Kthehu lart

Momenti Bretton Woods për Europën

Momenti Bretton Woods për Europën Autori: Harold James GazetaExpress

Udhëheqësit politikë në Francë dhe, së shpejti, në Gjermani, do të kenë një mundësi për të shpëtuar Bashkimin Europian nga sëmundja që e ka zënë, por vetëm në rast se dëgjojnë leksionet e duhura nga e shkuara. Suksesi i mirëkuptimeve të mëdha mes Francës dhe Gjermanisë më 1963, dhe mes fituesve të Luftës së Dytë Botërore më 1944-1945, flet për nevojën për një përqasje të fortë dhe tërësore

Pas shumë vitesh paralize gjatë krizës së borxheve që filloi më 2009, Bashkimi Europian duket se ka rifituar ca forcë. Në Francë vitin e kaluar, Emmanuel Macron dhe sllogani i tij  République En Marche! fitoi presidencën dhe një shumicë parlamentare të fortë. Dhe në Gjermani, pas shumë vonesash, Social-Demokratët e qendrës së majtë po votojnë aktualisht mbi një marrëveshje për koalicion të ri me Bashkimin Kristian Demokratik dhe partinë motër bavareze, Unioni Kristian Social.

Shpresa tashmë është për një rigjallërim të bashkëpunimit Franko-Gjerman dhe një Traktat të ri të Elizesë, për të përditësuar marrëveshjen historike të vitit 1963 të negociuar nga kancelari i Gjermanisë Kondrad Adenauer dhe Presidenti i Francës Charles de Gaulle. Një marrëveshje e re mund të përfshijë shpenzime më të larta në nivel të BE-së dhe kapërcimin e tabuve të vjetra të gjermanëve kundër një “bashkimi transfertash.”
Por, që të ketë efektin e dëshiruar, vizioni franko-gjerman për Europën duhet të jetë i ri dhe mjaftueshëm i fortë për të kapur imagjinatën e popullit. Shumë Europianë janë të lodhur nga sajesat teknokratike të negociuara pas skenave dhe thirrjet boshe të idealeve universale. Njerëzit kanë nevojë për ideale, por ato kanë gjithashtu nevojë edhe për masa konkrete dhe të ndjeshme.
Mendo për disa nga mirëkuptimet e mëdha të së shkuarës, jo vetëm më 1963, por edhe në periudhën menjëherë pas Luftës së Dytë Botërore, kur sistemet e demokracisë liberale u rikonceptuan nga themelet. Bota krijoi jo vetëm institucione të reja, por edhe me mënyra të reja të të menduarit mbi ndërveprimin shoqëror, politik dhe ekonomik. Për Europën, leksioni hihstorik është që përpjekja e sinqertë dhe e koordinuar për të trajtuar kërkesat institucionale dhe filozofike është me të vërtetë e mundshme.
Një propozim premtues që gjendet në marrëveshjen për koalicionin në Gjermani është për një Fond Monetar Europian (EMF), i cili do të mbikëqyret nga Parlamenti Europian. Një EMF mund të përfaqësojë një përmirësim domethënës në institucionin ekzistues ndërqeveritar të BE-së që merret me shpëtimin nga falimentet, Mekanizmi Europian i Stabilitetit. Për më tepër, ajo mund të ofrojë një model për pjesë të tjera të botës. Në fakt, përpjekje të tilla të ngjashme për të lidhur mekanizmat rajonale të bashkëpunimit me institucionet financiare ndërkombëtare janë sakaq duke u kryer në Azi, përmes iniciativës së shkëmbimit të monedhave Chiang Mai dhe Bankës Aziatike të Investimeve në Infrastrukturë.
Europa, nga ana e saj, ka qenë prej kohës e fiksuar me Bretton Woods, konferencën e vitit 1944 në Nju Hempshajr e cila, mes shumë gjërave të tjera, krijoi Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe sistemin ndërkombëtar monetar të bazuar në rregullin e kursit të këmbimit të fiksuar por të ndryshueshëm. Që nga shkatërrimi i të ashtuquajturit sistem i Bretton Woods në fillim të viteve 1970, Franca dhe Gjermania janë përpjekur të gjejnë një ekuivalent në nivel Europian.
Për shembull, një iniciativë e vitit 1978 nga presidenti i Francës Valéry Giscard d’Estaing dhe Kancelari i Gjermanisë Helmut Schmidt solli krijimin e Sistemit Monetar Europian me kurs këmbimi të fiksuar por të ndryshueshëm dhe ofroi bazën për krijimin e një Fondi Monetar Europian të stilit të FMN-së brenda dy vitesh. Por rimishërimi i FMN-së vdiq ende pa lindur, për shkak të kundërshtive nga Bundesbanku i Gjermanisë. Dhe kur ideja u rigjallërua sërish gjatë trazirave financiare të fillimit të viteve 1990 dhe në fazat e para të krizës së euros, kjo ide nuk u pëlqye politikisht më shumë nga sa qe pëlqyer në fund të viteve 1970.
Megjithatë, ia vlen të shohim pas te konferenca e Bretton Woods, e cila iu përgjigj agresionit të pasluftës kundër globalizimit duke trajtuar varfërinë, autarkinë dhe luftën si fenomene me lidhje shkakësore. Projekti i pasluftës i internacionalizmit të iluminuar i mundësoi shumë vendeve të bashkojnë interesat e veta si agjentë ekonomikë dhe solli integrime të shteteve dhe tregjeve. Sistemi i ri pa dyshim që mbështetej në idealizëm të ndritur, por ishte një idealizëm që solli masa e institucione konkrete dhe realiste – e madje edhe cinike.
Për çdo vend tjetër përveç Shteteve të Bashkuara, marrëveshja e pasluftës ishte në fakt një mbështjellje sheqeri në pilulën e hidhur të hegjemonisë së dollarit, e cila favorizonte kompanitë dhe punëtorët amerikanë. Dhe brenda SHBA-së, Bretton Woods ishte një mbështjellje sheqeri që fshihte pilulën e hidhur të internacionalizmit, për të cilin kishte neveri izolacionizmi i “Amerika e Para” që dominoi periudhën mes dy luftërave.
Pyetja tashmë është nëse një marrëveshje e ngjashme mund të zgjidhë problemet bashkëkohore mbi ligjshmërinë e procesit politik në nivel europian. Një tipar shpesh i anashkaluar i arkitekturës origjinale të Bretton Woods është që ajo u përpoq të lidhte interesat ekonomikë dhe politikë me interesat e sigurisë. Në vitet 1944-1945, të pesë aksionerët e mëdhenj të FMN-së dhe Bankës Botërore – SHBA, Bashkimi Sovjetik, Mbretëria e Bashkuar, Kina dhe Franca – ishin të njëjtat vende që morën vende të përhershme në Këshillin e Sigurisë së Kombeve të Bashkuara.
Megjithatë, pas revolucionit komunist në Kinë dhe dështimit në Bashkimin Sovjetik për të ratifikuar Marrëveshjen e Bretton Woods, FMN dhe Banka Botërore shkuan në një drejtim tjetër. Bashkimi Sovjetik dhe Republika Popullore e Kinës u përjashtuan (së paku fillimisht në rastin e Kinës), dhe aspekti i sigurisë së marrëveshjes së pasluftës nuk u materializua kurrë. Tashmë është koha që Europa ta rigjallërojë atë dhe të krijojë një model për ndërlidhje që pjesa tjetër e botës ta kopjojë.
Përgjatë tetë viteve të fundit, shumica e propozimeve për trajtimin e krizës së euros kanë qenë të zymta dhe të dobëta, të tilla që joshnin vetëm teknokratët dhe ata që kishin njohuri të thelluara, ndërkohë që linin publikun e gjerë të habitur. Ajo që nevojitet tashmë është një pazar i madh për të lidhur ekonomiksin me çështjet e mëdha të sigurisë në një botë që po ndryshon nga tipa si Presidenti i Rusisë Vladimir Putin dhe Presidenti i SHBA-së Donald Trump.
Më shumë për këtë argument, krerët e shteteve të Europës kanë nevojë të hartojnë një zgjidhje që thjeshtëzon konceptet e komplikuara të çështjeve ekonomike – të cilat trajtohen në mënyrë të gabuar si beteja me rezultante zero për burimet – dhe mbrojtjen, e cila konsiderohet gjerësisht si një shqetësim i përbashkët. Është koha për të risjellë të menduarin tërësor të viteve 1944-1945, e cila theksoi të mirën e përbashkët përballë interesave të ngushta.

/Project Syndicate; përkthimi: reporter.al

    Data: 05 Mars 2018 10:56
    Autori: Harold James

    Të tjera