Kthehu lart

Tradita, ose këneta e banditëve

Tradita, ose këneta e banditëve Autori: Arben Idrizi GazetaExpress

Tani do të më habiste vetëm një përfundim: nëse Dardan Gashi do të kërkonte falje dhe, për ta dëshmuar pendimin (sepse të gjithë mund të gabojmë) do të jepte dorëheqje. Ose, nëse kryeministri ynë i dhënë pas armëve – traditave banditore (pas librave s’ka si të jetë i dhënë), do ta shkarkonte. Të tjerat, edhe zhvendosja e tij në ndonjë post tjetër, si lloj shpërblimi, janë krejt të rëndomta

Personalisht, me shumë vështirësi do të mund të më shkonte mendja se Dardan Gashi (ai që e konsideronim si të edukuar dhe, bile, të butë), do të katandisej deri në atë derexhe sa të shkonte në odën e një banditi me nam dhe, për më tepër, të shtinte me armë, për ta festuar atë që tashmë do të mund të cilësohej pothuajse rehabilitimi i tij i plotë prej të jashtëligjshmi.

Bile, do ta kisha pasur të vështirë të besoja se ai edhe mund të pranonte thjesht të merrte pjesë në një aheng të atillë banditesk. Kjo nuk do të thotë se unë ushqeja ndonjë iluzion për personalitetin e tij politik. Po flas thjesht për disa pritje maturie dhe mirësjelljeje që i kemi ndaj personave të caktuar publikë.

Sigurisht, asgjë për t’u habitur. Dardan Gashi, ministër i Diasporës dhe Investimeve Strategjike si dhe zëvendëskryeministër, nuk dallohet në të vërtetë për asgjë nga vetë banditët, miq, eprorë e vartës të tij. Askush nuk e ka tërhequr zvarrë (edhe pse banditët e llojit të atij nikoqirit e bëjnë edhe këtë). Askush nuk ia ka vënë armën me zor në duar. Askush nuk e ka mashtruar se është lodër. Askush nuk e ka gënjyer se nuk do të incizohet dhe bëhet publike. Askush nuk e ka namatisur sa të besojë se nuk është e kundërligjshme. Më e shumta, ai banditi mikpritës do të mund ta ketë siguruar se shkelja nuk do të ketë pasoja ligjore (ashtu siç nuk kanë pasur veprimet e tij).

Edhe në interpelancën e sotme, të thirrur për këtë rast, shumë politikanë dhe vetë kryeministri Haradinaj vazhduan ta justifikojnë aktin e tillë. Kryeministri na kishte skandalizuar vetëm pak ditë pas ngjarjes, duke e vlerësuar veprimin një traditë të çmueshme që duhet respektuar.

Ligjvënësit janë për traditat e paligjshme. Këtu ndihen rehat, të sigurt dhe të paprekshëm. Ky është moçali i tyre ideal, nga i cili nuk duan të dalin dhe në të cilin arrijnë të frymojnë lirshëm konform natyrës së tyre. Pra, ligjvënësit janë për tradita ta paligjshme. Kështu do të mund të reduktohej, në mënyrë aforistike, e gjithë kjo histori. Si e tillë, pra është vetëm një hallkë në zinxhirin e pafundmë të keqpërdorimeve, shkeljeve, papërgjegjësive dhe banditllëqeve të tjera politike.

Tani do të më habiste vetëm një përfundim: nëse Dardan Gashi do të kërkonte falje dhe, për ta dëshmuar pendimin (sepse të gjithë mund të gabojmë) do të jepte dorëheqje. Ose, nëse kryeministri ynë i dhënë pas armëve – traditave banditore (pas librave s’ka si të jetë i dhënë), do ta shkarkonte.

Të tjerat, edhe zhvendosja e tij në ndonjë post tjetër, si lloj shpërblimi, janë krejt të rëndomta.

    Data: 26 Janar 2018 15:35
    Autori: Arben Idrizi

    Të tjera