Kthehu lart

Kush po e thotë të vërtetën për katrahurën brenda Lëvizjes Vetëvendosje

Kush po e thotë të vërtetën për katrahurën brenda Lëvizjes Vetëvendosje Autori: Dimal Basha GazetaExpress

Në Vetëvendosje asnjëherë nuk është zgjedhur mjeti për ta arritur qëllimin, apo për ta dëmtuar cilindo kundërshtar të tyre, dhe historia e tyre është dëshmi e mjaftueshme që këta nuk kanë për ta zgjedhur mjetin për ta shkatërruar edhe njëri-tjetrin

Lufta me fjale mes grupeve brenda Lëvizjes Vetëvendosje! është shumë e sofistikuar dhe kjo mendoj për arsye se shumë prej tyre janë të përgatitur për të luajnë me fjalë. Më shkurt, janë të aftë t’ua ndërrojnë kahun argumenteve sa herë flasin ose shkruajnë. Kjo formë e debatit vetëm çka krijon edhe më shumë paqartësi, diçka që është edhe synim i vet atyre që janë pjesë e kësaj mosmarrëveshjeje brenda partisë, dhe shumica e qytetarëve si pasojë kanë ngelur me më shumë pyetje se përgjigje. Megjithatë, për mua, por besoj edhe për shumë të tjerë, ka dyshime në të dy anët në atë se çka dhe si po thuhet, që ndoshta kullohen vetëm me përgjigje të drejtpërdrejta të disa pyetjeve me poshtë.

1.                Nëse në vitin 2016 z.  Kurti i paska komunikuar z. Molliqajt se ai paska qenë ‘pjesë' një skeme të organizuar nga Stanišiči me Baton Haxhiun për ta shkatërruar atë dhe partinë, pse atëherë z. Molliqaj nuk e ke shtruar këtë problem me gjithë partinë, sepse kjo akuze nuk lejon hapësirë që të dy ju, pra ju dhe z. Kurti, të mbeteni brenda të njëjtës parti.

2.                 Tjetra, z. Kurti njëkohësisht të ka thënë se (parafrazim) Shpendi e ka të njëjtin qellim, pra dëmtimin e tij dhe të partisë, mirëpo e bën me bekimin e ambasadave. Më shkurt, z. Kurti të paska komunikuar se z. Ahmeti paska qenë dorë e zgjatur e ambasadave, të cilat paskan pas qellim shkatërrimin e z. Kurti. Atëherë pyetja logjike që rrjedhimisht e kemi të gjithë është,

3.                 “Pse Dardan Molliqaj nuk ka shkuar t’i tregojë z. Ahmeti edhe ta shtrojë këtë problem brenda partisë që ta dinë të gjithë? Këto janë akuza të rënda që, së paku për mua, menjëherë është dashur të ndezë një alarm të madh. Personalisht nuk shoh se kishte pasur mundësi me vazhdu bashkëpunimi i z. Ahmeti me z. Kurti nëse ky i fundit ia kish komuniku të njëjtën akuzë në sy z. Ahmeti. Mendoj se një akuzë e tillë është dashur me mbajt të njëjtën përgjegjësi për ty, por edhe për z. Ahmeti, apo jo? E them këtë sepse z. Ahmeti deklaroi se nuk ka ditur asnjë send rreth këtyre akuzave, qe normal na bie me dyshu te motivi i juaj z. Molliqajt. As nuk ke treguar më herët, apo kur është dashur, dhe njëkohësisht ende ke vazhdu me bashkepunu me z. Kurti.

4.                Pra nëse nuk i paske tregu atëherë, atëherë normal që të gjithë pyesin, pse akuzat e z. Kurti për ty dhe z. Ahmeti po bëhen problem sot, mirëpo nuk paskan qenë problem atëherë kur u thanë? Nëse thua se je parimor dhe qëndron kundër padrejtësive, kjo i bie se ose ke tradhtuar parimet, ose z. Ahmeti për shkak të interesave personale. Të dyja nuk mund të qëndrojnë.

5.                Z. Molliqaj, nëse prej vitit 2016 paske pas dyshime tek z. Kurti për tendencat e një njeriu autokrat dhe që z. Kurti sot qenka rrezik për Kosovën, pse nuk e thoshe këtë me herët? Por jo, copa doje të bëheshe të na bindje ta votojmë Albinin për Kryeministër? Pse me të besu sot qytetari nëse dje nuk paske qenë i sinqertë?

6.                Z. Molliqaj, pse ka qenë krejt në rregull që tre individë me vendos për gjithçka brenda partisë, kurse sot po thoni se ajo formë e vendimeve ka qenë e gabuar? Atëherë, dy prej këtyre tre individëve keni qenë nga grupi i të pakënaqurve (ju dhe z. Ymeri), që ka përbërë shumicën në vendimmarrje. Por sot ju, por edhe tjerë të pakënaqur, po thoni se ka qenë gabim kjo forme e vendimmarrjes. Për çka? Sepse ju nuk jeni shumicë, apo sepse në parim ka qenë gabim? Të Dyja nuk qëndrojnë dhe ju keni qenë pjesë e të dy anët e këtij argumenti, që e bën të paqëndrueshëm kundërshtimin tuaj sot.

7.                Tjetra, derisa ju konvenoi linçimi në rrjete sociale që vinin nga bandat virtuale në kuadër të Lëvizjes suaj, ju nuk ankoheshit se ka qenë gabim. Kurse sot jeni kthyer kundër atyre që vetë keni ndihmuar me kriju? Si me ju besu se jeni të sinqertë sot, kur nuk keni qenë të tillë dje?

8.                Dhe normal se pyetja kryesore për z. Kurti gati se qëndron e njëjta. Nëse e ka besu se Dardani ka qenë kali i Trojës në LVV, pse atëherë nuk ofroi dëshmi për Sekretariatin Disiplinor dhe të kërkojë përjashtimin e tij. Kjo është akuzë e rëndë, që në kushte normale është dashur të kërkojë zgjidhje të shpejtë dhe permanente, ku ose z. Molliqaj dëshmohet si dashakeq dhe shkatërrimtar dhe largohet nga partia, ose ju z. Kurti keni bërë akuzë të pabazë dhe rrjedhimisht është dashur të kërkoni falje dhe ndoshta edhe dorëheqje. Pse pyet dikush keni lejuar te jeni me një parti ose të jeni bashkëpunëtorë me individë që kanë kërkuar medoemos “shkatërrimin” tënd?

9.                 E njëjta vlen edhe akuza për z. Ahmeti. Nëse z. Ahmeti paska qenë një dorë e zgjatur, ose i dërguar i ambasadave për të shkatërruar ty, atëherë pse nuk ke ofru dëshmi sepse çfarëdo dëshmie kishte me mjaftu me largu z. Ahmeti prej partisë? Mirëpo jo, sepse njëkohësisht ke vazhduar me bashkëpunu dhe me i thanë qytetarëve se Shpendi është njeriu më i mirë për udhëheqjen e qytetarëve të Prishtinës. Ka probleme këtu, sepse janë akuza shumë të rënda. Tash sipas këtyre akuzave janë dy të vërteta të mundshme, ose ti ke trilluar për dëmtimin e Shpendit, ose Shpendi ka tradhtu për dëmtimin tënd. 

10.           Kurse për fund dua te lidhem me tendencën që të ruhet partia. Krejt jemi dëshmitarë se është krijuar njëfarë 'grupi punues’ me në krye me z. Ahmeti dhe z. Konjufca, qe me tentu për herë të fundit me shpetu partinë nga ndarja eventuale. Tash ende pa filluar mirë këto ‘bisedime’ veç filluan ndarjet. Çka tregon kjo? Që këtu tek te pakënaqurit ka me shumë se një grup, sepse sikur të gjithë të pakënaqurit të kishin të njëjtin synim për ruajtjen e partisë, por sikur të kishin edhe një besim tek z. Ahmeti, atëherë nuk ishte dashur me u largu nga partia pa përfunduar punimet nga ky grup punues. Prapë po them, kjo po na jep me besu që ka njerëz që funksionojnë jashtë ombrellave dhe përtej asaj që po thuhet, që na bën me besu se këtu ka aq shumë paqartësi saqë është vështirë me konstatu me një të vërtetë të vetme.

11.           Unë vazhdoj me besu se ky është veç fillimi, sepse në javët, muajt, dhe vitet në vijim kemi me dëgju filma e filma, dhe kjo ka me qenë një ndër ndarjet më të ndyta, dhe kjo për dy arsye, që është forma dhe mjeti për me arrit qëllimin. Tanimë e dimë se forma e tyre gjithmonë ka qenë agresive, dhe të njëjtin agresivitet e pres të ndodhë mes vetë atyre (dhe ky fillim akuzash veç po na e dëfton këtë). Kurse e dyta, në këtë Lëvizje asnjëherë nuk është zgjedhur mjeti për me arrit qëllimin, apo me dëmtu cilindo kundërshtar të tyre, dhe historia e tyre është dëshmi e mjaftueshme që këta nuk kanë me zgjedh mjetin për me shkatërru edhe njëri-tjetrin. Megjithatë, besoj është hera e parë që do të jemi veç spektatorë, dhe këta vetë do ta provojnë veten me këtë formë dhe mjet, qe nuk besoj që ka me ju pëlqy. 

Megjithatë këto mbeten krejt mes tyre, kurse për votuesin dhe qytetarin e thjeshtë ka më shumë pyetje se përgjigje për atë çka po ndodh, dhe ndoshta këto pyetje ndihmojnë me sqaru mjegullën që po hidhet nga të dy anët e këtij ekuacioni.

    Data: 26 Janar 2018 12:33
    Autori: Dimal Basha

    Të tjera