Kthehu lart

Ta lash turpin me turp

Ta lash turpin me turp Autori: Imer Mushkolaj GazetaExpress E premte, 06 Janar 2017 16:59

Në vend që t'i pastrojë listat nga veteranë mashtrues, qeveria e Isa Mustafës zgjodhi të bëjë kategorizimin e tyre. Pasojat e ligjit të ri do t'i bartin veteranët e vërtetë të luftës, kurse mashtruesit e jomeritorët do të jenë përfituesit më të mëdhenj. Mustafa dhe qeveria e tij kanë vendosur ta lajnë turpin me turp

Kur Qeveria dhe kryeministri Isa Mustafa miratuan listën prej më shumë se 46 mijë veteranësh të luftës, ishin të vetëdishëm se nuk mund të sigurojnë mjete financiare për pensionet e tyre. Mustafa thoshte se me rëndësi ishte "të përmbyllej evidenca", por se çështja mbetej të trajtohej në të ardhmen. Në këtë mënyrë, Qeveria e lëshoi rastin që ta refuzojë raportin e komisionit qeveritar për njohjen dhe verifikimin e statusit të dëshmorit të kombit, invalidit dhe veteranit të UÇK-së dhe të kërkojë rishikimin e listës që përfshinte më shumë se dyfishin e numrit të pretenduar se kanë qenë pjesë e UÇK-së.

Në fakt, gabimi më i madh u bë qysh në fillim të procesit, kur vetaranëve iu dha mundësia që të aplikojnë për pensione. Ekzistonin lista të qarta me emrat e atyre që kishin luftuar dhe ishte shumë e lehtë që procesi të përmbyllej, duke përfituar vetëm ata që bënin pjesë në ato lista. Por, partitë politike dhe organizatat, po ashtu politike, që përfaqësojnë veteranë zgjodhën këtë mënyrë, ngase e dinin se mund të manipulojnë lehtë për interesa të tyre.

Në lista u futën njerëz që nuk kishin qenë pjesë e luftës, që nuk i plotësonin kriteret e përcaktuara, njerëz që paguan para të majme për të marrë statusin e veteranit. Në lista u futën edhe njerëz në kohën e luftës ishin të mitur, njerëz që kishin ikur nga vendi duke kaluar kohën nëpër plazhet e Shqipërisë e Malit të Zi, njerëz mashtrues që donin të përfitonin para nga shteti, për të cilin nuk kishin kontribuar në luftë. Dhe, zingjiri përgjegjës për këtë maskarallëk nis që nga komandantët e ushtarëve të UÇK'së, të cilët pranuan që "ushtarë" të tyre të jenë edhe mashtrues të tillë, për të vazhduar pastaj tek komisioni qeveritar dhe te Qeveria.

Në listat e veteranëve u bënë bashkë ish-ushtarët e vërtetë dhe të tjerë mashtrues, që arritën të përfitojnë lavdi lufte dhe para buxheti. Një turp i madh, ndaj të cilit pakkush reagoi. Ata që vërtet luftuan pranuan në heshtje që të barazohen me të tjerët që nuk i kishin parë në luftë. Një gabim fatal, që po na kushton dhe do të na kushtojë shumë edhe në të ardhmen.

* * *

Pranimi nga Qeveria i listës prej më shumë se 46 mijë veteranësh doli të jetë i gabueshëm pak muaj më vonë. Paratë për pensionet ishte vështirë të siguroheshin dhe situatën edhe më shumë e ndërlikonin kufizimet e FMN'së. Andaj, Qeveria vendosi që turpin e madh të listave të veteranëve ta "rregullojë" me një tjetër turp - duke ndryshuar ligjin për kategorizimin e atyre që luftuan. Projektligji mezi kaloi në Kuvend dhe shkaktoi reagime të shumta, sidomos të veteranëve nga rajoni i Dukagjinit.

Qeveria e paaftë e Isa Mustafës, në vend që t'i pastrojë listat e të mos iu jep pensione pa meritë mijëra mashtruesve zgjodhi të propozojë, e koalicioni qeveritar të miratojë një ligj diskriminues e përçarës. Me këtë ligj, një numri të veteranëve iu cungohen të drejtat që i kanë pasur të garantuara me ligjin paraprak. Atyre nuk iu garantohen pensionet, pasi që janë më të vogla se paga minimale në Kosovë dhe, nëse nuk ka mjete, Qeveria mund t'i zbresë ato pa asnjë pengesë ligjore.

Nga kategoria e parë, ndërkaq, mund të përfitojnë dhe do të përfitojnë njerëz jomeritorë. Në këtë kategori ka mundësi të ndodhin shumë manipulime. Pasojat e ligjit të ri do t'i bartin veteranët e vërtetë të luftës, e jo ata mashtrues.

 

* * *

Përfaqësuesit e shoqatës së veteranëve jorastësisht i keni parë teksa silleshin si kapadainj dhe bërtitnin e fyenin në Kuvendin e Kosovës. Ata e dinë mirë se për çfarë arsye e kanë pranuar ligjin e ri. Përfaqësues të këtyre shoqatave vazhdimisht kanë qenë të ngjyrosur politikisht dhe më shumë kanë punuar për veten, se për veteranët që i përfaqësojnë. Shumë nga ta janë edhe milionerë dhe shfrytëzojnë privilegje të pushtetit qendror e lokal.

Me tipa të tillë, çështja e veteranëve nuk zgjidhet, përkundrazi, ajo komplikohet edhe më shumë. Sepse, ashtu si gjatë gjithë kohës së pasluftës që partitë politike i kanë ndarë dëshmorët e veteranët në "tanët" dhe "të atyre", ashtu edhe tash me kategorizimin e tyre synohet që ata të ndahen.

Për veteranët do të duhej të ekzistonte vetëm nja ndarje: veteranë të vërtetë dhe veteranë mashtrues. Të vërtetëve t'iu jepen të gjitha meritat dhe privilegjet, kurse mashtruesve veç përbuzja dhe injorimi.

Por, në vend që të vendosin drejtësi për veteranët e vërtetë dhe t'i pastrojnë listat me mbi 46 mijë veteranë, Isa Mustafa dhe qeveria e tij kanë vendosur ta lajnë turpin me turp. Pasojat do t'i bartim të gjithë ne si shoqëri. 

    Data: 06 Janar 2017 16:59
    Autori: Imer Mushkolaj

    Merr lajmet e fundit

    • Hija e Erdoganit mbi Tiranë 0

    Të tjera