Kosova, përherë e më larg Shqipërisë

Dyshoj që, Edi Rama dhe Hashim Thaçi, këta burrat tanë të shteteve, që shtete nuk janë ende, kanë ndonjë plan serioz për Kombin Shqiptar

Artur Zheji

Ceremoniali dhe protokolli është gjithmonë e më i mirë. Fjalët, shumë fjalë, janë gjithmonë e më popullore, korrekte dhe të pangjyra.

10 vite pavarësi zyrtare e Kosovës, 19 vite de facto, pa thundrat e ushtarëve serbë.
Në të vërtetë 2 shtete shqiptare të vogla në Ballkan, një habi e shekullit 21, një dhuratë e madhe, me të cilën shqiptarët në të dy krahët e kufirit, lozin më së shumti në mënyrë fëmijërore, egoiste dhe të llastuar.
Sepse në më të shumtën e rasteve, përpjekjet e politikanëve shqiptarë, të Tiranës apo Prishtinës, u kushtojnë vëmendje të madhe qokave, si edhe ishte kjo qoka e fundit e 10 vjetorit.
Me veshje të bukura dhe plot sqimë, me fjalë dhe fjalime dhe pak lëndë thelbësore, se çfarë do të jemi nesër në Ballkan, ne Shqipëria dhe Kosova. Thjesht dy vende të vogla, që nuk rimëkëmben dot ekonomikisht, shkak korrupsioni i thellë, që sjell në krye të listës së vendimmarrjes, interesat e grupit, apo ato personale dhe aspak ato të shtetit të së ardhmes.
Ndoshta kështu ndodh gjithmonë, realiteti dhe ëndrra janë në një konflikt të përhershëm, ku paraja fiton dhe idealizma përqeshet si një sëmundje fëmijërore.
Personalisht, ndryshe nga vitet e para, 1999-2002, kur rrugë e pa rrugë të gjitha rrugët më çonin në Kosovë, udhëtoj gjithmonë e më radhë për aty, në të vërtetë edhe sepse prej andej, nuk vjen kurrë një ftesë, për asgjë që nuk është biznes apo interesa qeveritare.
Andaj u habita që Hashim Thaçi, na kish kujtuar me një Medalje Mirënjohjeje, brenda një liste fort të gjatë.
Dhe u gëzova që aty ish edhe Antonio Russo, gazetari im, që nisja nga Roma, nga Radio Radicale për në Prishtinë, nga ku në periudhën e tmerrshme të bombardimeve, ai raportonte gjenocidin serb në Kosovë, fshehur në bodrumin e një kolegu t’Prishtinës.
Por mungonte Marco Pannella, i cili thirri në një konferencë të madhe në Romë, krejt lidershipin politik të Kosovës dhe Shqipërisë dhe ku ne, disa gazetarë dhe politikanë, së bashku me Baton Haxhiun dhe Edita Tahirin, formuluam një deklaratë ndërkombëtare për Pavarësinë e Kosovës. Viti i largët 1993.
Morëm aso kohe edhe miratimin e Ibrahim Rugovës dhe e shpallëm botërisht me ndjesinë se po bënim diçka të mirë.
Sot kanë kaluar shumë vite dhe ajo çfarë kemi bërë dhe çfarë s’kemi bërë, është tashmë Histori dhe të vjen të qeshësh kur Berisha dhe Thaçi u japin duart njeri tjetrit, me çfarë kanë thënë për njeri tjetrin në vitet e vështira kur ngjizej Liria e Kosovës.
Të vjen gjithashtu për të qeshur, kur mendon se kryeministri Rama, derisa erdhi ministër Kulture në vitin ’97, nuk kish artikuluar asnjëherë një rresht për Kosovën dhe dyshoj që e njihte atë botë.
Prandaj dhe dyshoj që këta burrat tanë të shteteve, që shtete nuk janë ende, kanë ndonjë plan serioz për Kombin Shqiptar.
Tregu ekonomik serb dhe kolonat e tyre të pesta në Shqipëri dhe në Kosovë, do vijojnë të na mbajnë larg, përherë e më larg, si dy provinca me guvernatorë të stërpasur dhe me një llapaqenëri të neveritshme ndaj njeri tjetrit.
Porse gjithsesi: “Ma gëzofsh Kosovë 10 vjetorin e Pavarësisë! Ka shumë gjak e shpirtra të djegur në themelet e tua, të shenjtëruara nga kurbane të panumërt të Qëndresës shumë shekullore!”/360grade.al/

Të tjera

Lajmet e fundit