Kthehu lart

Rasti i Shyhrete Berishës tregon sa e pabarabartë është gruaja në shoqërinë tonë

Rasti i Shyhrete Berishës tregon sa e pabarabartë është gruaja në shoqërinë tonë Foto: Rudina Hoti Autori: Atifete Jahjaga GazetaExpress E hënë, 20 Mars 2017 14:00

Fjalimi i Atifete Jahjagës, ish presidente e Kosovës, për javën e gruas

Ju falemnderit për këtë mundësi që të vlerësojmë rrugën tonë të përbashkët për fuqizimin e grave të Kosovës në një kohë kur gradualisht si shoqëri po vetëdijësohemi për rolin dhe kontributin e tyre. 

Arritjet janë të shumta, dhe ne të gjithë jemi përkrahës e dëshmitarë të tyre. 

Por edhe zbrapsjet tona si shoqëri nga rruga e barazisë gjinore, sa herë që ndodhin, janë shumë të vrazhda. Të shëmtuara. Plotësisht të turpshme.
Ne mund të krenohemi si shteti i parë në rajon me grua presidente. Me kryetaren e parë të një komune, grua. Me kuotën e përfaqësimit të gruas në parlament.  
Por, të gjitha këto arritje zbehen dhe zhbëhen për secilen prej nesh kur jemi dëshmitarë të dramës nëpër të cilën po kalon Shyhrete Berisha. 

Shyhretja, si shumë gra të Kosovës, e ka paguar shtrenjtë çmimin e lirisë.  
E plagosur fizikisht dhe e vrarë emocionalisht, Shyhretja ka mbijetuar fare rastësisht, e lënë për të vdekur, e mbuluar me trupat e pajetë fëmijëve e bashkëshortit të saj në kamionin ku forcat serbe i kishin ngarkuar anëtarët e familjes Berisha nga Suhareka. 

Pak nga ne kishim menduar që dy dekada pas luftës, Shyhretes, që po luftonte me ngulm për t’u hapur varre për t’i qarë fëmijët e saj, e po kërkonte drejtësi për vrasësit e familjes së saj, do t’i ngarkohej edhe një betejë tjetër për drejtësi. 

Dyshoj që ta ketë menduar edhe ajo që një ditë dyert e shtëpisë ku kishte nisur e krijuar familjen deri në ato momente të kobshme që e kishin privuar përjetë nga ajo lumturi, do t’i mbyllen në emër të normave, të burrnisë, të traditës. Asaj është duke ju mohuar e drejta mbi pronën, bashkë-ndërtuese e të cilës ishte. 

Nuk e kisha menduar që një shtet ligjor do ta dështojë kështu gruan, vuajtja e së cilës është vet bazamenti i këtij shteti.  

Unë dua t'i ngris disa pyetje, që ndoshta diskutimi i mëvonshëm edhe mund të jap përgjegje:

 1. Si mundemi, ne, respektuesit e kuotës së tridhjetë përqindshit, promovuesit dhe avokuesit për të drejtat e gruas, të lejojmë që një grua të hiqet zvarrë nga shtëpia e saj ku me vite ka grumbulluar kujtimet e më të dashurve të saj që lufta – lufta për lirinë tonë - ja mori padrejtësisht? 

2. Si mundemi ne, kur sot, në mesin tonë, këtu, kemi gra, secila e fuqishme, secila shembull për komunitetet e tyre, secila punëtore dhe me etikë të punës, t’i mbyllim sytë para një padrejtësie të tillë? 

3. Si mundemi të sillemi kështu para gjeneratave të reja, të cilave po u premtojmë se Kosovën do ta bëjmë vend të ëndrrave të tyre?

 Si Shyhretja ka shumë në Kosovë, pre e një kulture që vazhdimisht sposton gruan në pozitë inferiore, një pozitë të dytë. Të sigurohemi që ato t’i ndiejnë efektet e punës tonë për të jetësuar këtë barazi që ajo të mos mbetet vetëm në letër.
 
Zonja dhe zotërinj, 

Ende jemi larg për ta bërë këtë ndryshim dhe për ta mbyllur hendekun gjinor.  
Sipas të dhënave, 60% e të diplomuarve në universitetet në Kosovë janë femra. Por, vetëm 21% e femrave kërkojnë punë krahasuar me 61% të mashkujve.  
Ky raport është goxha shqetësues edhe kur bëhet fjalë për pozita të larta në sektorin publik, menaxhment, apo në legislativ ku vetëm një në gjashtë persona që kanë pozita udhëheqëse në këto fusha është grua. Mosbarazi edhe më e madhe ekziston në përbërjen e qeverisë së Kosovës, ku vetëm 10% e ministrive udhëhiqen nga gratë. 

Pjesëmarrja e grave në sektorin e sigurisë është poashtu tejet e ulët. Vetëm 14% e pjesëtarëve të Policisë së Kosovës janë gra, ndërsa vetëm 9% e Forcës së Sigurisë së Kosovës janë femra. 

Këto shifra flasin për një nevojë shumë të madhe për t’i fuqizuar më shumë gratë në vendin tonë, sepse gratë historikisht kanë qenë pjesë e rëndësishme e procesit shtet-bërës në Kosovë.  

Ne nuk do të heqim dorë dhe ju ftoj që ky të jetë një zotim. 

 Ne jemi ato që duhet t'ua mbushim mendjen që duhet të kërkojnë atë që u takon -- barazi sociale, politike dhe ekonomike, pa dallim gjinie.

 Unë, flas nga përvoja personale kur them se zgjedhja e një presidente femër, e një kryetare të komunës, e një ministre, e një ambasadore, e një udhëheqëse të një institucioni, e ka ndryshuar qasjen se si vajzat e reja sot e shohin rolin e tyre në ndërtimin e të ardhmes së vendit tonë.  

Ne krenohemi dhe e duartrokasim suksesin e ambasadoreve tona të nderit, Majlinda, Rita, Dua, Era, Nora, që po e bëjnë Kosovën kampione. Ato nuk po i harrojnë rrënjët e tyre dhe e bëjnë të dukshëm shtetin e tyre në hartë dhe e bëjnë flamurin të valojë aty ku nuk e presim. 

Por ne, me krenari të njëjtë duhet t’i trajtojmë vajzat brenda vendit që ndoshta nuk do t’iu jepet mundësia e njëjtë. 

Ne duhet të zotohemi që të krijojmë një ambient ku emancipimi i tyre duhet të jetë prioritet, edhe nëse nuk e kanë fatin të bëhen yje botërore. 

T’i njohim meritën edhe vajzës së vogël që shkon në shkollë me këpucë dhe rroba të grisura, e sidomos familjes që e bënë një sakrificë për ta dërguar në shkollë. 
T’i njohim meritën edhe nënës amvise që rritë fëmijët dhe mban familjen.  
T’i njohim meritën edhe grave të komuniteteve minoritare, që ju duhet të dyfishojnë përpjekjet për integrim. 

Duhet të punojmë që secila mësuese, të jetë krenare që i mëson 30 nxënës shkrim dhe lexim.

Duhet te punojmë që secila police të ketë fuqi që të mbrojë rendin dhe ligjin, që të kemi një shoqëri të drejtë. 
 
Duhet të punojmë qe secila deputete të ketë guxim të ngjitet në podiumin e Kuvendit dhe të flas me zë të lartë kundër padrejtësive që i duket se po bëhen, pa marrë parasysh se cilës parti i takon. 

Shpesh deri sot, vota e grave ka qenë e pakusht në raport me politikat ndaj pozitës së tyre, pothuajse e pavërejtshme. Në duart e tyre, ato mbajnë fuqinë për t’i larguar nga vendimmarrja të që gjithë ata që nuk i respektuan dhe nuk nuk i panë si vlerë. 
Gratë kosovare, në përgjithësi kemi dëshmuar se jemi luftëtare të zellshme dhe se do t’i kërkojmë pa pushim të drejtat tona. Gratë në politikë, e kanë dëshmuar se janë më të forta se sa sulmet që ju bëhen për shkak të pamjes, veshjes dhe statusit martesor. 

Prandaj, unë sot ju them të mos frikësoheni, sepse frikacakë janë sulmuesit. Mos lejoni që elemente tejet sipërfaqësore të ju pengojnë në synimin tuaj për të krijuar një shoqëri më të drejtë, më të mirë. 

 Ne jemi ekip. Secila prej nesh duhet ta gjej forcën aty.


/Titulli është i redaksisë 

    Data: 20 Mars 2017 14:00
    Autori: Atifete Jahjaga

    Merr lajmet e fundit

    • Hija e Erdoganit mbi Tiranë 0

    Të tjera