Kthehu lart

Kriza e VV zbuloi krizën institucionale të sistemit dhe të spektrit politik

Kriza e VV zbuloi krizën institucionale të sistemit dhe të spektrit politik Autori: Milazim Krasniqi GazetaExpress

Kriza e “Lëvizjes Vetëvendosje!” nuk ka zbuluar vetëm krizën e thellë të saj, prej organizate me prejardhje totalitare, po edhe krizën e institucioneve të sistemit, që kanë prejardhje neokoloniale dhe krizën e kundështarëve të saj, (PDK e LDK) që nga parti misionariste, janë shndërruar në sekte klienteliste. Mua kjo më duket më me interes për analizë, se sa analiza e leksikut bizar dhe gjuhës së urrejtes së eksponentëve të VV, e cila e tillë ka qenë edhe më herët. Pra, më pikantja në këtë tregim është se disa instanca të pushtetit dhe të spektrit politik, i ka denoncuar keqas kjo krizë e VV.

E para, kriza e VV ka zbuluar krizën e agjencive të intelegjencës, policisë dhe e prokurorisë. Pse? Nëse ato institucione nuk kanë pasur informacione për gjithë atë konflikt të brendshëm në VV, më saktë, nëse nuk e kanë shfrytëzuar atë krizë të brendshme të VV, për t’i zbuluar akterët e veprimeve kriminale në emër të saj, kjo tregon një disfunksionalitet alarmant. Po qe se do të kishin informacione kredibile, këto institucione do të mund të parandalonin disa nga krimet që kanë kryer eksponentët e VV, me çka e kanë dëmtuar rëndë jo vetëm imazhin po edhe stabilitetin e vendit. Fjala vjen, minimumi që do të duhej ta dinin AKI, policia e shtetit dhe prokuroria është se VV sulmet në Kuvend dhe jashtë tij, i ka përdorur për ta amortizuar krizën e vet të brendshme me anën e anarkizmit të dhunshëm. Pra, nga kjo perspketivë tashmë është e qartë se dhuna në Kuvend nuk ka qenë një kauzë, por një tentativë për ta shëruar disi “Lëvizjen Vetëvenosje!” nga infeksioni i brendshëm. Si është e mundshme që AKI, policia dhe prokuroria nuk e kanë kuptuar këtë taktikë?! Ndërsa, nëse kanë pasur informaicone e nuk i kanë shfrytëzuar për parandalimin e krimeve në Kuvend e jashtë tij, atëherë do të ishte edhe më keq për kredibilitetin e tyre si institucione shtetërore. Në atë rast do të  forcohej mbresa se këto institucione ende udhëhiqen me mentalitet neokolonial, pra që dikush tjetër është kompetent për të menduar e vepruar për sigurinë e vendit, fjala vjen EULEX-i, KFOR-i, etj. 

E dyta, kriza e VV definitivisht ka dëshmuar se SHIK-u ose ish SHIK-u, në këto faza ka qenë totalisht i paaftë ose edhe ineksizstent për të shfrytëzuar krizën e VV për interesat e PDK-së. Po qe se do e ishte i aftë dhe aktiv, SHIK-u e paskësh pasur rastin ideal të përdorte krizën e VV, së paku për të mos pësuar PDK-ja atë humbje të rëndë në zgjedhjet e 11 qershorit 2017. Albin Kurti dhe sishokët e tij tërë kohën kanë etiketuar SHIK-un, si e keqja e Kosovës. Si duket ata e kanë ditur se ai është i paafë dhe inekzistent, por e kanë përdorur si gogol, për sulme ofensive kundër PDK-së, bile me sukses të plotë. Po ta dinin se është SHIK-u ashtu si ata e portretonin, sigurisht do të ishin më të kujdesshëm në shfryrjet e tyre. Pas kësaj përvoje më krizën në VV, çfarëdo aktiviteti i ish SHIK-ut, mund të jetë i lokalizuar vetëm në luftën brenda llojit, pra, për marrje favoresh, ose për qërim hesapesh brenda PDK-së. Sidoqoftë, fitorja e VV më 11 qershor 2017, nga kjo perspektivë, e bën edhe më dëshpëruese humbjen e PDK-së.

E treta, nga kjo perspektivë humbëse e keqe e zgjedhjeve të 11 qershorit 2017 dhe e zgjedhjeve lokale është edhe LDK-ja, e cila tërë dufin e shfrynte kundër PDK, ndërsa doli se kundërshtari i saj më i madh ishte VV. Edhe në LDK, e cila në atë kohë drejtonte qeverinë, po të kishin informata për krizën brenda VV, do t’i mund ta shfrytëzonin për hesap të vetin. Bile, jo vetëm në zgjedhjet e 11 qershorit po edhe më shumë në zgjedhjet komunale, ku në balotazh, me aso informacionesh dhe më shfrytëzimin adekuat të tyre, LDK-ja ka mundur ta fitonte kryeqytetin.

E katërta, sa i përket vetë VV dhe “aftësisë” së saj që ta mbajë të fshehur krizën e thellë, kjo dëshmon karakterin e saj tipik totalitar. Të njëjtën aftësi për t’i fshehur krizat, e kanë pasur partitë komuniste, që nga PK e BRSS, LKJ e Jugosllavisë e deri te PPSH e Shqipërisë. Të gjitha kanë ligjëruar për unitetin e partisë, bile edhe për unitetin parti-popull, deri në një moment banal, (ngjashëm me atë sms të Aida Dërgutit) kur ka shpërthyer kriza dhe ka kontaminuar gjithçka, si një kanalizim i shpërthyer. 

Për fund: pas gjithë kësaj që u skicua deri këtu, bëhet edhe më e qartë kriza e institucioneve të sistemit dhe kriza e partive politike në Kosovë. Institucionet e sistemit, veçmas AKI, policia e prokuroria nuk duket se kanë fituar lirinë dhe përvojat për punë sovrane, po ende veprojnë si filiala të një pushteti neokolonial, qoftë ai edhe pushteti politik vendas. Ndërsa, partitë e mëdha, PDK e LDK, duket se janë shndërruar në grupe klienteliste, të cilat shumicën e energjisë e harxhojnë në luftëra të brendshme. (Edhe zhvillimet e ditëve të fundit në Degën e PDK-së në Skenderaj, janë brenda kësja skeme.) Ndërsa, “Lëvizja Vetëvendosje!” është si qershia mbi tortë e kësaj gjendjeje të spektrit tonë politik. Tash për tash e pakonkurencë në nxjerrjen në publik të të palarave “të shokëve dhe shoqeve të idealit.” Por, tash prej kësaj mutsihaneje nuk kanë ndonjë dobi as institucionet e sistemit, që nuk e kanë fituar në kohën e duhur betejën me krimin e VV, e as spektri politik, i cili ka humbur në zgjedhje nga VV. (27 janar 2018)  

    Data: 27 Janar 2018 14:44
    Autori: Milazim Krasniqi

    Të tjera