Kthehu lart

Kur Hashim Thaçi blen drejtësinë

Kur Hashim Thaçi blen drejtësinë Autori: Imer Mushkolaj GazetaExpress

Hashim Thaçi nuk ka kursyer forma e mjete për të blerë drejtësinë, duke e shfrytëzuar edhe pozitën zyrtare për të arritur qëllimet e veta. Rastet si ai i Gjergj Dedajt, Veli Bytyqit e Imer Imerit tregojnë se ai bën çmos që drejtësia të mos merret me të. Me poste e privilegje, ai ua ka mbyllur gojën edhe të tjerëve që e kanë akuzuar

Është dikush që i bëhet vend në secilën qeveri dekadën e fundit. Në postin e zëvendësministrit. Jo rastësisht. Gjergj Dedaj, kryetar i Partisë Liberale të Kosovës, është shpërblyer me poste qeveritare gjatë gjithë kohës sa Partia Demokratike ka qenë në qeverisje. Jo për ndonjë aftësi të tijën në menaxhim, por për arsye krejt të tjera, që kanë të bëjnë me ish-kryetarin e PDK’së, tash presidentin Hashim Thaçi.

Duke e joshur dhe shpërblyer me poste, Thaçi është përpjekur t’ia mbyllë gojën Dedajt për një ngjarje të para 20 vjetëve. Duke e rehatuar nëpër ministri, Thaçi ka blerë drejtësinë në një rast që do të duhej gjykuar.

Gjithçka nisi kur Dedaj foli publikisht për një rast të ndodhur në vitin 1998 në Drenicë, kur ishte arrestuar nga UÇK’ja, nga Hashim Thaçi dhe njerëzit e tij.

“Në vitin 1998 Thaçi e ka ndalur delegacionin e shtetit të Kosovës. Unë isha nënkryetar i Kuvendit. Ishim në vizitë në zonat e luftës. Na ka ndalu Hashim Thaçi me njerëzit e tij. Tha jeni të arrestuar. Arsyeja, thjesht që jeni parti politike që e përkrahni presidentin historik Ibrahim Rugova. Ka pas maltretim fizik, psikik, moral…disa anëtarë të delegacionit janë torturu edhe fizikisht. Edhe unë jam maltretu fizikisht. Ai edhe na ka marrë në pyetje, na ka bërë presion. Është një krim, e jo një incident”, kishte rrëfyer Dedaj në “Rubikon” të KTV’së, në dhjetor të vitit 2011, pak ditë pasi Thaçi e kishte shkarkuar nga pozita e zëvendësministrit të Transportit, si i dyshuar për keqpërdorim të kreditkartelës shtetërore.

Pas pak ditësh, Dedaj ishte emëruar zëvendësministër i Punës. Ndërkohë, në Qeverinë Haradinaj Dedaj është emëruar zëvendësministër i Jashtëm. Ngjarja e Drenicës ka mbetur e pazbardhur dhe e pagjykuar nga organet e drejtësisë. Në këtë mënyrë, Hashim Thaçi ka blerë drejtësinë. Por, nuk është rasti i Dedajt i vetmi që Thaçi e ka heshtur. Me poste e privilegje ua ka mbyllur gojën edhe të tjerëve që e kanë akuzuar.

* * *

Për vite me radhë, drejt Hashim Thaçit dhe SHIK’ut ishte drejtuar gishti për vrasjen e Haki Imerit. Por, befasisht, para një viti, vëllai i viktimës, Imer Imeri, ishte tërhequr nga akuzat. Kishte thënë se është bindur se Thaçi nuk ka gisht në vrasjen e vëllait të tij dhe se Thaçi “i është larë” duke i bërë be me 124 pleq. Si shpërblim, Thaçi e kishte shpallur viktimën dëshmor kombi dhe kishte bërë homazhe te varri i tij. Madje, për Haki Imerin ishte mbajtur edhe një akademi përkujtimore.

Para një muaji, Thaçi kishte marrë vendim për faljen e të dënuarve në Rastin Hajra, një vendim që kishte nxitur reagime të shumta.

Profesori i të drejtës penale, Ismet Salihu kishte thënë se për vepra të rënda, si vrasja, falja nuk mund të bëhet dhe se, sipas tij, rasti për të cilin ishin dënuar vëllezërit Ramadani e Kiçina, është jashtëzakonisht i rëndë për t’u falur. Ata ishin dënuar për vrasjen e pesë anëtarëve të familjes Hajra në vitin 2001.

Familjarë të të dënuarve vazhdimisht kishin drejtuar gishtin kah Thaçi, për të cilin thoshin se e di të vërtetën e Rastit Kiçina. “E vërteta e këtij rasti fut në burg politikanë të fuqishëm, që normal Hashimi nuk don të vërtetën e këtij rasti”, kishte thënë Faton Ramadani, vëllai i dy të dënuarve. Sipas tij, Thaçi i ka djegur provat e reja, të cilat i ka pasur për të dëshmuar për pafajësinë e vëllezërve Ramadani. Pas 15 vjetësh në burg, të dënuarit në Rastin Hajra u lanë të lirë dhe Thaçi e mbylli edhe këtë kapitull.

E kapitullin e ngjarjes së Drenicës së para 20 vjetësh, Thaçi është përpjekur ta mbyll edhe me një veprim të këtyre ditëve. Ai e ka emëruar këshilltar Veli Bytyqin, i cili kishte qenë në grupin e arrestuar në Drenicë, në ngjarjen për të cilën ka folur Gjergj Dedaj. Kësisoj, ai bleu edhe njëherë drejtësinë duke i dhuruar një post në zyrën e tij personit që vazhdimisht e kishte kritikuar. Madje, Bytyqi thoshte se nuk e njeh Thaçin president, duke e cilësuar autokrat, autoritar e me mendësi provinciale, hakmarrës e përçarës.“Unë nuk të njoh për president të vendit tim kurrë, ani se kjo ty nuk të prishë punë, por mos harro se këso si unë janë shumica e njerëzve të këtij vendi. U treguat primitiv, provincial, gjarpër i ftohtë akull edhe kur deputetët e opozitës tërhiqeshin zvarrë nëpër sallë”, thoshte Bytyqi, i cili tash është rehatuar në zyrën e presidentit.

* * *

Hashim Thaçi nuk ka kursyer forma e mjete për të blerë drejtësinë. Ai nuk ka kursyer resurse shtetërore dhe të tjera, por edhe ka shfrytëzuar pozitën zyrtare për të arritur qëllimet e veta. Dhe ia ka dalë deri tash.

Njësoj mund të veprojë edhe në të ardhmen. Ai nuk e ka problem të blejë drejtësinë. Problem e ka që drejtësia të merret me të. 

    Data: 25 Janar 2018 15:38
    Autori: Imer Mushkolaj

    Të tjera