A po vuan "ministri" nga ndonjë sëmundje? Gashi zbulon të vërtetën për Express

Gramos Gashi, mbetet njëri ndër aktorët më të dashur për publikun shqiptar. Ai mori famë nga seriali “Kafeneja Jonë”, me rolin e ministrit, ku në mënyrë profesionale ka ironizuar me politikanët tanë. Ai kohëve të fundit është përfolur në media për shkak të dukjes së tij, duke thënë se ai vuan nga një sëmundje. Por aktori në një intervistë për Gazetën Express, ka hedhur poshtë të gjitha këto spekulime, duke thënë se ka rënë në peshë për shkak të një jete më të shëndetshme. Ndër të tjera ‘Ministri’ më i dashur për kosovarët, ka folur edhe rreth filmit të tij më të ri, por gjithashtu ka treguar se seriali “Kafeneja Jonë” do të kthehet së shpejti.

Syzana Hajredini

Sipas disa informative që kemi, ju jeni duke punuar për një film të ri. A mund të na flisni më shumë rreth tij. Me kë keni bashkëpunuar?

Po e saktë, në të vërtetë filmi është xhiruar vitin e kaluar në Shqipëri, tashmë pritet premiera. Montazhi ka përfunduar në Los Angelos. Filmi ka të bëjë me kohën e komunizmit në Shqipëri. Kam patur fatin të jem pjesë e një kasti shumë të mirë aktorësh, por duhet veçuar stafin teknik. Skenari dhe regjia janë bërë prej Kast Hasa i cili ka shumë vite që jeton në USA dhe është shumë aktiv atje. Kam pasur fatin të punoj me drejtor fotografie të kalibrit botëror, Andrew Park, i cili jeton dhe vepron në Holywood. Për grimin është marrë e mrekullueshmja sllovakja me nam Andrea Cova, e cila gjithashtu është pjesë e shumë projekteve të mëdha. Në fund me lejo të falënderoj partnerët e mi të mrekullueshëm Anila Muçaj, Veton Osmani, Enxhi Cuku e cila është mjaft aktive etj.

Kur pritet të publikohet ky film?

Së shpejti.

Një foto ka qarkulluar dje gjatë gjithë ditës nëpër portalet tona, ku ju shiheni që i keni hequr flokët. Cili është roli juaj në këtë film?

Në të vërtetë flokët nuk janë hequr fare, është mjeshtri e grimeres së mrekullueshme Andrea Cova.

Ndërkohë është përfolur shumë edhe ndryshimi i juaj në peshë. Pse ky ndryshim i madh në peshën tuaj?

Ndryshimi në peshë, hahaha. Pak për film e më shumë si dëshirë për një jetë më të shëndetshme.


Sa fitoni prej aktrimit, a është e vështirë të jesh aktor në vendin tonë?

Aktorin në Kosovë e mban pasioni, se sa për pagesë, jam i sigurt që asnjeri s'do ta pinte cigaren se as për cigare nuk fitohet.

Sa ka rëndësi për ju "Kafeneja jonë", çfarë është duke ndodhur me të?

"Kafeneja" është pjesë e jetës, është si të them pjesë e trupit. Shpresoj që së shpejti do të fillojë me sezon të ri edhe shumë më të suksesshëm sesa të parët.

Cilat janë angazhimet tuaja momentalisht?

Momentalisht nuk kam angazhim konkret dhe po shikoj mundësitë për angazhime të reja. /GazetaExpress/

Të tjera

Lajmet e fundit