Rreth kastës së Polybejëve

I keni parë listat e këshilltarëve të ministrave e primatëve? Ato janë aq të gjata saqë ta zënë udhën jo vetëm Kosovës, por edhe pubeve zvicerane e hoteleve në Kazakistan. Gjurmëve të një kategorie që bënë jetë "pas perdeve". Me çka merret ta zëmë këshilltari i një ministri?

Xhemal AHMETI

Një kategori e veçantë brendapushtetore nuk preket asnjëherë nga mediat – ajo e këshilltarëve!

Pothuaj secili politikan i veshur me pushtet që nga baza e deri tek maja e piramidës qeverisëse ka këshilltarët e tij; për arsim, argëtim, (a)kulturë, etikë, gjimnastikë, media e për gjithçka. Anëtarët e kësaj kaste nuk i lokalizon vetëm zyrave, shtabeve e sekretariateve të institucioneve, ata nuk i ndesh vetëm kafeneve të qyteteve e ahengjeve të shumta që organizojnë lobistët e ndryshëm për të rekrutuar viktima biznesore, jo, ata ta zënë udhën madje edhe në Zvicër, Gjermani, Kazakistan dhe kudo ku jetojnë së paku 5 shqiptarë. Sa ta jep dorën ndonjë X a Y, këndi i kartëvizitës që ta shpon pëllëmbën e dorës të paralajmëron se me kë ke të bësh: me "Këshilltarin e kryeministrit të Republikës së Kosovës për..." çështje të pëllumbave të ikur nga dimri?

Kryesisht janë burra me kollare, me çantë të varur krahut si dikur reporterët mbledhjeve të LKJ-së apo disa duken sikur kanë dalë të bëjnë bajram me katundin. Ky tip njerëzish edhe pse qëmoti na ka rënë në sy, gati pothuaj jemi bërë imun me ta, megjithatë arsyeja që çoi deri tek vendimi për të shkruar rreth tyre janë eskapadat aq të shpeshta të fundit të Presidencës, Qeverisë dhe Kuvendit të Kosovës. Paradite marrin një vendim pasdite e relativojnë, në mbrëmje e anulojnë. Sot vendosin, nesër qortojnë mediat, pasnesër flasin me ta e pas një jave thonë se nuk janë ata që ishin para një jave dhe në këtë formë cirkusi vazhdon deri në banalizim jo vetëm të seriozitetit por edhe të vetë institucioneve që përfaqësojnë.

Në analizë e sipër të këtij labiliteti institucional mund të zhvillohen "teori" të shumta. Ti provojmë disa prej tyre: a) Këshilltarët aq të shumtë i çorientojnë qëllimisht primatët e tyre që të duken sa më lole para masave, b) Primatët nuk i dëgjojnë fare këshilltarët ngase i konsiderojnë lole që vlejnë vetëm sa për të bartur çantat dhe për të mbajtur shënime dhe c) Të dyja palët nuk disponojnë me kapacitete për të zhvilluar një politikë jocirkusore.

Për të qenë sa më serioz me këtë temë pasi bëhet fjalë për një shtresë shumë të populluar shoqërore analizuam plotë fotografi të primatëve me këshilltarët, video dhe lexuam dhjetëra komunikata zyrtare. E bëmë këtë me sensorium të mprehur e duke torturuar kujtesën me filtra hiperacionalë që t'ia dalim, të mundemi ta ndajmë atë çka është frymë e primatit nga ajo që sheshazi është produkt i/e këshilltarit/es.

Ai proverbi që thotë "një fotografi flet sa një mijë fjalë" vërtete është i drejtë. As "gjithë" ky tekst nuk do të ishte i nevojshëm po të shkelnim etikën profesionale dhe të difamonim "ad personam" ndonjë këshilltar.

II.

Gjatë analizimit të materialit, duke i krahasuar ato me politikat, agjendat, reagimet dhe sqarimet, se ç'na gurgullonte presioni të flasim për "ars amatorian" e Ovid problematikut, respektivisht, vazhdimisht na përdhunonte ai fragmenti, ajo këshilla djallëzore, shikuar nga perspektiva e sotme feministe tejet nënçmuese, por shumëkuptimshme e poetit romak që u jepte grave të "mençura". Ja ç'i sugjeron granitetit Ati i metamorfozave. I këshillon ato që pikërisht nuk kulmin e pandjesisë gjatë marrëdhënies seksuale të bëhen sa më teatralike, të gjerapërohen e ulërijnë ashtu sikur do të shkrihen në vaj nga intensiteti i epshit. Pse ky mashtrim në disfavor të dinjitetit të gjinisë dhe në interes depërtuesit? Nuk do ta interpretojmë këtu matej filozofinë e Ovidit mbi psikën e gruas, për të cilat ai ka një empati kolasale (sidomos tek letrat heroinave), por do të përqendrohemi tek këshilla në relacion me atë që duhet të mashtrohet – impotentin dhe pse?

III.

Ja pse: Frikë nga kritika dhe nga të bërit kritikë kanë vetëm intelektualisht impotentët. Shtypësit e vullnetit personal më së shpeshti nuk sillen ashtu nga altruizmi, respekti ndaj autoritetit apo dashuria ndaj tjetrit, por kryesisht ngase bëjnë gardianin e status quo-s për të ruajtur situatën ku gjenden dhe të cilën e konsiderojnë privilegj – sidomos në shoqëritë e varfra dhe pa elita.

Në atë fragment Ovidi, jo për gratë, pra njëherë ndryshe, por për këto kategori impotente shpreh empati Ovidi. Pyetja se kush janë "gratë" dhe kush "burrat" në këtë krahasim duket e qartë. Të dyja palët: politikanët dhe këshilltarët e tyre në mënyrë interdependente.

Gratë e Ovidit na u bënë aq aktive e aktuale brenda parafytyrimit nga shkaku se çdo shenjë e materialiave na kthente tek qëndrimet "origjinale" të primatit. Aspak dhe askund nuk has në ndonjë "luftë" idesh e versionesh që kanë rënë në kundërshti dhe prandaj rezultojnë veprimet qeveritare ambivalente, vetëpërgjënjeshtruese dhe afektive. Çdo aksion që nga fillimi e deri në fund i takon një autori – primatit që ka humbur kontrollin mbi temat e çështjet dhe s'di si ta shpëtojë veten.

Këtë konkluzë nuk e sollëm vetëm si rezultat të studimit të këshilltarëve të liderëve kryesorë dhe ministrave, por edhe më poshtë pushtetit siç janë komunat dhe më gjerë – mediave, ojq-ve e gjithandej ku lulëzon biznesi i këshilltarisë.

III.

Natyrisht se ultimatumi teorik i Habermasit (1968a, S. 134.) drejtuar këshilltarëve politikë që të studiojnë, krahasojnë dhe interpretojnë rezultatet shkencore historike e aktuale, brenda e jashtë kulturës për të pjellë ca versione me efektet e mundshme për çdo vendim të rëndësishëm politik shtetëror, këtyre që analizuam u bëhet punë si ajo e Sizifit. Nuk kërkojmë të pamundurën. Madje shoqëritë shqiptare duhet të ndihen fatlume që ndonjëri nga këshilltarit nuk provon fatin Gaius Julius Polybius -it, atij këshilltarit Casanovas të perandorit Klaudius që bënte dashuri me perandoreshën dhe u dërgua në botën tjetër – vetëm edhe kjo do mungonte, ripërhapja e gjakmarrjeve me motive si ato të Helenës së Trojës.

Dakord se nuk duhet të kërkohet shumë, por megjithatë pyetja se me çka merret kategoria aq e populluar e këshilltarëve - nëse jo si ta zëmë shteteve të perëndimit ku këshilltari përveç atij obligimit me të cilin i ka dënuar Habermas janë edhe zhvillues projektesh kapitale në fushat për të cilat janë të thirrur – çka bën ajo përveç sajimit të referateve plot patos e floska chunk-i që na janë bërë si kode për çlirimin nga neveria e banalitetit nëpërmjet mllefit dhe reagimit në facebook? Vërtet paguhet gjithë ai divizion vetëm për të bart çanta, për të pastruar zyrat dhe për të shkruar fake news për mediat? Nëse nuk është kërkojmë falje, por vetëm këto shohim!

IV.

Nëse puna është kështu – dhe kështu është - atëherë parashtrohet pyetja pse gjithë ai numër i madh. Për nga volumi i rezultatit do të mjaftonin një a dy autorë parapoetikë që zbukurojnë me dekore floskative dëshirat dhe parullat e primatit dhe kaq. T'i rrish gatitu primatit, duke ia lexuar dëshirat nga goja – se mendjen si ashtu top shumica prej tyre – dhe t'ia nisish vjershës së pakripët në letër është më pak dinjitoze se edhe gruaja më histerike e Ovidit. Çdo pushteti i duhet një "Think Tanks", i duhen fabrika mendimi, këto shqiptaret ende nuk donë t'i prek as mendja e lere më pronari i saj i aftë për të këshilluar. Ndryshe kjo dukuri dhe "puna" e kësaj kategorie nuk shpjegohet dot.

Të tjera

Lajmet e fundit