Pezmi i analistëve dhe idetë e Ramës

Neve, si komb i vogël që jemi, nga mbetet një detyrë e vogël: të ndihmojmë betejën e demokracisë liberale perëndimore kundër stuhisë në rritje të regjimeve autoritare euro-aziatike duke jetësuar idealet demokratike dhe vlerat liberale në Prishtinë e në Tiranë.

Blerim Latifi

Duket se ende nuk ka kaluar pezmi, të cilin kohë më parë, me stilin cinik të diskursit të tij, Edi Rama, e nxiti tek komuniteti i opinionistëve në Kosovë, gjatë një ballafaqimi me ta në Klan Kosova.

Termat e përdorur në këto reagime ndaj fjalimit të tij, të mbajtur dje në Kuvendin e Kosovës, e konfirmojnë këtë. Si në sinkroni, pothuajse, të gjitha  reagimet ishin në kufijtë e një reagimi të vrullshëm negativ, gati histerik.

Është krejtësisht e palogjikshme që, për një çështje apo ide, të jepen përfundimet pa bërë analizat e nevojshme shumë dimensionale.  Kur përfundimet u paraprijnë argumenteve kjo tregon se jemi larguar nga rrafshi i logjikës dhe po bredhim në atë të paragjykimeve dhe emocioneve.

Kjo është një shprehi e keqe e shumë publicistëve tek ne, shprehi që nuk i ndihmon aspak debatit publik e as edukimit të opinionit publik, për çfarë edhe janë të thirrur publicistët e analistët.

Idea e Ramës për të menduar që në të ardhmen të krijohet një institucion i presidentit të përbashkët simbolik të Kosovës dhe Shqipërisë duhet parë nga disa perspektiva.

E para : Përvjetori i dhjetë i pavarësisë së Kosovës, padyshim, ishte ngjarja kryesore e javës për të gjithë shqiptarët. Si çdo politikan tjetër normal, kryeministri shqiptar, natyrshëm që do të kërkonte atë që e synon çdo politikan : tërheqjen për vete të vëmendjes së publikut në ngjarje të tilla. Rama ia arriti këtij qëllimi. Bile me sukses të plotë, sepse të gjithë u morëm me fjalimin e tij menjëherë pasi la foltoren e Kuvendit të Kosovës.

E dyta : Ekziston një debat i përhershëm për raportet e Kosovës me Shqipërinë, për format e bashkëpunimit dhe afrimit mes dy shteteve. Ideja e Ramës do duhej të kontekstualizohej në analizat për të ardhmen e këtyre raporteve, e jo të hudhej pa e shoshitur. Vetëm pasi të shoshitej mirë e mirë do të kishim të drejtë ta cilësonim këtë ide si të dobishme ose si një marrëzi të rradhës, në mesin e shumë marrëzive që qarkullojnë, ditën e natën, në sferën tonë publike.

E treta : Në fjalimin e tij, Rama, la të kuptohej se shqiptarëve u duhet një rrugë e kujdesshme evolutive në shkrirjen e kufijve të shumfishtë mes Kosovës dhe Shqipërisë, kufij që shtrihen jo pllajave të Pashtrikut e Koshares, por përgjatë burokracive shtetërore të të dyja vendeve dhe interesave biznesore të lidhura me kontrollin lokal të tregut. Ecja e kujdesshme evolutive mbetet e vetmja qasje realiste dhe racionale në kontekstin aktual të marrëdhënieve Kosovë-Shqipëri.

Ndërkaq, përfytyrimi i bashkimit kombëtar në formën e një Kuvendi të Lidhjes së Lezhës apo të Lidhjes së Prizrenit, është përfytyrim i thjeshtë romantik, që në rrafshin e sotëm të politikës, jo që nuk sjell asnjë dobi, por, për më tepër, sjell vetëm lajthitje anakronikësh. Bashkime të tilla romantike vijnë si pasojë e situatave të jashtëzakonshme historike. Po të vendoste Perëndimi të shuante NATO-n dhe po të ndodhte që vendin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ta zinte Kina apo Rusia, atëherë do të kishte kuptim të flitej për një bashkim të tillë emergjent romantiko-nacional, por gjithë treguesit flasin se historia botërore, fatmirësisht, do të vazhdoj të qeveriset edhe më tutje nga Perëndimi. Neve, si komb i vogël që jemi, nga mbetet një detyrë e vogël : të ndihmojmë betejën e demokracisë liberale perëndimore kundër stuhisë në rritje të regjimeve autoritare euro-aziatike duke jetësuar idealet demokratike dhe vlerat liberale në Prishtinë e në Tiranë.

Të tjera

Lajmet e fundit