Rasti i Elisabeta Imeraj, kush po e sfidon Ambasadën Amerikane?! - Gazeta Express
string(61) "rasti-i-elisabeta-imeraj-kush-po-e-sfidon-ambasaden-amerikane"

Rasti i Elisabeta Imeraj, kush po e sfidon Ambasadën Amerikane?!

Ballina

Ermal Mulosmani

23/06/2021 16:20

Rasti i vetingut të Kryeprokurores së Tiranës, Elisabeta Imeraj, shënon të parin rast të konfrontimit real mes trupës ndërkombëtare të ONM-së (Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit) dhe gjykuesve lokalë të vetingut, Komisionit të Pavarur të Kualifikimit (KPK).

Në fakt konflikti është shumë më serioz se kaq.

Lexo Edhe:

Koordinimi i deritanishëm i  institucioneve shqiptare të rivlerësimit (KPK, KPA dhe Komisioner Publik) me ato “këshilluese” ndërkombëtare (ONM)  ka qenë një  tregues absolut i përparësisë së ndërkombëtarëve në proces. Dukej sikur trupa lokale vetëm noterizonte vendimet që Genoveva Cavalera,  Theo Jacobs e të tjerë “këshillues” të ONM-së, merrnin për çdo rast.

Përparësia e ONM-së ishte dukshëm një orientim politik i Qeverisë Shqiptare. “Reforma në Drejtësi është e amerikanëve”- ishte një aksiomë politike që nënkuptohej lehtë në çdo retorikë publike të Kryeministrit apo zërave të tjerë publik afër qeverisë.

Aq i madh dhe extra-ligjor ishte pushteti i tyre në reformën e vetingut sa, anëtari i trupës së ONM-së, Theo Jacobs, në një rast kritikoi SPAK-un pse e mori të pandehur për falsifikim Luan Dacin, një anëtar të Kolegjit të Posaçëm të Apëlimit (KPA)!

Imagjinojeni pak, një gjyqtar zbulohet se ka falsifikuar të dhënat, SPAK fillon çështjen, Gjykata Speciale e Shkallës së Parë e gjen të drejtë pretendimin e Prokurorisë dhe e dënojnë me burg (6 muaj) atë!

Theo Jacobs deklaron: “Prokurorët dhe Gjyqatrët e SPAK-ut nuk duhej të ishin aty”!

Kolegji i Posaçëm i Apelimit (kolegët e Luan Dacit)  në zbatim të referencave Kushtetuese e pezullojnë Luan Dacin nga puna si Gjyqtar i KPA-së me datën 24 Korrrik 2020.

Gjykata e Apelit e Krimeve të Rënda konfirmon vendimin e Shkallës së Parë. Gjykatësit nuk munden të injorojnë faktin që një falsifikator është ngjitur në karrigen e lartë të Gjykatësit Kushtetues. Sedra profesionale e tyre nuk i lë të japin një vendim në favor të ONM-së prandaj konfirmojnë vendimin e kolegëve të tyre të shkallës së Parë.

Luan Daci, menjëherë pas dënimit deklaron se nuk do të largohet nga KPA.

Ai përmend 100 votat e parlamentit dhe deklaratën e Ambasadores së USA-s sipas së cilës “Procedimi penal i Luan Dacit është thikë pas shpine ndaj Reformës në Drejtësi”.

Një gjyqtar kushtetues që mbrohet me deklarata ambasadorësh për dënimin nga Gjykata e vendit të tij është treguesi më i mirë i nivelit të gjyqësorit në Shqipëri. Bëhet fjalë për vendimin e Gjykatës më të Lartë të Krimit dhe Korrupsionit në Shqipëri, nga gjykatës të kaluar në filtrin e vetingut të Jacobs.

Çështja është në Gjykatën e Lartë.

Po t’i hedhësh një sy CV-së zyrtare të zotit Daci kupton që përpjekjet e ndërkombëtarëve nuk janë të bazuara në cilësitë profesionale të zotërisë sesa në devotshmërine e tij për të firmosur gjithçka ata i ofrojnë. Ai është një produkt i shkollës famëkeqe të Plepave, i përjashtuar nga sistemi për paaftësi…

Pikërisht këtë dokumet Daci ia ka fshehur zyrtarëve.

*****

Atëherë çfarë ndodhi befas, që,  një trupë lokale, e parëndësishme, e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit(KPK) sfidon hapur Theon “e tmerrshëm” që vran e kthjell në vetingun shqiptar?! Si guxojnë tre gjyqtarë “anonimë” të mos përfillin 5 gjetjet e ONM-së në vetingut ndaj Imerajt? Edhe pasi dëgjuan sikterisjet 8 orëshe, të dyanshme, me akuza nga më të padenjat?!

Si ka mundësi që të nesërmen e përplasjes 8-orëshe Jacobs-Imeraj, një tjetër institucion i lartë i drejtësisë në vend, Këshilli i Lartë i Prokurorisë (KLP) merr vendimin për ta emëruar Prokuroren Imeraj si Prokurore të Tiranës?!

Çdo njeri që ndjek me sadopak vëmendje çështjet e Reformës në Drejtësi në vend ka kuptuar që në rastin e zonjës Imeraj konflikti është përtej disa gjyqtarëve lokalë apo Institucioneve të reja të Drejtësisë me ONM-në.

Konflikti i vërtetë është midis Kryeministrit Rama si përfaqësuesi i padiskutueshëm i maxhorancës në vend dhe Ambasadës së USA-s si mbështetësja kryesore e Reformës në Drejtësi. Kryeministri duket se mbështet konfirmimin e Prokurores në sistemin e ri të Drejtësisë ndërsa të huajt janë kundër saj.

Deklarata e Ambasadores Kim, pasi bënte me dije rekursin e vendimit të KPK-së nga vëzhguesit ndërkombëtarë u bënte thirrje për guxim dhe integritet gjyqtarëve të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit (nënteksti ishte shkarkimi i Imerajt).Ambasadorja nuk mjaftohej me aq, u kërkonte edhe mediave të raportojnë me integritet e “mos të qëndrojnë të heshtur dhe të verbër”

********

Hera e fundit kur pati një konflikt të tillë, të dukshëm, ishte Marrëveshja e  famshme e 05 Qershorit.  Kryeministri Rama u tall hapur me atë marrëveshje duke miratuar ndryshimet kushtetuese që rrëzonin bash thelbin e saj, dy muaj më vonë. Përkundër çdo tradite të mirë që ndryshimet thelbësore të sistemeve zgjedhore duheshin bërë në koordinim me opozitën e vërtetë, Rama zgjodhi përparësinë e numrave të siguruar nga surrogatët parlamentarë për të hedhur në erë marrëveshjen e 05 Qershorit.

Tallja me  marrëveshjen e përshëndetur nga Sekretari i Shtetit Pompeo ishte një tregues që ai nuk përfill fare amerikanët kur rekomandimet e tyre i bien ndesh me interesat e tij. Menjëherë  filloi të përrralisë për sovranitet e broçkulla nacionaliste apo dëshira mbarëpopullore. Zonja Kim, befas, u ndie e parëndësishme.  Liderët opozitarë u ndien të tradhëtuar, populli opozitar i vjedhur. Ata që i kishin varur të gjitha shpresat te garancia amerikane pësuan zhgënjim të thellë.

Kjo ishte një çështje shumë më e madhe sesa vetingu i një prokuroreje. Sfida ndaj Ambasadës së USA-s ishte edhe demonstrim i fuqisë së Ramës kur i intereson një çështje.

A ia vlen një veto tjetër për një Prokuror?

Le ta shohim. Deri sa çështja të shkojë në KPA do ketë kohë.