Kthehu lart

Vetëvendosje t’i japë krahë Shpendit

Vetëvendosje t’i japë krahë Shpendit Autori: Imer Mushkolaj GazetaExpress

Përtej inateve e hakmarrjes, Lëvizja Vetëvendosje duhet të mbështesë Shpend Ahmetin në postin e kryetarit të Prishtinës, duke treguar përgjegjësi e integritet. Duhet të bashkëqeveris me të në të mirë të qytetarëve, e jo të radhitet në anën e bllokuesve, çfarë di të jetë opozita LDK-PDK. Kështu edhe Vetëvendosja fiton

Ende pa u davaritur reja e pluhurit që krijoi dorëheqja e Shpend Ahmetit nga të gjitha pozitat në Lëvizjen Vetëvendosje, nisën kalkulimet se si ai mund të largohet nga funksioni i kryetarit të Prishtinës. Dilemës se sa Ahmeti ka legjitimitet moral që edhe më tutje të udhëheq Komunën e Prishtinës i dhanë përgjigje jo vetëm votuesit e Vetëvendosjes, por edhe zyrtarë të partive të tjera. Menjëherë nga Ligji për Vetëqeverisje Lokale u citua neni i 72’të, i cili edhe u shpërnda shpejt nëpër rrjetet sociale, nen ky që përcakton mundësinë e shkarkimit të një kryetari komune. Sipas ligjit, qytetarët mund të ndërmarrin iniciativë për largimin e kryetarit me mbledhjen e nënshkrimeve të 20 për qind të votuesve të regjistruar. Lista i dorëzohet kryesuesit të kuvendit të komunës, i cili e paraqet çështjen në institucionin përkatës për administrimin e votimit. “Nëse shumica e votuesve të regjistruar votojnë për largimin e kryetarit, zgjedhjet e reja për kryetar duhet të bëhen në pajtim me ligjin mbi zgjedhjet”, thuhet në këtë nen.

Një zgjidhje që tingëllon lehtë dhe bukur, si hakmarrje ndaj njeriut që si kandidat i Vetëvendosjes fitoi dy herë kryeqytetin. Por që është vështirë e realizueshme, për të mos thënë e pamundur.

Në një rast të ngjashëm me Shpend Ahmetin, Mimoza Kusari-Lila ishte larguar nga AKR në gjysmë të mandatit si kryetare e Komunës së Gjakovës, por e kishte çuar mandatin deri në fund. Ndryshe nga Ahmeti, ajo nuk ishte sulmuar shumë nga anëtarë të ish-partisë së saj. Asnjëri nuk ia kishte përmendur as nenin 72.

Dorëheqja e Ahmetit nga Vetëvendosje ishte e pritshme. Situata e krijuar brenda partisë nuk premtonte tjetër fund. Megjithatë ai nuk u ngut që të largohet, madje mori pjesë në procesin zgjedhor brendapartiak dhe, bashkë me Glauk Konjufcën, u përpoq që të gjejë një zgjidhje për pajtimin e palëve të hasmëruara, por që rezultoi pa sukses.

* * *

Gjatë fushatës parazgjedhore, Shpend Ahmeti dhe të tjerë nga Vetëvendosja kishin kërkuar nga votuesit që “t’i japin krah Prishtinës”, respektivisht t’i votojnë kandidatët për asambleistë mjaftueshëm sa për të udhëhequr Prishtinën pa u bllokuar nga opozita. Kjo edhe u arrit, pas koalicionit me disa parti. Por tashmë njëri krah “është thyer” dhe nuk po e mbështet Ahmetin.

Në letrën e tij të dorëheqjes, Ahmeti nuk ka bërë të ditur nëse do t’i bashkohet grupit të të pakënaqurve për të themeluar subjekt të ri politik, apo do të vazhdojë të udhëheq komunën si i pa parti. “Asambleistëve të LVV nuk u kërkoj të bëjnë asnjë gjë karshi vendimit tim. Për mua janë të njëjtit sido që të vendosin”, ka shkruar Ahmeti.

Është çështje e Vetëvendosjes se si do të sillet në Kuvendin Komunal të Prishtinës pas situatës së re të krijuar, por bllokimi i Ahmetit do t’i hakmerrej.

Është e vërtetë se ai është zgjedhur dy herë kryetar i kryeqytetit si kandidat i kësaj partie por, po ashtu, nuk duhet harruar se pa Ahmetin, Vetëvendosje nuk do ta kishte fituar as rifituar Prishtinën.

Një qasje pragmatike, që do të nënkuptonte mosbllokimin e Ahmetit, do t’i vinte përshtati Vetëvendosjes që, siç ka thënë Liburn Aliu, duhet të përcaktohet nëse dëshiron të hyjë në koalicion me të. Duke e përkrahur Ahmetin në vendime të rëndësishme për qytetarët, Vetëvendosje do të tregonte përgjegjësi e integritet dhe nuk do të radhitej në anën e opozitës bllokuese, çfarë ka ditur të jetë mandatin e kaluar ajo LDK/PDK. Duke mos e bllokuar Ahmetin, Vetëvendosje do t’i jep krahë vetes dhe, nëpërmjet drejtorëve të vet komunalë, do të mundet të dëshmojë mirëqeverisje në sektorë përkatës. Tekefundit, përtej inateve e hakmarrjes, Vetëvendosje më mirë e ka me Ahmetin kryetar në Prishtinë, sesa me ndonjë kryetar të partive tradicionalisht rivale.

* * *

Por, si mund të sillet dhe të veprojë Shpend Ahmeti? Pavarësisht të ardhmes së tij politike, ai duhet të çojë përpara zotimet për kryeqytetin. Përplasjet partiake nuk duhet të ndikojnë në projektet shumë të nevojshme që ai duhet t’i realizojë për qytetarët.

“Jam i vetëdijshëm se ndoshta mund ta kemi më vështirë në Kuvendin Komunal, por qëndrimet dhe bindjet janë më të rëndësishme se komoditeti. Unë mbetem i njëjti, besnik ndaj vetvetes dhe qytetarëve të Prishtinës”, ka shkruar ai në letrën e dorëheqjes, duke premtuar se energjinë e vet do ta fokusojë në krijimin e kushteve për një jetë më të mirë për qytetarët.

Qytetarët e Prishtinës në asnjë mënyrë nuk duhet të vuajnë pasojat e vendimeve politike, pa marrë parasysh nëse janë të drejta a të gabueshme. Është e drejtë e Shpend Ahmetit që të vendos për të ardhmen e vet, t’i ndjek ambiciet e veta, por prishtinasit ia kanë dhënë votën që të punojë për ta. Këtë mund ta bëjë po që se ka vullnet dhe po që se lakmia për përfshirje në një subjekt tjetër politik nuk është më e madhe se vullneti për t’i përmbushur pritjet e qytetarëve.

    Data: 13 Mars 2018 17:40
    Autori: Imer Mushkolaj

    Të tjera