Përdhunuesi i të miturës i punësuar si roje shkolle prej 20 vitesh, ka ngacmuar seksualisht edhe mësueset - Gazeta Express
string(104) "perdhunuesi-i-te-mitures-i-punesuar-si-roje-shkolle-prej-20-vitesh-ka-ngacmuar-seksualisht-edhe-mesueset"

Gazeta Express

04/06/2020 18:54

Përdhunuesi i të miturës i punësuar si roje shkolle prej 20 vitesh, ka ngacmuar seksualisht edhe mësueset

Gazeta Express

04/06/2020 18:54

Zbulohen detaje të reja rreth së shkuarës dhe pozicionit të rojes së shkollës në periferi të Tiranës, i arrestuar gjashtë ditë më parë për përdhunimin sistematik të nxënëses 15-vjeçare, ngjarje e cila ka tronditur opinionin publik, ndërsa ka ngritur pikëpyetje të mëdha sa i takon rolit të drejtuesve të institucioneve arsimore për sigurinë e fëmijëve.

Roja përdhunues, Abaz Doku mësohet se është punësuar për të ruajtur shkollën që në vitin 2000, ndërsa sjelljet e tij mësohet se kanë qenë problematike në vijimësi, me ngacmime seksuale jo vetëm ndaj nxënësve, por edhe mësueseve.

Lexo Edhe:

Roli i tij e tejkalonte atë të rojes tek dera e shkollës, pasi siç duket edhe nga një video e publikuar së fundi, ai jepte koncert para nxënësve në derë të shkollës, nën hundën e drejtuesve të shkollës. Këtë ‘pushtet’ të paligjshëm roja duket se e ka përdorur për të jetësuar instiktet e tij kriminale tek fëmijët.

Sipas Report tv roja është emëruar nga komuna përkatëse, e cila u shkri me reformën territoriale, duke u bërë pjesë e Bashkisë së Kamzës. Prej një viti mësohet se i arrestuari për përdhunim kishte kaluar roje në një shkollë tjetër. Sipas burimeve, kalimi ka ardhur pas konfliktit me të birin, për pozicionin e rojes. Babë e birë janë përplasur se cili do të qëndronte roje.

Roja i arrestuar për abuzim me të miturën mësohet se është paguar nga shkolla deri në vitin 2017, ndërsa më pas nga Bashkia Kamëz. Për të siguruar pagën e rojes, shkolla zakonisht vendos nën presion nxënësit për të siguruar kontributet nga prindërit e tyre. Është praktikë e zakonshme tashmë që nxënësit kontribuojë me nga 1 mijë lekë në vit për të mbuluar shpenzimet për pagën e rojeve, blerje boje, perde dhe shpenzime të tjera. Paratë nxënësve u merren në formën e donacioneve, formë e cila parashikohet në ligj.

Mënyra e përdorimit të parave të mbledhur miratohet nga bordi i shkollës, i cili përbëhet nga prindërit, nxënësit, mësuesit dhe përfaqësues të qeverisjes vendore.

Ligjërisht shpenzimet për mirëmbajte të shkollave dhe ruajtjen, ku përfshihen edhe pagat e rojeve duhet të mbulohen nga bashkitë, të cilave qeveria u jep një fond të veçantë në bazë të numrit të nxënësve. Në ligjin për arsimin parauniversitar parashikohet qartë se bashkitë janë përgjegjëse për ruajtjen e dhe mirëmbajtjen e shkollave, garantimin e paprekshmërisë së institucioneve arsimore, garantimin e kushteve higjieno-sanitare dhe atyre të ngrohjes në godinat e institucioneve arsimore publike.

Pra, ligjërisht edhe emërimi i rojeve dhe pastrueseve të shkollës si pagat e tyre janë në kompetencë të bashkisë. Gjithashtu, Ministria e Arsimit, sipas ligjit, duhet t’u dërgojë disa kritere bashkive, në bazë të të cilave, duhet të zgjedhin rojet dhe pastrueses.

Ndërkaq, sipas ligjit nr. 69/2012, drejtori i shkollës në fjalë, është përgjegjës për skandalin, ku roja abuzues jepte shfaqje para nxënësve, në vend që të qëndronte tek dera, për t’u kujdesur për sigurinë e shkollës. Neni 54 i këtij ligji parashikon që drejtori drejton veprimtarinë e institucionit arsimor dhe menaxhon institucionin. Ndërsa institucioni ka për detyrë krijimin e mjedisit miqësor dhe të sigurt për nxënësit.

Ndërkaq, pranë shkollës duhet të funksionojë edhe një komision i etikës dhe sjelljes, i përbërë nga mësues, prindër dhe nxënës. Komisioni shqyrton të gjitha ankesat për sjelljet e papërshtatshme. Për funksionin e këtyre hallkave janë përgjegjëse zyrat arsimore vendore, të cilat varen nga Ministria e Arsimit.