Shitësit e mjegullës

Ramush Haradinajt mbase edhe mund t’i ndihmohet që të justifikojë kauzën e tij, por askush nuk mund të blejë mjegullën që po përpiqet ta shesë ai dhe të tjerët sa i përket zgjidhjes së çështjes së demarkacionit

Imer Mushkolaj

Kur Ramush Haradinaj premtoi në Kuvendin e Kosovës se projektligjit për demarkacionin me Malin e Zi nuk do t’i hiqet asnjë shkronjë, pakkush i besoi. Me të drejtë. Pa kaluar 24 orë nga qasja aspak korrekte, madje ofenduese ndaj deputetëve të LDK’së, ai doli në një konferencë dhe tregoi se projektligji po ndryshonte.

Gjithçka ishte bllokuar pasi Haradinaj insistonte që raporti i komisionit të udhëhequr nga Shpejtim Bulliqi të jetë pjesë e projektligjit. Sipas këtij raporti, me marrëveshjen e nënshkruar në Vjenë Kosova humb territor. Paradoksalisht kërkohej që të votoheshin të dy këto dokumente, që përjashtonin njëra-tjetrën.

Por, Haradinaj nuk insistonte kot që raporti i Bulliqit të përligjej. Kjo i shërbente për të justifikuar kauzën e vet. Andaj ishte e domosdoshme që të përfshihej në ligj si e veçantë ose, së paku, siç edhe u morën vesh, të shërbente “si orientim”.

Haradinaj dhe ne të gjithë e dimë se e vlefshme për Malin e Zi është marrëveshja e vitit 2015, të cilën tashmë shteti fqinj e ka ratifikuar në parlament. Në Prishtinë, ndërkaq, deputetëve mund t’iu ofrohen për votim edhe dhjetëra dokumente të tjera shtesë, por pa ndonjë efekt juridik. Marrëveshja ndërkombëtare mbetet një dhe e vetmja.

Në raportin e komisionit të udhëhequr nga Bulliqi nuk është dëshmuar se Kosova humb 8200 hektarë tokë. Natyrisht, kjo është një shifër alarmante dhe të gjithë do të duhej shqetësuar e reaguar qoftë edhe për tetë metra katrorë territor që dyshohet se vendi mund t’i humbasë. Por, kauza e ndërtuar mbi këto pretendime doli të mos jetë e besueshme, andaj kërkohej një strategji dalëse nga situata. Tashmë nëpërmjet një deklarate presidentët e të dy vendeve janë pajtuar që të bëhen korrigjimet e nevojshme, po që se ka fakte të reja. Por, kjo është larg pretendimeve për humbjen e 8200 hektarëve.

Ramush Haradinajt mbase edhe mund t’i ndihmohet që të justifikojë kauzën e tij, por askush nuk mund të blejë mjegullën që po përpiqet ta shesë ai dhe të tjerët rreth tij sa i përket demarkacionit, me akrobacionet e përfshirjes kinse të dokumenteve shtesë që do të mund ta bënin marrëveshjen me shtetin fqinj më të favorshme.

* * *

Kot po përpiqet të shesë mjegull edhe Hashim Thaçi - jo vetëm me demarkacionin. Nëse ka pranuar të nënshkruajë deklaratë të përbashkët me homologun malazez, atëherë ai e ka pranuar se në vitin 2015 e ka vënë gabimisht nënshkrimin në marrëveshjen e famshme. Përpjekja e tij për t’u shfaqur si shpëtimtar është e kotë.

Siç ishte e kotë edhe përpjekja për të shitur mjegull rreth vendimit për ndarjen e dekoratave personaliteteve e organizatave të ndryshme me rastin e dekadës së parë të pavarësisë.

Pasi kishte publikuar listën me emrat e të dekoruarve dhe i pezmatuar se një numër personalitetesh e organizatash ia refuzonin dekoratat, ai tha se bëhej fjalë vetëm për listë të propozuarish, e jo të dekoruarish. Por ditëve të fundit ai vazhdimisht po ndan dekorata për ata që nuk i kanë refuzuar. Nëse paska qenë vetëm listë e propozimeve, atëherë si u bëka që të ndajë dekorata? Nëse paska qenë listë e tillë, atëherë si u bëka që Presidenca asnjëherë nuk njoftoi për “listën e vërtetë” të të dekoruarve?

Duke vepruar në këtë mënyrë, Thaçi dëshmoi për të satën herë se në postin që mban nuk dëshmon as unitet politik e shoqëror, që do të duhej ta karakterizonte sipas kushtetutës, por as integritet e kredibilitet. Në këtë mënyrë, Thaçi dëshmoi se është veç një inatçor e hakmarrës.

* * *

Tash sa muaj mjegull është përpjekur të shesë edhe Lëvizja Vetëvendosje, pas zhvillimeve dramatike brenda partisë, që çuan në përplasje e largime serioze. Është përpjekje e kotë për ta minimizuar atë që ka ndodhur, ndërkohë që tashmë të gjithë e dinë se një numër jo i vogël personalitetesh tash sa kohë funksionojnë si grup i ndarë nga partia dhe po punojnë për të krijuar subjekt të ri politik.

E tillë mund të konsiderohet edhe përpjekja e LDK’së për t’u shfaqur subjekt i përgjegjshëm sa i përket demarkacionit, ndërkohë që mandatin e kaluar, kur ishte në qeverisje, nuk ishte në gjendje që marrëveshjen ta çojë në Kuvend - qoftë edhe për ta rrëzuar dhe për t’i hapur rrugë zhbllokimit të procesit që po e mban peng një shoqëri të tërë tash gati tre vjet.

Sjellja dhe qasja e tillë e liderëve dhe e partive politike nuk mund të quhet ndyshe përveç papërgjegjësi, nga e cila pësojnë qytetarët. Andaj, përpjekja për të shitur mjegull është ofendim për ta.

Pa mirëqenie, pa perspektivë e të izoluar, ata kanë ardhur në situatë që të tumirin çfarëdo që ndodh, në mënyrë që procesi të zhbllokohet. Në mënyrë që loja me ta të marrë fund, por jo më duke i konsideruar të krisur e matufë - duke provuar t’u shitet mjegull, kur gjërat shihen mirë e qartë. Jo më duke luajtur me ta.

Të tjera

Lajmet e fundit