punë. Për prezantuese dhe në televizion nuk bëhet fjalë një herë, sepse unë nuk flas mirë shqip :)...

Pse hytë në Big Brother?

Benardi: Unë kisha dëshirë. Kam konkurruar edhe dy herë të tjera, një herë nuk më morën, ndërsa një vit nuk u bë fare Big Brother. Aplikimi im i parë ishte plot me informacione, por nuk më kthyen një përgjigje. Ndërsa sivjet lashë vetëm numrin e telefonit dhe emrin dhe më pranuan.

Xheni: Ishte një eksperiencë që doja ta provoja. Fakti që kam jetuar gjithmonë me prindërit, më shtyu të doja të jetoja edhe me njerëz që nuk i njihja dhe të provoja veten.

Benard, u joshe nga ideja se mund të njihje një vajzë aty?

As nuk e kam konceptuar fare këtë pjesë. Pavarësisht se ishte Love Edition, nuk e kisha idenë sesi mund të funksiononte.

Makeup & Hair: Erjona dhe Monaliza, Class AV Makeup

Xheni e kishe menduar që do lidheshe me dikë aty brenda?

Jo, unë mendova që do hynin çifte, por jo se do bëhesha edhe unë çift.

Në fillim u duk sikur nuk e pëlqeve Benardin, çfarë të bëri të ndryshoje mendim?

Si pamje më ka pëlqyer gjithmonë se ishte më i bukuri nga çunat. Por ngaqë e dija që më shikonte familja, më vinte zor.

Po ty Benard çfarë të pëlqeu te Xheni?

Kanë pasur shumë situata, por do veçoja mënyrën sesi qeshte, ajo më tërhoqi. Unë kisha nisur të mendoja që Xheni më pëlqente dhe prandaj nuk u dorëzova derisa i fitova zemrën.

Për Xhenin ndien dashuri, simpati, pëlqim?

Nuk e di mirë, të gjitha bashkë. Kur jam me të ndihem shumë mirë. Ndërsa kur ajo largohet, më merr malli. Dashuri i bie të jetë.

Po ti Xheni çfarë ndien për Benardin?

Aty afër dashurisë... sepse nuk kam qenë e dashuruar, është hera e parë që ndiej kështu dhe më duket sikur kam shumë vite me të.

Çarë të pëlqeu te Benardi?

Karakteri, mënyra sesi flet, edhe batutat që bën herë pas here. Ka qenë i vetmi që më bënte të ndihesha mirë në shoqërinë e tij.

Gjatë kohës së BB, dashur pa dashur ju duhet të jeni çdo të shtunë në Tiranë, por BB mbaron së shpejti. Xheni, çfarë do të bësh pastaj, duke qenë që familja jeton në Itali?

Unë dua të filloj një punë këtu. Po mendoj të zhvendosem në Shqipëri që të qëndroj pranë Benardit. Duhet të bëj edhe sakrifica për ta vazhuar këtë lidhje.

Do të rrish këtu vetëm për të?

Po, jam për Benardin në Shqipëri dhe nëse rri, rri për të.

Fustani: Class AV Dresses

A keni menduar për të hedhur një hap tjetër në marrëdhënien tuaj apo po e shijoni këtë fazë?

Benardi: Po e shijojmë shumë këtë fazë, nuk kemi menduar për të avancuar më shumë në lidhjen tonë. Do shikojmë më vonë se çfarë do të ndodhë, sesi do të ecë lidhja, pastaj do vendosim bashkë.

Xheni: Do më kishte pëlqyer të fejoheshim, por fillimisht duhet të njihemi akoma më shumë. Më vonë, pse jo.

Me sa kemi parë, Benardi është takuar me familjen e Xhenit, po ashtu edhe Xheni ka takuar familjen e Benardit. Si ka qenë takimi, çfarë mendimi kanë familjet për marrëdhënien tuaj?

Benardi: Takimi ka qenë shumë i ngrohtë, nuk kemi pasur pengesa nga asnjëra familje sepse të shtëpisë time e kanë pëlqyer Xhenin dhe kjo ka qenë reciproke edhe nga familja e Xhenit.

Xheni: Unë i kam takuar prindërit e Benardit që kur dolëm nga shtëpia e Big-ut, më pas kemi qenë për drekë te shtëpia e Benardit. Më kanë pritur shumë mirë. Nuk më kanë vendosur në asnjë moment në siklet.

Nuk ju shtyjnë familjet të fejoheni?

Benardi: Ata të familjes sime janë natyra që nuk më ngacmojnë me fjalë.

Xheni: Ata të mitë, në të vërtetë, do kishin dëshirë sepse është një gjë e bukur, por duhet edhe kohë.

Benard ti ke çuar ndonjë vajzë tjetër në shtëpi, siç çove Xhenin?

Jo, madje Xheni është vajza e parë që ka takuar prindërit e mi dhe rrethin e ngushtë familjar si e dashura ime.

E çove sepse kishe dëshirë që familja jote ta takonte?

Nuk është kjo. Unë dua të qëndroj gjatë gjithë kohës me Xhenin, kjo është arsyeja që edhe kur shkova në shtëpi, e mora me vete.

Që ta sqarojmë një herë e mirë, ju bashkëjetoni me njëri-tjetrin?

Benardi: Jo, nuk bashkëjetojmë, por rrimë gjatë gjithë kohës bashkë. Bashkëjetesa është tjetër gjë. Ne akoma nuk e kemi marrë vendimin që të jetojmë të dy në një shtëpi së bashku. Xheni kur është në Tiranë, një ditë shkon te një kushërirë, një ditë vjen te unë, rrimë shumë bashkë, por nuk bashkëjetojmë.

Për kohën që rrini në një shtëpi, i keni ndarë punët? Kush gatuan? Po rrëmujë kush bën më shumë?

Benardi: Unë nuk di të gatuaj në fakt, kështu që Xheni merret me këtë pjesë. Për hir të së vërtetës, Xheni bën më shumë rrëmujë sesa unë.

Xheni: Më pëlqen të gatuaj, megjithatë nuk kam gatuar shumë për Benin.

Ku ngjan dhe ku dallon bashkëjetësa juaj në Big Brother me atë në jetën reale?

Benardi: Ndryshon se aty ishim 24 orë bashkë, ndërsa në jetën reale jemi pak më të ndarë, pasi secili gjatë ditës ka impenjimet e veta. Zënkat (qesh) janë më të rralla. Nëse në Big Brother ziheshim 3 herë në ditë, jashtë shtëpisë së Big-ut zihemi një herë (qesh).

Do me thënë vazhdoni të grindeni, nuk keni bërë paqe?

Benardi: Nuk ka paqe(qesh). Është e njëjta lidhje me zënka, por në fund të ditës, me shumë dashuri.

Xheni: (Qesh) As për mua nuk ka paqe, por ndonjëherë është më mirë kështu. Është një shprehje dhe këngë "L'amore non è bello se non è litigarello" (Dashuria nuk është e bukur, nëse nuk ka grindje).

Po pasi ziheni, kush afrohet i pari?

Varet, nga situata në fakt. Një herë njeri, një herë tjetra.

Po për zënkën që kishit disa kohë më parë mund të na tregoni më shumë çfarë ndodhi? Ishte shkak fotoja e Benit me një vajzë?

Benardi: Fotoja nuk ishte sebepi që unë u zura me Xhenin. Ajo doli 3 ditë pasi ne ishim zënë.

Xheni: Unë nuk i kam pasur problem ato foto. Sa i përket zënkës, nuk ka lidhje ajo foto e Benardit. Zënka ndodhi pas një debati të vogël dhe ne vendosëm t’i fshinim fotot.

Po pse u grindët?

Benardi: Gjëra të parëndësishme. Ishte gabim që fshimë fotot në rrjetet sociale sepse këto gjëra ndodhin dhe nuk ka pse t'i bëjmë kaq të mëdha. Çdo çift ka ato zënkat e veta, por ne e kemi të veçantën tonë që t’i zmadhojmë pak më shumë seç duhet.

Le të kthehemi pak te loja juaj në Big Brother, çfarë mendoni se ju penalizoi që dolët nga shtëpia kur pëlqeheshit aq shumë nga publiku?

Benardi: Ndoshta na penalizoi fakti që nuk ishim shumë aktivë në debate. Aty duhet të flisje gjatë gjithë kohës, qoftë edhe gjëra pa rëndësi thjesht për të rënë në sy dhe për të krijuar debate të ndryshme. Ndoshta edhe pjesa e zënkave na penalizoi, pasi njerëzit ndoshta donin të na shikonin më të dashuruar, jo vetëm duke u zënë. Por tani që kam dal jashtë, kur i shoh ato zënka me Xhenin, më duken shumë komike.

Xheni: Ishim shumë të mirë mendoj, për të qëndruar në atë shtëpi. Sa uI përket zënkave, aty kishte çifte që ziheshin më shumë se ne edhe qëndrojnë akoma brenda.

Cili është çifti juaj i preferuar brenda shtëpisë dhe cilët mendoni se do e fitojnë këtë lojë?

Benardi: Nuk kam asnjë të preferuar. Pasi kam dalë nga shtëpia, që të them të drejtën, nuk e kam ndjekur shumë, por mendoj se Olsi me Fiorentinën ose Danjeli me Fotininë, mund ta fitojnë këtë edicion.

Xheni: Nuk kam çift të preferuar, por nga ata që kanë mbetur, shpresoj që ta fitojnë Danjeli dhe Fotinia.

Kur dolët nga shtëpia, fansat bën një peticion për kthimin tuaj. Nëse produksioni do merrte mbrapsht vendimin, do kishit dëshirë të riktheheshit?

Benard: Po nëse do pranohej që diçka nuk kishte shkuar siç duhet, do kishim pranuar që të hynim sërish.

Tani që hyre në Big Brother, pasi e kishe dëshiruar aq gjatë dhe e provove si ndjesi, mendon që ia vlejti? Ishte siç e kishe menduar?

Benard: Tani që kam dalë, më duket sikur nuk kam qenë ndonjëherë aty. Por gjithsesi mendoj se ia ka vlejtur pasi njoha Xhenin dhe gjithë ata që nuk kanë pasur mundësinë të më njohin personalisht, aty tek Bigu mund të kenë parë vlerat e mia dhe kush jam unë në të vërtetë.

Po ti Xheni?

Po, mendoj se ia ka vlejtur, se kam fituar më shumë se ai që do fitojë çmimin e madh. Kam fituar respektin e njerëzve dhe më të rëndësishmen, Benardin.

Fustani: Class AV Dresses

A ruani miqësi me banorët e tjerë, jashtë shtëpisë së Big Brother?

Benardi: Vetëm me Ervinin dhe Sidritën ruaj marrëdhënie miqësore jashtë shtëpisë së Big Brother.

Xheni, brenda shtëpisë së beqarëve pati një miqësi mes teje dhe Armelës. Me kalimin te shtëpia e çifteve, miqësia juaj u duk sikur u prish. Po tani, jashtë shtëpisë së Big Brother, si janë marrëdhëniet e tua me Armelën?

Jashtë shtëpisë kemi folur, por nuk jemi takuar asnjëherë. Nuk jemi më aq të afërta sa kemi qenë brenda shtëpisë.

Kemi parë që keni shumë fansa dhe shpesh ju dërgojnë edhe dhurata. Si ndiheni dhe a e prisnit gjithë këtë dashuri nga publiku?

Ishte surprizë për ne në fakt, nuk e prisnim. Edhe rrugës na takojnë, na kërkojnë foto. Në fakt nuk e kemi pritur gjithë këtë dashuri nga publiku.

Kur të mbarojë Big Brother, do e kufizoni kontaktin me fansat, do e mbani më private historinë?

Benardi: Jo nuk mendojmë që do mbyllemi. Nuk kemi asgjë për të fshehur.

Xheni: Unë edhe para se të hyja në BB, kur shkoja në një vend apo kaloja bukur kisha dëshirë të postoja ndonjë foto. Dhe tani do vazhdoj njëlloj.../Class/ 




    Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Express Rozë:
    Data: 19 Qershor 2017 18:50
    Autori: GazetaExpress
    • Nudo në zyrë? Mamaqi: Pa merak se...

      Nudo në zyrë? Mamaqi: Pa merak se... 0

    Të tjera