Protesta e nesërme e VV’së, partitë e akuzojnë për presion ndaj Gjykatës Kushtetuese - Gazeta Express
string(82) "protesta-e-neserme-e-vvse-partite-e-akuzojne-per-presion-ndaj-gjykates-kushtetuese"

Arlena Krivenjeva

27/05/2020 17:34

Protesta e nesërme e VV’së, partitë e akuzojnë për presion ndaj Gjykatës Kushtetuese

Arlena Krivenjeva

27/05/2020 17:34

Në sheshin e Prishtinës nesër është paralajmëruar se do të mblidhen deri në pesë mijë persona, të organizuar nga Lëvizja Vetëvendosje si provë për protestë në kohë të pandemisë. Këtë organizim që partia e Albin Kurtit e quajtur performancë, po e kundërshtojnë nga partitë tjera në vend që sot gjatë ditës kanë folur për Gazetën Express. Sipas tyre kjo po bëhet për të bërë presion ndaj vendimit që pritet të marrë Gjykata Kushtetuese për mandatarin.

Nga ora 17:00 të enjten, Lëvizja Vetëvendosje ka paralajmëruar se do të mbajnë një performancë në sheshin e Prishtinës.

Lexo Edhe:

Për këtë organizim dy orësh të partisë së Albin Kurtit që po e quajnë provë për protestë në kohë të pandemisë, të njëjtët kanë marrë leje edhe nga Policia e Kosovës.

Megjithatë, ky organizim që vjen në ditët kur pritet vendimi i Gjykatës Kushtetuese për ligjshmërinë e dekretit, po shihet si presion ndaj këtij institucioni nga partitë e tjera politike në vend.

Nga partia që udhëhiqet nga Kadri Veseli i kanë thënë Gazetës Express se dënojnë çdo paralajmërim për protestë që bëhet me tendencë për të bërë presion ndaj Gjykatës Kushtetuese.

Avni Bytyqi, zëdhënës në PDK, thotë se sjellja e partisë në pushtet po i shërben një klime të presionit dhe frikësimit të gjyqtarëve të Kushtetueses gjatë këtyre ditëve.

“PDK dënon çfarëdo deklarate, qëndrim apo qoftë edhe paralajmërim për protesta që drejtpërdrejt ose tërthorazi kanë për qëllim dhe tendencë të ushtrojnë presion ndaj Gjykatës Kushtetuese dhe vendimeve të tyre të mundshme. Fatkeqësisht, sjellja e partisë në pushtet, LVV dhe Kryeministrit të shkarkuar Kurti i kanë shërbyer një klime të presionit dhe frikësimit të gjyqtarëve gjatë këtyre ditëve. Është rasti i vetëm dhe i rrezikshëm kur një parti në pushtet po përpiqet ta mbroj karrigen përmes protestave. Një rast të tillë kemi parë vetëm në vendet autoritare e totalitare kur instrumentalizohen protestat për të mbrojtur pushtetin me çdo kusht. Në rrethanat e pandemisë, paralajmërimet për protesta dhe grumbullim të njerëzve janë kundër rregullave të vet ISHPK dhe rrezikojnë shëndetin publik të qytetarëve të Kosovës”, ka thënë ai.

Njejtë si PDK’ja po deklarojnë edhe nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës. Në partinë që udhëhiqet nga Ramush Haradinaj kanë bërë thirrje për qytetarët që të kenë kujdes.

Deputetja e AAK’së, Teuta Haxhiu thotë për Gazetës Express se do të respektojnë në plotëni vendimin e Gjykatës Kushetuese.

“Nuk kam pa lajm për këtë dhe nuk e komentoj çfarë mendon secili subjekt politik, aq më pak në këtë kohë Vetëvendosja. Në këtë rast secili qytetar duhet të mendoj më së pari për veten, ende kemi raste të reja me koronavirus, ende duhet të kemi kujdes secili, kjo është koha kur po mendojmë që jemi ka fundi i kalimit të gjendjes së pandemisë kurse për tjerat absolut nuk i komentoj, presim vendimin e Gjykatës, çfarëdo të jetë ne si Aleancë kemi treguar që do ta respektoj në plotëni. I ftoj qytetarët me pas kujdes deri në fund të betejës me koronavirus”, ka thënë Haxhiu.

Në Nismën Socialdemokrate, thonë se organet e rendit nuk duhet që të lejojnë këtë organizim.

“Kjo është edhe një veprim të cilin e bën LVV’ja e që nënkupton presion ndaj aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, e para, dhe normalisht një gjë e tillë nuk duhet që të lejohet që të ndodhë nga organet e rendit, përderisa janë në fuqi masat për mbrojtje nga virusi COVID 19. Organet e sigurisë që janë kompetente për me i zbatu vendimet, në këtë rast kemi masa për kufizime të caktuara, atëherë organet e rendit dhe institucionet tjera nuk duhet në asnjë formë të lejnë grumbullimet e njerëzve që mundet me shkaktu rrezikun e shpërthimit të madh të infketimit të njerëzve me virusin COVID 19”, ka thënë për Gazetën Express, deputeti i Nismës, Endrit Shala.

Për organizimin e LVV’së kanë folur edhe nga PSD’ja. Kreu i kësaj partie, Dardan Molliqaj përmes një reagimi ka thënë se partia e Albin Kurtit po vepron në kundërshtim me masat kufizuese të cilat i kanë vendosur vet.

Se një veprim i tillë është presion ndaj Gjykatës Kushtetuese dhe vendimit që pritet të marrë ky institucion, e thotë edhe njohësi i çështjeve politike, Fitim Salihu.

Në një përgjigje për Gazetën Express, Salihu thotë se LVV’ja po bën presion që Gjykata të vendos në favor të tyre.

“Ky është një presion i hapur sepse në këtë mënyrë jo vetëm që prezumohet dhe paragjykohet vendimi final i Gjykatës Kushtetuese por edhe bëhet presion që Gjykata Kushtetuese të vendos në favor të Vetëvendosjes.Kur e merr parasysh faktin që edhe zyrtarët e partisë kanë mohuar të thonë se respektojnë vendimin e Gjykatës Kushtetuese, vlerësoj se ky është rast i presionit të pushtetit ndaj gjyqësorit, karakteristikë kjo e regjimeve autokratë” ka thënë Salihu.

“Vetëvendosja e ka të drejtën e plotë të mos pajtohet me një vendin eventual të Gjykatës Kushtetuese dhe madje të protestojë kundër asaj. Por, një protestë pa e ditur se cili është vendimi është shkelje e ndarjes demokratike të pushteteve. Për më keq, ky është paralajmërim se Vetëvendosja nuk do ta njoh një vendim që nuk i përshtatet asaj”, ka thënë ai, duke shtuar se secili duhet të respektojë vendimin e Gjykatës.

“Kosova ka nevojë për një kulturë institucionale e konstitucionale të respektimit të ndarjes së pushteteve dhe të respektimit të vendimeve gjyqësore. Është e drejtë e secilit të mos pajtohet me vendimin e Gjykatës Kushtetuese, por askush nuk ka të drejtë të mos i respektojë ato vendime”, ka shtuar Salihu.

Për mundësinë e protestave ka folur edhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti.

Në një paraqitje para mediave, kreu i Qeverisë në detyrë ka thënë se lehtësimi i kufizimit të lëvizjes nuk është i ndërlidhur me mundësinë që të ketë protesta këtë javë.

“Menaxhimi i drejt dhe i mirë i pandemisë ka krijuar kushtet për heqjen e disa prej masave. Për lirimin e qarkullimit dhe lëvizjes që kësaj radhe është nga ora 05:00 e mëngjesit deri në orën 21:00 të mbrëmjes. Pra qytetarët mund të lëvizin, kjo do të thotë që megjithatë duhet të mbajnë distancën fizike më së paku prej 2 metrave, të ruajnë higjienën personale dhe mos t’i praktikojnë vizitat familjare. Sa i përket organizimeve dhe protestave qytetare ato janë të qytetarëve dhe janë të drejta të tyre. Nuk kanë të bëjnë fare me vendimet e fundit”, u shpreh Kurti./GazetaExpress/