Kthehu lart

Apel kandidatëve për kryetar të ardhshëm të LDK'së

Apel kandidatëve për kryetar të ardhshëm të LDK'së Autori: Berat Buzhala GazetaExpress

Gazi, Agimi, Luta, Dulla dhe Vjosa (renditja është aksidentale) si individë kanë korrur fitore të shumëfishta. Secili prej tyre e meriton të jetë kryetar i LDK'së. Por partia mund ta ketë vetëm një kryetar. Për këta pesë kandidatë dhe për Isa Mustafën e kam një apel.

Lidhja Demokratike është subjekti i vetëm politik në Kosovë që aktualisht ka kandidatë për kryetar jo vetëm për vete, por edhe për partitë tjera.

Kush do t'ia bënte buzën Gazmend Muhaxherit për kryetar të partisë? Gazi po e fiton Pejën me aq lehtësi, sa ai është shndërruar në makth për AAK'në, dhe për partitë tjera.

Rreth 100 kilometra në veri perëndim të Pejës LDK e ka një shtyllë tjetër politike, Agim Veliun. Ky i fundit Llapin e ka shndërruar në një territor de facto një partiak. Gara zgjedhore aty bëhet sa për të kënaqur demokracinë.

Më tutje, 60-70 kilometra në jug të Podujevës gjendet Lutfi Haziri, që e përben shtyllën e tretë politike të LDK'së. Luta është dëshmuar në dy mandatet e fundit politike në Gjilan se është njëri prej politikanëve më të zhdërvjelltë në Kosovë. Arriti që ta mbante të papushtuar kalanë e tij politike, ndonëse ajo po synohej të nënshtrohet me cdo kusht nga të gjitha lëvizjet e majta politike në vend.

Pastaj Vjosa Osmani. Ajo është e gatshme që sot ta udhëheq shtetin e Kosovës, e lëre më partine. Profesioniste, konsistente dhe rigoroze. Vjosa mund të mos jetë shumë popullore brenda strukturave partiake ama Vjosa është kandidatja e vetme e kësaj partie që do të zgjeronte elektoratin e LDK'së edhe në kurriz të subjektevge tjera.

Shkojmë pastaj te Avdullah Hoti. Ekonomist fantastik. I urte por i vendosur. Askush më mirë se Dulla nuk do ta betononte imazhin e partisë si parti intelektualësh.

Këta ishin pesë prej atyre që ne sot e dimë që kanë ambicie për ta marrë timonin e partisë, ndonëse jemi edhe një vit larg prej kur LDK do t'i mbajë zgjedhjet. Dhe shumë mirë që kanë ambicie. E edhe më mirë që i shfaqin ato. Që i tregojnë opinionit që kanë besimin e nevojshëm se mund ta çojnë drejt fitorës partinë e tyre.

Të gjitha ata që i përmenda më sipër i kanë kredencialet e duhura për një gjë të tillë. Të gjitha ata në këto vitet e fundit njohin vetëm fitore. Mos të harrojmë në LDK ka edhe shumë të tjerë që do të ishin të denj për t'u përmendur për pozitën e të parit të partisë, por që ndoshta në këtë fazë, ose edhe në fazën e mëvonshme, do të zgjedhin që të mbështesin njërin ose tjetrin kandidat.

Kjo është e mrekullueshme.

Prandaj, në një Kosovë në depresion, në një Kosovë të zaptuar dhe të nënshtruar nga klika të ndryshme të krimit të organizuar, në një Kosovë të sunduar nga mbiemrat e jo nga emrat, në një Kosovë që për cdo ditë po shkon në rrugë të gabuar, ta kesh një subjekt me kaq shumë kandidatë është fantastike.

Shteti nuk shkatërrohet kur nuk ka qeveri të mirë, por kur nuk ka opozitë të duhur. Shpresa nuk do të na vdesë kur nuk e kemi qeverinë e duhur, por kur nuk kemi shpresë që ata që vijnë pas tyre janë të duhurit. Pra, të gjithë sytë janë kthyer kah LDK dhe kandidatët që i përmenda më lart.

Përgjegjësin kryesor nuk e harrova. E lash me qëllim për në fund. Po flas për Isa Mustafën, kryetarin aktual të këtij subjekti. Atë që LDK'në e mori në një gjendje të mjerueshme, por që në fund të mandatit të tij politik arriti që ta rikthejë në radar. LDK po duket prapë. Në të gjitha sondazhet e bëra ajo është subjekti numër një në vend. Dhe për këtë ka merita kryetari Mustafa, ashtu sic do të mund të thoshim se ka edhe përgjegjësi për të pabërat.

Deri këtu, sic edhe po mund ta shihni, LDK është ulur në biznis klasë.

Por mos u nxitoni. Askush mos të guxojë ta vëjë në dyshim talentin e shqiptarëve, posacërisht kur kërkohet punë kolektive, për ta qullosur cdo projekt në momentin e fundit. E njëjta mund të ndodhë edhe me LDK'në. Një gjë e tillë bëhet edhe më kritike kur kthehemi vetëm pak prapa në kohë. Kam qënë personalisht në sallën e Boro Ramizit, kur burrat e kësaj partie filluan të hedhin karriga në kokën e njëri tjetrit. Ndoshta ia vlenë për të rikujtuar që dy personat që u rreshtuan kategorikisht kundër njëri tjetrit, duke krijuar edhe kushte për dhunë primitive, ishin hic më pak se profesorë të nderuarë universitarë - dhe anëtarë të Akademisë së Shkencave. Delegatët e LDK'së që po rraheshin në sallë po e përfaqësonin Nexhat Dacin dhe Fatmir Sejdiun. Po i përfaqësonin dy intelektualë që në rrafshin teorik do të duhej të besonim që kur ecin rrugës kujdesën që të mos i shkelin as buburrecat, e lërë më që të nxitnin fallanga kundër njëri tjetrit. Por ia që, sic e thash edhe më sipër, asnjëherë nuk duhet nënvlerësuar kapacitetin destruktiv të shqiptarëve, të cilët në momente të caktuara u errësohet shikimi, i harrojnë titujt shkencor dhe shndërrohen në rrugacë ordinerë, duke kërkuar - me cdo kusht - kokën e rivalit, i cili tash është një armik që duhet eliminuar në të gjitha kuptimet e fjalës.

Skena politike në vendin tonë, si kurrë më parë, është polarizuar dhe dekompozuar. Në Kuvendin e Kosovës ne nuk kemi konsensus për asgjë. Si shoqëri gjendemi para bankrotit të të gjitha natyrave. Për herë të parë në këto 18 vite shteti është kapur nga një president i rrezikshëm. Ai përvec që e ka kapur institucionin që e udhëheq, e ka kapur edhe drejtësinë, e ka kapur edhe policinë e edhe shërbimin informativ. Ai e ka kapur edhe qeverinë, bashkë me dy partitë kryesore brenda saj. Subjekti që prej shumë njerëzve konsiderohej si shpresa e vendit, pra LVV, është bërë për keqardhje. Jo më që nuk është shpresa e vendit, por ky subjekt tash është i pashpresë për t'u këndellur. E ne si shoqëri, vetëm kohë nuk kemi.

Në këto rrethana, më të drejtë, ne sytë i kemi kah LDK'së. Në drejtim të pesë kandidatëve të përmendur më sipër, plus kryetarit Mustafa. Cdo tundim i tyre për ta vënë interesin personal përpara interesit shtetëror do të ishte veprim antihistorik. Do të ishte një tradhti ndaj qytetarëve dhe elektoratit. Një kthim 10 vjet mbrapa për LDK'në.

Për të mos ndodhur një gjë e tillë, Kryetari Isa Mustafa duhet ta dijë që para vetës e ka njërin prej misioneve më të vështira të karrierës së tij politike. Ai duhet të jëtë një arbitër i ndershëm dhe i paanshëm. Duhet ta udhëheqë procesin më maturi dhe takt. Secili kandidat dhe secila kandidatur duhet të respektohet. Rregullat e garës duhet të janë të njëjta për të gjithë.

LDK, këtë herë, e ka për obligim kombëtar që të mos dështojë. Dështimi i tyre është dështim i të gjithë neve. Nëse LDK arrinë ta kalojë këtë sfidë - unë jam i bindur që do ta kalojë - atëherë zgjedhjet nacionale kurdo që ato do të mbaheshin do të ishin një proces formal, fituesi i të cilave do të dihej ditën kur do të fillonte fushata.

    Data: 15 Prill 2018 21:22
    Autori: Berat Buzhala

    Të tjera