Punë sharlatanësh

Me deklarata e veprime skandaloze zyrtarët shtetërorë po i bëjnë dëm të madh vendit. Të thuash se njohja ose jo nga cilido shtet për pavarësinë e Kosovës nuk çon peshë është aq e papërgjegjshme sa edhe përpjekja për të arsyetuar ndërhyrjen politike që solli përjashtimin e Agjencisë së Akreditimit nga EQAR

Imer Mushkolaj

El Fardou Ben Nabouhane është një emër që mbase nuk i thotë asgjë askujt nga ne. Por, futbollisti që vjen nga Ishujt Komore është shumë i rëndësishëm për një shtet. Për politikën e një shteti. Për Serbinë.

Që nga mesi i janarit të këtij viti Ben është pjesë e Crvena Zvezdës. Ai erdhi nga Olympiakosi grek dhe me klubin më të njohur serb të futbollit nënshkroi kontratë 36 muajshe. Asgjë e rëndomtë, do të mund të thotë dikush. Tekefundit, transfere të tilla futbollistësh bëhen në numë të madh gjithandej globit.

Por, pikërisht ardhjen e tij në Zvezdë e shfrytëzoi politikisht shefi i diplomacisë serbe, Ivica Daçiq. Gjatë vizitës në Ishujt Komore, javën e kaluar, ai i bëri thirrje këtij shteti që ta rishqyrtojë vendimin për njohjen e pavarësisë së Kosovës, marrë në vitin 2009. Për t’i bindur zyrtarët komorezë, ai theksoi se Serbia kishte lidhur marrëdhënie miqësore me këtë vend që në kohën e ish-Jugosllavisë dhe Titos. Por, nuk harroi të përmend edhe se në Crvena Zvezdë kishte ardhur një ndër lojtarët më të mirë të Ishujve Komore, Ben.

Ishujt Komore shtrihen në pak më shumë se dy mijë kilometra katrorë dhe Kosova, nëpërmjet ambasadorit në Arabinë Saudite, Rexhep Boja, kishte nënshkruar vendosjen e marrëdhënieve diplomatike më këtë shtet në vitin 2015. Komore është shteti i 59’të që ka njohur pavarësinë e Kosovës.

Tërheqja e njohjes nga Komoret është shumë e rëndësishme për Serbinë, por mund të mos jetë e tillë për zyrtarë shtetërorë të Kosovës, madje edhe nëse bëhet fjalë për shtete të tjera edhe më të mëdha. Siç është ta zëmë Burundi 10 milionë banorësh, që njohu shtetin kosovar në vitin 2012, por që tash Beogradi po thotë se e ka tërhequr njohjen.

Si për të treguar qasjen absolutisht arrogante dhe të papranueshme të diplomacisë kosovare karshi këtyre zhvillimeve, zëvendësministri i Jashtëm, Anton Berishaj, kishte deklaruar se njohja nga Burundi nuk kishte peshë.

“Nuk ka asnjë peshë as njohja, as mosnjohja e Burundit, besoj që Serbia do të bëjë tema të kësaj natyre për ta kontestuar pavarësinë e Kosovës”, kishte thënë Berishaj për Lajmi.net.

Pasi e kishte kuptuar se deklarata e tij ishte totalisht e pëpërgjegjshme dhe skandaloze, ai ishte përpjekur t’i fajësojë gazetarët se e kishin keqinterpretuar, porse incizimi tregon se deklarata ishte e saktë.

Pavarësisht kësaj, dëmi është shkaktuar. Në një letër dërguar kryeministrit Ramush Haradinaj dhe kryediplomatit Behgjet Pacolli ambasadori i Burundit në OKB është shprehur se deklaratat e tilla do t’ua komplikojnë punët zyrtarëve të Burundit që janë pro Kosovës.

“Jam duke punuar rreth çështjes së njohjes së Kosovës në Burundi. Nuk është e lehtë, sepse serbët u kanë ofruar shumë gjëra atyre. Por lajmi që ne kemi pranuar nga misioni serb, se zëvëndësministri juaj i Punëve të Jashtme ka thënë se nuk është me rëndësi njohja nga Burundi, do të m’i komplikojë punët”, thuhet në letër.

* * *

Një përpjekje fatkeqe për ta rikuperuar një dëm tjetër të madh që iu shkaktua vendit e bëri ministri i Arsimit, Shyqyri Bytyqi. Për shkak të ndërhyrjeve politike, Komiteti i Regjistrit Evropian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë - EQAR ka përjashtuar Agjencinë e Akreditimit të Kosovës. Arsyeja kryesore - shkarkimi i anëtarëve të Bordit dhe të menaxhmentit të agjencisë me urdhër të kryeministrit Ramush Haradinaj. Ky veprim, absolutisht i paarsyeshëm dhe i paarsyetuar, shkaktoi reagime të ashpra, ngase ndërhyrja politike ishte e qartë. Por, duke provuar të arsyetojë diçka që është e pamundshme, ministri Bytyqi deklaroi se vendimi për largimin nga EQAR është i ndikuar nga “informimi dashakeqës i ndonjë grupi interesi apo lidhjembajtësi dashakeq për Kosovën”.

Ministri e ka plotësisht të qartë se kjo ndodhi për shkak se u shkarkua një bord dhe menaxhmenti i një agjencie të pavarur, gjatë kohës së të cilëve u bënë hapa seriozë në vënien e rregullit në arsimin e lartë në vend. Sipas ministrit, vendimi u mor “pas parregullsive dhe shkeljeve të raportuara nga ana e këtij bordi”. Por asnjëherë deri më tash nuk janë ofruar kurrfarë faktesh që përligjin këto pretendime.

“Duart politike në të tilla agjenci vrasin arsimin, kapin institucionet dhe për përiudhë jo të gjatë, e bëjnë arsimin e lartë klientelist, me çka ne pastaj i vuajmë pasojat në paskohë”, thotë tash ministri. “Ta çkapim arsimin nga kapja”, bën thirrje ai, thua se nuk ishte vetë që mori vendim politik, me urdhër politik të shefit të tij, për ta shkarkuar bordin e agjencisë, që çoi edhe në përjashtimin nga EQAR.

* * *

Veprime dhe deklarata të tillë të zyrtarëve të lartë shtetërorë më së buti mund të konsiderohen sharlatane, të papërgjegjshme dhe shumë të dëmshme. Në një vend normal të tillët do të duhej dhënë dorëheqje ose do të duhej shkarkuar. Por në Kosovë ata madje përpiqen të arsyetojnë papërgjegjësinë e tyre. Pavarësisht se dëmi është shkaktuar. Dëm të cilin më së paku mund ta zhbëjnë përpjekjet për shfajësim, duke i fajësuar të tjerët.

Të tjera

Lajmet e fundit