Kthehu lart

Shkrirje në mes të dimrit, në Gadishullin Korean

Shkrirje në mes të dimrit, në Gadishullin Korean Autori: Javier Solana GazetaExpress

Rreziku bërthamor i Koresë së Veriut nuk menaxhohet pa negociata. Në këtë kuptim, Lojërat e Pyeongchang, që vijnë vetëm 30 vjet pas Lojërave të Seulit, mund të përfaqësojnë shansin më të mirë për të nisur procesin. Letë shpresojmë që udhëtimi i atletëve të Koresë së Veriut nga Pyongyang në Pyeongchang do të korrë frute diplomatike, dhe se “Lojërat e Paqes”, siç i quan Moon, do të kujtohen më shumë për praninë e Veriut, se sa për numrin e medaljeve

Pierre de Coubertin, themeluesi i Lojërave Olimpike moderne, ka thënë: “Gjëja më e rëndësishme nuk është që të fitojmë, por të marrim pjesë.” Tani që Koreja e Veriut ka rënë dakord të marrë pjesë në Olimpiadën e Dimrit në Korenë e Jugut, kjo frazë ka marrë një kuptim të ri.

Gjatë gjithë historisë së Lojërave Olimpike moderne, ndarja e politikës nga sportet ka qenë e pamundur. Ndoshta nuk është as e dëshirueshme. Në fund të fundit, një nga objektivat kryesore të Lojërave është që të vendosë sportet në shërbim të paqes dhe dinjitetit njerëzor.
Më përgjithësisht, sportet kanë luajtur për kohë të gjatë, një rol politikisht konstruktiv në skenën botërore. Në Kampionatin Botëror të Ping-Pongut të vitit 1971 në Japoni, një lojtar amerikan udhëtoi në autobusin e ekipit kinez, duke inauguruar atë që u bë e njohur si “diplomacia e ping-pongut”. Shumë shpejt, në kulmin e Revolucionit Kulturor, Mao Ceduni ftoi ekipin e tenisit në Kinë, duke hapur rrugën për vizitën historike të presidentit amerikan, Richard Nixon, në vitin 1972.
Në Kampionatin Botëror të Ping-Pongut të vitit 1991, i organizuar përsëri nga Japonia, Koreja e Veriut dhe Koreja e Jugut formuan një ekip të përbashkët dhe fituan medaljen e artë në garën e femrave. Shoqëria e zhvilluar mes lojtarëve, i ndihmoi ata të mposhtnin ekipin kinez në finale. Për një moment të shkurtër, koreanët e gëzuar harruan ndarjet e tyre.
Në të vërtetë, Koreja e Jugut mund t’i detyrohet madje edhe për demokracinë e saj moderne, të paktën pjesërisht, vetë Lojërave Olimpike. Në vitin 1987, në Lojërat Olimpike Verore të Seulit të vitit 1988, Koreja e Jugut arriti të shtynte regjimin ushtarak të Presidentit Chun Doo-hvan që të zhvillonte zgjedhje demokratike. Kjo ishte një kthesë e mrekullueshme e ngjarjeve, duke pasur parasysh se Chun e kishte konceptuar ofertën olimpike si një mundësi për të përmirësuar imazhin e brendshëm dhe të jashtëm të diktaturës së tij. Pa Lojërat që po afroheshin dhe presionin ndërkombëtar që ato sollën, tranzicioni demokratik i Koresë së Jugut nuk do të mund të kishte ndodhur, të paktën jo aq paqësisht apo me aq shpejtësi.
Por Lojërat e Seulit të vitit 1988 kishin gjithashtu një anë të errët. Koreja e Veriut, e paaftë për të arritur një marrëveshje me Jugun se si të ndante aktivitetin, përfundoi duke e bojkotuar atë. Dhe në vitin 1987, në po të njëjtin vit kur diktatura e Chun u shemb, një avion i Korean Air u rrëzua, me gjasë nga regjimi i Koresë së Veriut, në përpjekje për të prishur zgjedhjet që po afronin, dhe për të dekurajuar vendet e tjera që të merrnin pjesë në Lojërat Olimpike.
Në fund, Lojërat e vitit 1988 thelluan ndarjen midis dy Koreve dhe momenti i shkurtër i triumfit të përbashkët në vitin 1991 nuk do të mjaftonte për të ndryshuar prirjen. Jugu vazhdoi të hapej ndaj botës dhe Veriu e forcoi izolacionizmin e tij – një proces që u intensifikua pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik – dhe ndoqi rrugën e përhapjes bërthamore.
Natyrisht, vendimi i Koresë së Veriut për të ndjekur një bojkot në vitin 1988 ishte pothuajse i paprecedentë. Historikisht, shumë vende i kanë bojkotuar Lojërat, ose i kanë përdorur ato si një platformë për të promovuar vlera në kundërshtim me frymën olimpike. Kështu ndodhi kur regjimi i Adolf Hitlerit organizoi Olimpiadën Verore të vitit 1936 në Berlin.
Në vitin 1945 George Oruell iu rikthye Lojërave të vitit 1936 dhe vërejti se “sport serioz … është luftë minus të shtënat”. Lojërat, vuri në dukje ai, janë “të lidhura me ngritjen e nacionalizmit – domethënë me zakonin e çmendur modern, të identifikimit të vetvetes me fuqinë e madhe,  dhe duke parë gjithçka në aspektin e prestigjit konkurrues”.
Oruell nuk ishte larg të vërtetës. Për shembull, në Olimpiadën Verore të vitit 2008 në Pekin, u shfaq lidhja ndërmjet sportit dhe nacionalizmit. Lojërat ishin një sukses nga pikëpamja organizative, kompletuar me arkitekturë të re të shkëlqyer. Fakti që Kina përfundoi duke fituar më shumë medalje ari se çdo vend tjetër, padyshim që e rriti krenarinë kombëtare. Dhe protestat kundër trajtimit të Tibetit nga ana e Kinës gjatë releve olimpike, anembanë botës, ushqyen nacionalizmin kinez. Sot, krenaria kombëtare është ende një fokus kryesor për udhëheqësin politik i cili mbikëqyri Lojrat e Pekinit: atëherë zëvendës president dhe tani president i Kinës, Xi Jinping.
Po kështu, Olimpiada Dimërore 2014 në Soçi ndihmoi me frymëmarrje regjimin e atëhershëm të Presidentit rus Vladimir Putin. Tre ditë para ceremonisë së mbylljes, Putin filloi ndërhyrjen e tij ushtarake në Ukrainën Lindore dhe aneksoi Krimenë.
Tani Lojërat po kthehen në gadishullin e trazuar Korean, ku të dy Koretë mbeten zyrtarisht në luftë 65 vjet pasi kanë rënë dakord për një armëpushim. Para vendimit të fundit të Veriut për të marrë pjesë në Lojrat Pyeongchang, shumë prej tyre ishin të shqetësuar për një përsëritje të vitit 1988, ose se udhëheqësi i Koresë së Veriut, Kim Jong-un, do të përdorte rastin për të vënë në skenë, një nga shfaqjet e tij ushtarake të forcës. Kjo është, në fund të fundit, ajo që ndodhi në Kupën Botërore të vitit 2002, e bashkë-organizuar nga Koreja e Jugut dhe Japonia. Në fund të turneut, i cili u shënua nga një performancë e jashtëzakonshme nga ekipi kombëtar i Koresë së Jugut, Koreja e Veriut filloi një betejë detare me Jugun.
Për fat të mirë, qasja pajtuese e Presidentit të Koresë së Jugut, Moon Jae-in, që Kim duket se e përsëriti në fjalimin e Vitit të Ri, ka krijuar një shkrirje të lehtë. Përpjekjet e Jugut për të lehtësuar tensionet duke shtyrë ushtrimet e përbashkëta ushtarake me Shtetet e Bashkuara, por edhe vendimi i Veriut për të marrë pjesë në Lojëra, duhet të mirëpriten. Dhe, me të vërtetë, që atëherë, ka pasur një rrjedhë të qëndrueshme lajmesh të mira: të dy vendet do të marshojnë sëbashku në ceremoninë e hapjes dhe do të formojnë edhe një ekip të përbashkët të hokejit të femrave.
Sigurisht, gjithmonë duhet të vësh një pikëpyetje mbi motivet e regjimit të Kimit. Në të kaluarën, gjestet miqësore të Veriut nuk kanë çuar në lëshime domethënëse apo përparime drejt paqes. Duke ditur që Koretë kanë marshuar së bashku në tre Olimpiada që nga viti 2000, është e këshillueshme të jemi të matur. Por duhet t’i rezistojmë shtytjes për të rënë në fatalizëm, dhe të mbetemi mbështetës të propozimeve të Koresë së Veriut.
Rreziku bërthamor i Koresë së Veriut nuk menaxhohet pa negociata. Në këtë kuptim, Lojërat e Pyeongchang, që vijnë vetëm 30 vjet pas Lojërave të Seulit, mund të përfaqësojnë shansin më të mirë për të nisur procesin. Letë shpresojmë që udhëtimi i atletëve të Koresë së Veriut nga Pyongyang në Pyeongchang do të korrë frute diplomatike, dhe se “Lojërat e Paqes”, siç i quan Moon, do të kujtohen më shumë për praninë e Veriut, se sa për numrin e medaljeve.

/Bota.al; Project Syndicate

    Data: 30 Janar 2018 17:49
    Autori: Javier Solana

    Të tjera