Shkruan Berat Buzhala: Për herë të dytë: Hvala Lijepo Crna Goro

Duke shpresuar se dikush do ta përkthejë këtë letër të hapur për ty, po të shkruaj në emër të shumicës së qytetarëve të Kosovës

Berat Buzhala

I nderuar Dushko Markovic,

Kur Mali i Zi e kishte njohur pavarësinë e Kosovës, në vjeshtën e vitit 2008, Gazeta Express, në atë kohë në print, pati dalë me një titull qendror "Hvala Lijepo Crna Goro". Kjo ishte hera e parë që ne e falënderonim një shtet për njohjen e shtetit tonë, në gjuhën e atij shteti.

Në atë kohë e kemi konsideruar, e vazhdojmë ta konsiderojmë edhe sot e kësaj dite, njohjen e pavarësisë së Kosovës nga Mali i Zi, si njohjen më cilësore, bashkë me pesë njohjet e shteteve të Quintit: SHBA, Gjermani, Britani e Madhe, Francë dhe Itali. 

Këtë njohje, pra njohjen e juaj, e kemi përdorur çdo kund në botë. Kemi kërkuar njohje të reja kudo, duke thënë se Mali i Zi, kulturalisht shumë i afërt me Serbinë, na ka njohur ne, prandaj askush nuk ka arsye që të mos e bëjë një gjë të tillë. Sigurisht, edhe në të ardhmen do të veprojmë njëjtë.

Shteti i juaj kishte treguar një shkallë të lartë të humanizmit, por edhe të kurajos, kur gjatë kohës së luftës i kishte trajtuar me mjaft korrektësi të gjithë refugjatët nga Kosova që ishin detyruar të braktisnin Kosovën si pasojë e luftës, ndonëse Mali i Zi edhe më tutje ishte pjesë e një unioni me Serbinë.

Kohëve të fundit, i dashur Kryeministër i një shteti mik, një pjesë e klasës politike në Kosovë padrejtësisht po i bie në qafë shtetit tuaj. Fatkeqësisht në të njëjtën linjë ishte - nuk e dimë a është ende - edhe Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, bashkë edhe me një parti tjetër opozitare. Po flas për refuzimin e ratifikimit të marrëveshjes së demarkacionit në mes të Kosovës dhe Malit të Zi.

Sigurisht që një kokëfortësi e tillë prej anës tonë, një irracionalitet i pakuptueshëm, ka mundur ta shqetësojë Malin e Zi, por më shumë se sa ju, kjo kauzë i ka goditur qytetarët e Kosovës, të cilët në masë të madhe janë në favor të ratifikimit të marrëveshjes.

Ne si gazetarë jemi të vetëdijshëm se Rusia po përdor në Ballkan çdo mundësi që e ka në dispozicion për të nxitur trazira, e kjo posaçërisht ishte evidente në Mal të Zi. Në shërbim të kësaj agjende rusët përdorën metoda të ndryshme të sabotazhit. Njëra prej këtyre segmenteve është edhe propaganda mediale, përmes mediave si Sputnik. Në Kosovë një gjë e tillë nuk do të kryente punë, sepse do të nuhatej lehtë. Unë jam i bindur, ndonëse pa fakte konkrete, se nxitja dhe mbireagimi i klasës politike në Kosovë ishte pjesë e skenarit rus. Kjo bëhet shumë e qartë nëse kthehemi veç pak në kohë, kur lidershipi i Lëvizjes Vetëvendosje po marshonte me flamuj kombëtar drejt kufirit me Malin e Zi, kur ju po organizonit zgjedhje jetike në vendin tuaj. Acarimi i raporteve me shqiptarët e Kosovës ndikonte negativisht në sentimentet e popullit malazias, që edhe ashtu ishte nën ndikimin e propagandës pro ruse dhe anti NATO. Unë nuk e besoj që pjesë e këtij skenari ishte edhe kryeministri Haradinaj. Unë më tepër besoj që Haradinaj ishte naiv në këtë drejtim.

Në anën tjetër, vizita e juaj dy ditore në Kosovë tregon se sa i pjekur politikisht është Mali i Zi, krahasuar me Kosovën. Në këtë drejtim unë e kam edhe një lutje për ju: mos e trajtoni shumë seriozisht klasën politike në Kosovë. Populli i Kosovës nuk i mbështet ata në krijimin e një klime të tendosur në mes të dy popujve. Ne aktualisht kemi nevojë të jashtëzakonshme për të dalë nga izolimi, ku e kemi futur veten.

Në një të ardhme të afërt, kur kjo elitë politike do të këtë shkuar atje ku edhe i takon, në margjina, ne, të dy popujt, do të vazhdojmë të bashkëpunojmë dhe të jemi faktor stabiliteti në rajon.

Kjo është hera e dytë që në emër të Gazetës Express ne ju themi: Hvala ljepo Crno Goro. Kështu ju thotë edhe shumica e qytetarëve të Kosovës. Incidentet si kjo me demarkacion nuk e reflektojnë gjendjen reale në terren. Ata që më së shumti e mbështetën këtë temë, humbën jashtëzakonisht keq në zgjedhjet lokale, saktësisht në ato pjesë të Kosovës.

Të tjera

Lajmet e fundit