Pasojat e dramës në Kështjellën e Rambouillets

Ndërkëmbëzat, urrejtja deri në smirë dhe lufta brenda palëve midis liderëve politikë kosovarë zgjati pesë muaj. Për aq sa ushtria e policia serbe vriste shqiptarë e rrënonte fshatra si kulla prej letre, po aq ishin tensionuar liderët shqiptarë kundër njëri-tjetrit deri në urrejtje

Bajram Mjeku

Sot 19 vjet më parë, në Kështjellën e Rambouillets, 22 milje në jugperëndim të Parisit, nisi punën Konferenca ndërkombëtare për Kosovën, e cila u organizua falë diplomacisë dinjitoze të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Në çastet më vendimtare për Kosovën, disa liderë të partive politike dhe këshilltarët e tyre mbrapa kulisave bënin sehir. Më shumë se në drejtim të Serbisë, shtizat i drejtuan kundër Kosovës dhe presidentit Rugova. As kishin kurajë, as vizion të disejnonin Grupin negociator, i cili do ta përfaqësonte Kosovën dhe sovranin e saj. Përbërja e Grupit negociator, i cili do ta përfaqësonte Kosovën në Konferencën e Rambouillets, buroi më shumë nga përkushtimi i ambasadorit amerikan Christopher Hill dhe ambasadorit austriak, Wolfgang Petrich se nga udhëheqja kosovare!

Duke parë joseriozitetin e liderëve kosovarë dhe duke provuar përbaltjen e projektit ndërkombëtar për Kosovën, tirani Millosheviq për anëtarë të Grupit negociator serb zgjodhi kryesisht pjesëtarë minoritetesh. Këta të fundit veç për injorancë, gjatë okupimit u shquan edhe për dhunë kundër shqiptarëve sa vetë serbët. Që kur u hoq me dhunë autonomia e Kosovës në mars të vitit 1989, minoritarët morën pjesë në diskriminimin dhe dëbimin e shqiptarëve nga vendet e tyre të punës dhe u bënë palë me regjimin kriminal serb. Morën pjesë në të gjitha fushatat diskriminuese deri në racizëm kundër shqiptarëve autoktonë. U bënë pjesë e institucioneve të dhunshme serbe në Kosovë si kontingjent shtesë i regjimit kriminal serb.

Ndërkëmbëzat, urrejtja deri në smirë dhe lufta brenda palëve, midis liderëve politik kosovarë zgjati pesë muaj. Për aq sa ushtria e policia serbe vriste shqiptarë e rrënonte fshatra si kulla prej letre, po aq ishin tensionuar liderët shqiptarë kundër njëri-tjetrit deri në urrejtje. Si asnjëherë në historinë e tyre u përçanë deri në mosdurim! Më shumë insistonin të vendosnin për fatin e Kosovës shefat e disa partive politike, të cilat më shumë përdoreshin si dekor, mbrapa të cilëve nuk qëndronte as edhe një çetë përkrahësish se dr. Ibahim Rugova.

Për përzgjedhjen e Grupit Negociator kosovar u zgjodhën ambasadori amerikan, Christopher Hill dhe austriaku, Wolfgang Petrich. Durimi i tyre vlente për t’u lakmuar! Punuan pesë muaj me përkushtim të pashoq në përzgjedhjen e Grupit negociator kosovar. Tre ditë para fillimit të Konferencës në Rambouillets, anëtarët e Grupit negociator nuk ishin zgjedhur ende për fajin e shqiptarëve. E majta kosovare humbi arsyen. Sikur harronte se çështja shqiptare nuk është zgjidhur asnjëherë nga shqiptarët, por nga vullneti i fuqive të mëdha.

Ora e fatit ishte në krah të Kosovës.

Pak ditë para fillimit të Konferencës, ministri i Jashtëm britanik, Robin Kuk në Parlamentin e Mbretërisë së Bashkuar dha kumtin për Kosovën:

- Po zhbëjmë padrejtësitë që bëmë në fillim të shekullit të kaluar!

Në Parlamentin britanik ora për Kosovën nisi të ecte mbarë, por rekuizitat u përmbysën në Prishtinë. Katër ditë para se të fillonte Konferenca në Paris, përfaqësuesi politik i UÇK-së, Adem Demaçi lëshoi deklaratën e radhës: 

- Shqiptarët nuk duhet të shkojnë në Rambuje! Konferenca e Rambujesë ofron autonomi kulturore për Kosovën në kuadër të Serbisë dhe vazhdimin e robërisë së Kosovës!

As kumti i Ministrit të Jashtëm britanik, as përkushtimi dinjitoz i ambasadorëve Hill e Petrich, nuk tunduan ndërgjegjen e së majtës kosovare.

Në orët e fundit para se të niste Konferenca në Rambouillets, liderët kosovarë formuan një çervish grupi negociator. Disa nga ata më shumë se për Kosovën u përkushtuan për mbijetesë politike, pavarësisht dëmit që krijuan gjatë e pas Rambouilletsit shumë vite më vonë. Kur u zgjodhën anëtarët e Grupit negociator, zhgënjimi qe i pritshëm. Pati të atillë që s’dinin ç’kuptim kishte fjala negociatë dhe rrihnin gjoks si dalzotës të saj. U zgjodhën edhe ekspertë për t’i ndihmuar negociatat, por kishte edhe të atillë në trurin e të cilëve skleroza moti kishte bërë punën e saj.

Kur Grupi negociator kosovar mbërriti në Kështjellën e Rambouillets, përreth mureve të saj u shfaqën fantazmat. Mbërritën kontingjente grupesh marksist-leniniste nga e gjithë Evropa. Më shumë se Kosovën e pavarur e donin një Kosovë me të ardhme staliniste. Rolin e këshilltarëve politikë për krahun ushtarak të Grupit negociator kosovar e morën molerët, suvatuesit dhe punonjësit e kompanive të pastrimit gjithandej Evropës. Përreth Kështjellës së Rambouillets ndodhej edhe kontingjenti i kërcënuesve.

Në Prishtinë ishin të bindur se shef i Grupit negociator për Kosovën do të ishte dr. Ibrahim Rugova. Beteja e mosmarrëveshjeve dhe kërcënimet vazhduan në Kështjellën e Rambouillets në prani të ndërmjetësve ndërkombëtarë dhe grupit negociator serb. Dy grupet negociatore, kosovarja dhe serbja, të armiqësuar me shekuj i ndanin vetëm muret e Kështjellës. Minoritarët e grupit negociator serb, i cili përbëhej nga serbë, turq, boshnjakë, romë e goranë brenda Kështjellës këndonin dhe i mbanin iso këngëve nacionaliste serbe. Ironizonin me çarjet dhe mospajtimet midis grupit negociator kosovar!

Gjysma e anëtarëve të grupit negociator që përfaqësonin krahun ushtarak, këmbëngulën që drejtori politik i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi të emërohet shef i Grupit negociator. Nga ky moment Kosova nisi të zhytet në politika klandestine. Dy dekada pas Konferencës së Rambouillets, ende s’prajnë legjendat për rivalitetin midis dy fraksioneve brenda delegacionit kosovar; krahut të luftës dhe krahut të paqes! Legjendat urbane u trilluan si në mesjetë. Kinse ishte krahu ushtarak ai që e nxori Kosovën nga kthetrat serbe dhe për këtë zotëronte vendimmarrjen në Konferencën e Rambouillets. Këtë legjendë, më saktë këtë trill, protagonistët e të ashtuquajturit krah i luftës e lartësuan në mit. Përmes mitit të paqenë dhe të bëmave imagjinare plot lavdi në fushëbeteja gjithandej Kosovës, krahu i luftës më vonë erdhi në pushtet. Në fillim zaptoi institucionet e Kosovës, pastaj i zhveshi dhe i zhvati deri në palcë dhe krejt në fund shtetin më të ri e sollën në gjendjen në të cilën është sot.

Delegacioni kosovar ishte formal në Konferencën e Rambouillets. Fuqia e tij ishin grindjet midis dy fraksioneve dhe fluturimi klandestin i ndonjë tavlle të duhanit kundër njëri-tjetrit. Më shumë se formal ishte simbolik. Palët që ndërmjetësuan për Kosovën ishin Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe aleatët evropianë në njërën anë dhe Rusia e delegacioni serb në anën tjetër. Ishte Aleanca Veriatlantike e cila përmes luftës nga ajri gjunjëzoi regjimin serb dhe i solli pavarësinë vendit më të vogël në Gadishull. 

/Kolumna është shkruar vetëm për Gazetaexpress

Të tjera

Lajmet e fundit